Leoni XIV në Tenerife: mos të reduktojmë gjithçka në tregti dhe përfitim
R.SH. – Vatikani
Papa Leoni XIV përmbylli udhëtimin e tij të katërt apostolik në Spanjë me një Meshë të kremtuar sot, 12 qershor, në Portin e Santa Cruz de Tenerife. Për Papën, kjo liturgji e fundit në tokën spanjolle është një hir, pasi përkon me solemnitetin e Zemrës së Krishtit – „dita në të cilën zemra e Krishtit na ofron rastin ta meditojmë si zemrën e historisë” –, por gjithashtu është edhe një arsye gëzimi e një mundësi për të falënderuar për „dëshmitë e shumta” të „fesë” dhe „dashurisë” të marra gjatë këtyre ditëve.
Kështu, në portin e Santa Cruz de Tenerife, ndërmjet valëve të detit dhe qiellit të pafund, Leoni XIV kremtoi Meshën në Solemnitetin e Zemrës së Shenjtë të Jezusit. Ati i i Shenjtë i falënderoi njerëzit e këtij arkipelagu, jo vetëm për mikpritjen dhe dashurinë, por për dëshminë e fesë që ndriçon si një dritë në jetët e tyre dhe në ato të migrantëve që këtu kërkojnë shpresë dhe strehim.
“Askush nuk është një ishull” ,tha Papa në homeli. Çdo zemër është thirrur për takimin me tjetrin. Jeta nuk është një qëndrim i qetë, por një udhëtim i vazhdueshëm drejt të panjohurës, drejt takimit me tjetrin, me dhimbjen dhe gëzimin e tij. Deti përpara nesh flet për pafundësinë, por më e pafund është dashuria e Zotit, që lidh zemrën e Tij me zemrat tona, gëzimet dhe shpresat, dhimbjet dhe frikërat tona.
Papa paralajmëroi kundër rrëmujës së ditës së përditshme, nga kërkimi i vazhdueshëm i fitimit dhe konsumit. Lumturia nuk gjendet tek ajo që posedojmë, por tek ajo që japim. Tek aftësia për të vlerësuar secilin njeri, për të gëzuar gjërat e vogla, për të dhënë veten në shërbim e dashuri. Mikpritja nuk është një detyrë; ajo është një thirrje për të hapur zemrën dhe për të pranuar tjetrin si vëlla, si motër, si pjesë të trupit të Krishtit.
Një pjesë e veçantë e homelisë së Papës iu kushtua migrantëve, që shpesh përballen me rrugë të rrezikshme dhe det të trazuar. Ata, tha Leoni XIV, janë mësues të heshtur. Përmes vuajtjeve të tyre mësojmë durimin, shpresën dhe urtinë që lind nga besimi. Ata na tregojnë se, edhe në kufijtë më të errët të jetës, mund të ngrihemi dhe të kuptojmë se Hyji gjithmonë është pranë, duke na mbajtur dhe duke na dhënë forcë për të vazhduar.
Leoni XIV falënderoi Kishën lokale, vullnetarët dhe të gjithë ata që ndihmojnë të varfrit dhe të lodhurit, duke e bërë këtë ishull një pasqyrë të Krishtit, ku çdo fytyrë mikpritëse bëhet një dritare drejt Zemrës së Tij. Papa ftoi besimtarët që të shikojnë më thellë, të kuptojnë vuajtjet dhe shpresat e çdo njeriu, dhe të lejojnë që dashuria e Zotit të rrjedhë nëpër ta dhe përmes tyre.
Në përfundim të homelinë, Leoni XIV foli për zemrën e Ungjillit: dashurinë që nuk përjashton askënd, që pranon të plagoset për të shpëtuar të tjerët, që shndërrohet në paqe, dhe që i hap të gjithëve detin e pafund të shpëtimit. “Kush qëndron në dashuri, qëndron në Zotin, dhe Zoti qëndron në të,” tha Ati i Shenjtë, duke lënë një thirrje të fuqishme: të jetojmë në dashuri, të shohim përtej pamjeve dhe të hapim zemrën për çdo njeri, sepse aty ku dashuria sundon, aty gjendet vetë Zoti.
