Leoni XIV: Feja, shpresa dhe dashuria, thelbësore në luftën kundër krizës klimatike

Në një videomesazh drejtuar edicionit të dhjetë të Samitit Botëror të Austrisë (Austrian World Summit), që po zhvillohet sot, 16 qershor, në Vjenë, Papa nënvizon rëndësinë e „përvojës krishtere” për zgjidhjen e problemeve që lidhen me degradimin mjedisor. „Të menduarit se bota është krijuar nga Zoti, rrit përgjegjësinë për t'u kujdesur për të.”

Vatican News

Feja, shpresa dhe dashuria – tri virtytet teologale që përbëjnë themelin e krishterimit – mund të ndihmojnë në zgjidhjen e „çështjes ekologjike”, e cila nuk është një „çështje sektoriale”, por simptomë e një krize më të përgjithësuar „shoqëroro-ekonomike bashkëkohore”. Këtë pohon Papa Leoni XIV në një videomesazh në gjuhën angleze, drejtuar Samitit Botëror të Austrisë, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të dhjetë dhe mbahet sot, e martë 16 qershor, në Pallatin Hofburg në Vjenë. Ky takim ndërkombëtar – i organizuar nga Schwarzenegger Climate Initiative, e themeluar nga politikani dhe aktori Arnold Schwarzenegger me qëllim „luftimin e ndotjes dhe mbrojtjen e planetit tonë” – mban këtë vit titullin „We are unstoppable” (Ne jemi të pandalshëm).

Të besosh se bota është krijim i Zotit

Në videomesazh, Papa e cilëson si „thelbësor” kontributin që „përmasa fetare” dhe besimi mund të japin në luftën kundër krizës klimatike:

Kushdo që beson se bota jonë është krijuar nga Zoti dhe është në thelb e mirë, shtyhet të marrë përsipër një përgjegjësi edhe më të madhe për t'u kujdesur për krijimin, pasi këtë gjë ia kërkon feja e tij”.

Enciklika e Papa Françeskut Laudato si’ – të cilën Leoni XIV e citon – thekson pikërisht se „të jesh kujdestar i veprës së Zotit” është një pjesë përbërëse e „përvojës së krishtere”. Edhe fetë e tjera bashkëndajnë të njëjtën ide se jeta është e shenjtë dhe se ajo „duhet respektuar”, argumenton më tej Papa Prevost. Rrjedhimisht, feja „përforcon dëshirën e përgjithshme për të mbrojtur jetën dhe për t'u kujdesur për natyrën”. Kështu, kriza klimatike dhe mjedisore ka „themele të fshehura etike”, siç nënvizon vetë Leoni XIV në enciklikën e tij të botuar kohëve të fundit, Magnifica humanitas. „Dinjiteti i barabartë i të gjitha qenieve njerëzore” dhe „vlera e të drejtave themelore të njeriut” – vlera këto të kërcënuara nga ndryshimet klimatike – duhet të jetësohen përmes konsolidimit të parimeve të së mirës së përbashkët, solidaritetit dhe drejtësisë sociale.

Shpresa që mposht frikën

Këto konsiderata të çojnë te virtyti i „shpresës” dhe kontributi i saj i mundshëm në fenomenologjinë e kësaj krize shoqëroro-ekonomike. „Mungesa e respektit për krijimin” dhe „plaçkitja e burimeve natyrore” përbëjnë rreziqe për paqen: një kërcënim kanosës, vëren Papa, që shqetëson shumë njerëz, por edhe politikën në punën e saj të vendimmarrjes dhe negociatave. Sot dominon frika: frika për të „ndryshuar kursin”, frika nga „humbja e pushtetit” dhe nga „rezultatet e pasigurta” të ndryshimit. Mirëpo Shkrimi Shenjt mund të mbështesë guximin për të bërë zgjedhjet e duhura:

Bibla është plot me shembuj se si frikërat e njerëzve mund të mposhten nga shpresa, e cila në fund të fundit është një dhuratë nga vetë Zoti. Në këtë këndvështrim, prandaj, me gjithë skeptikët apo cinikët, shpresa mund të jetë një forcë shtytëse e fuqishme”.

Shpresa, virtyti i dytë teologal duhet të shoqërohet me prioritete të reja: e mira e përbashkët dhe solidariteti duhet të triumfojnë mbi fitimin material.

Për më tepër, ne kemi nevojë për zhvillimin e një kuadri të ri financiar ndërkombëtar të përqendruar te njeriu, për të siguruar që të gjitha vendet, veçanërisht ato më të varfrat dhe më të prekshmet nga katastrofat klimatike, të mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë, duke respektuar dinjitetin e qytetarëve të tyre”.

Dashuria si motor i ndryshimit

Në këtë kuadër shfaqet nevoja për atë virtyt që Papa Françesku e quante „dashuria qytetare dhe politike”, dhe që Leoni XIV e identifikon si „çelësin e zhvillimit autentik”. Dashuria dhe „dashuria bamirëse shoqërore” ushqejnë si „gjestet e vogla të jetës së përditshme”, ashtu edhe „strategjitë e mëdha” të afta për të ndalur degradimin mjedisor.

Në mbyllje të videomesazhit të tij, Papa siguron lutjet e veta:

Që Samiti juaj të jetë i frytshëm në promovimin e dialogut aq shumë të nevojshëm për të kërkuar zgjidhje efikase për të mbrojtur dhuratën e mrekullueshme të krijimit”.

16 qershor 2026, 11:30