Kërko

Papa në takimin në San Cristóbal de La Laguna Papa në takimin në San Cristóbal de La Laguna

Papa: “ndaluni e kthehuni! Drejtësia e Zotit do t’ju kërkojë llogari”

Gjatë takimit me strukturat e integrimit të migrantëve në Tenerife, Leoni XIV lëshoi një paralajmërim të prerë për ata që përfitojnë nga dëshpërimi i shumë njerëzve, duke e kthyer „vuajtjen e tjetrit në biznes“. „Do t'ju duhet të jepni llogari para drejtësisë hyjnore“, pohoi Ati i Shenjtë, duke bërë thirrje për ndreqjen e së keqes së shkaktuar dhe për „këputjen e zinxhirëve“ të atyre që mbahen peng, „sepse mëshira e Zotit mund të mbërrijë edhe te mëkatari më i pangopur“.

R.SH. / Vatikan

Në ditën e fundit të vizitës së tij apostolike në Ishujt Kanarie, Ati i Shenjtë Leoni XIV bëri një nga mesazhet më të forta të papnisë së tij, duke iu drejtuar drejtpërdrejt trafikantëve të qenieve njerëzore dhe të gjithë atyre që përfitojnë nga dëshpërimi i migrantëve.

Gjatë takimit me organizatat kishtare dhe shoqërore që merren me pritjen dhe integrimin e migrantëve në Tenerife, Ati i Shenjtë Prevost ngriti zërin kundër atyre që, për hir të fitimit, organizojnë “rrugë vdekjeje”, shfrytëzojnë punëtorët, kërcënojnë gratë, mbajnë peng dokumentet e njerëzve dhe e shndërrojnë vuajtjen njerëzore në biznes.

“Ndalojeni këtë të keqe! Kthehuni!”, tha Papa, duke kujtuar se lotët dhe gjaku i mijëra burrave, grave dhe fëmijëve që kanë vuajtur gjatë migrimit nuk humbasin në heshtje, por arrijnë deri te Zoti. Leoni XIV paralajmëroi se për çdo jetë të humbur, për çdo familje të mashtruar dhe për çdo person të shfrytëzuar, autorët do të duhet të japin llogari para drejtësisë së Zotit.

Po mesazhi i Papës nuk ishte vetëm një dënim, por edhe një thirrje për shpresë dhe pendim. Leoni XIV i ftoi ata që kanë shkaktuar padrejtësi të çlirojnë njerëzit që mbajnë nën kontroll, të kthejnë atë që kanë grabitur dhe të përpiqen të riparojnë dëmet e shkaktuara. Papa kujtoi se mëshira e Zotit mbetet e hapur edhe për mëkatarin më të ngurtë, por ajo kërkon një kthim të sinqertë në rrugën e së vërtetës, drejtësisë dhe pendimit.

Duke reflektuar mbi dramën e migrimit, Ati i Shenjtë Leoni XIV theksoi se sfida më e madhe nuk përfundon me mbërritjen në destinacion. Shumë migrantë, pasi i kanë mbijetuar detit dhe udhëtimeve të rrezikshme, përballen me një “mbytje të dytë”, atë të vetmisë, izolimit, mungesës së punës, gjuhës dhe mbështetjes. Pikërisht për këtë arsye, Papa nënvizoi rëndësinë e integrimit si një proces që ndihmon njerëzit të rindërtojnë jetën dhe të bëhen pjesë aktive e shoqërisë.

Leoni XIV ftoi komunitetet vendase të mos i shohin migrantët si numra apo si probleme për t’u menaxhuar, por si njerëz me dinjitet, histori dhe talente dhe theksoi se integrimi është një rrugë e ndërsjellë: shoqëria duhet të hapë dyert dhe zemrat, ndërsa migrantët duhet të angazhohen për të mësuar gjuhën, për të respektuar ligjet dhe për të kontribuar në jetën e përbashkët.

“Jeta juaj nuk është mbeturinë, vuajtja juaj nuk është e padukshme dhe dinjiteti juaj nuk është zhdukur në ujërat që keni kaluar”, tha Papa, duke iu drejtuar migrantëve të pranishëm dhe duke u dhënë atyre një mesazh ngushëllimi dhe shprese.

Në përfundim, Ati i Shenjtë Leoni XIV kujtoi shembullin e Familjes së Shenjtë të Nazaretit, e cila u detyrua të largohej në Egjipt për t’i shpëtuar dhunës së Herodit. Ajo mbetet simbol i çdo familjeje refugjate dhe i çdo personi që detyrohet të lërë vendin e vet për shkak të luftës, persekutimit ose varfërisë.

Me këtë apel të fuqishëm, Papa Leoni XIV kërkoi që Ishujt Kanarie dhe e gjithë bota të bëhen vende ku askush të mos trajtohet si i huaj, por ku secili të njihet dhe të pranohet si vëlla e motër.

 

12 qershor 2026, 13:00