Leoni: një shoqëri e drejtë mbron çdo jetë njerëzore, të varfrit, paqen dhe lirinë

Leoni XIV, është Papa i parë që viziton Kongresin e Deputetëve, në Spanjë. Flet rreth çështjeve politike si: paqja, negociatat, riarmatimi, migrimi, ligjet dhe polarizimi; çështje etike: familja dhe mbrojtja e jetës në të gjitha fazat e saj; pastaj vjen thirrja për lirinë e ndërgjegjes dhe fesë, kujdesi për të varfrit dhe së fundmi një mesazh për Spanjën, Evropën dhe botën: "Çdo shoqëri vërtet e drejtë bazohet në njohjen e dinjitetit të paprekshëm të personit njerëzor."

R.SH. / Vatikan

Leoni XIV foli sot në qendër të tempullit të jetës institucionale, ligjore dhe demokratike spanjolle: «Palacio de las Cortes», seli e Kongresit të Deputetëve. Leoni XIV është Papa i parë që i drejtohet kësaj dhome ku bashkëjetesa shoqërore merr formë ligjore. Pesëqind anëtarë të parlamentit dhe senatorë ishin të pranishëm dhe duartrokitën kur Leonit XIV hyri brenda. Papa mbërriti rreth orës 10:30 në oborrin e Carrera de San Jerónimo, pasi u mirëprit nga kryetarët e Kongresit dhe të Senatit, Francina Armengol dhe Pedro Rollán. Kryeministri Pedro Sánchez ishte gjithashtu i pranishëm. Leoni XIV falënderoi, përshëndeti dhe shtrëngoi duart me përfaqësues të ndryshëm institucionalë dhe nënshkroi «Librin e Nderit». Në fjalimin e tij në spanjisht, Ati i Shenjtë Prevost sqaroi menjëherë se po i paraqitej Kongresit "si Ipeshkëv i Romës dhe Bari i Kishës Katolike" për t’i shfaqur " afërsinë e tij Spanjës, brenda kuadrit të bashkëpunimit të ndërsjellë, dhe për të thënë një fjalë në shërbim të personit njerëzor".

Trashëgimia e Spanjës në ndërgjegjen ndërkombëtare

Vetë veprimtaria legjislative, vëren Papa, në fund të fundit përballet me një pyetje: "Çfarë koncepti për personin njerëzor i frymëzon ligjet dhe çfarë lloj shoqërie ndërtojnë këto ligje?" Kjo pyetje pasohet nga një panoramë e gjatë dhe e pasur e historisë dhe e trashëgimisë së Spanjës, një vend ku besimi ndërthuret me arsyen, arti me ligjin, tradita me mendimin. Le të jenë dinjiteti, drejtësia dhe e mira e përbashkët metri i marrëdhënieve shoqërore, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar.

Kjo është një nga trashëgimitë e mëdha të vendit, e cila ka hyrë në vetëdijen e bashkësisë ndërkombëtare, pohoi Papa Leoni.

Paqja, një detyrë morale. Lufta, një disfatë e dhimbshme.

Dhe pikërisht paqes, që është jo vetëm "aspiratë politike", por "detyrë e vërtetë morale" në një epokë dhune dhe polarizimi, Leoni XIV i kushtoi hapësirën më të madhe në fjalimin e tij. Paqja, u thotë ai politikanëve spanjollë, kërkon "institucione në shërbim të takimit", "të vërtetës dhe të pajtimit", "të miqësisë" dhe "të respektit të ndërsjellë edhe kur ka mosmarrëveshje". Në nivel ndërkombëtar, "paqja kërkon guxim diplomatik, përgjegjësi etike dhe vizion të së ardhmes të bazuar në respektin për identitetin e secilit popull dhe në detyrimin e shteteve për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre përmes mjeteve paqësore që propozon e drejta ndërkombëtare".

Armët mund të imponojnë heshtje të përkohshme, por ato kurrë nuk mund të ndërtojnë paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.

Zhvillimi i teknologjive dhe i Inteligjencës Artificiale

Në fakt, Papa e konsideron "shqetësues" faktin që, në pjesë të ndryshme të botës dhe në Evropë, riarmatimi po shfaqet përsëri si një "përgjigje pothuajse e pashmangshme": "Siguria e vërtetë lind nga drejtësia, dialogu, respekti për të drejtën ndërkombëtare dhe një politikë e cila e vendosë jetën e popujve përpara interesave të luftës."

Mbrojtja e jetës njerëzore – qëllim përfundimtar i qytetërimit

Prandaj, Papa bën thirrje për një "kulturë reciprociteti", duke kujtuar se "pluralizmi politik nuk duhet të katandiset në diskreditim të përhershëm të kundërshtarit" dhe se "në bashkëjetesën e pjekur, edhe konflikti mund të bëhet një trampolinë drejt paqes". Rreziku, vazhdon Papa, është një lloj tjetër kulture: "kultura e hedhurinave", një shprehje e shpikur nga Papa Françesku për të treguar kërcënimin kryesor për bashkëjetesën shoqërore.

A mund ta konsiderojë veten plotësisht të drejtë një bashkësi njerëzish nëse lë pas dore foshnjet që nuk kanë lindur ende, të moshuarit, të sëmurët, ata që vuajnë në heshtje ose ata që varen tërësisht nga kujdesi i të tjerëve? Mbrojtja e jetës njerëzore është qëllim i vetë qytetërimit.

"Çdo jetë njerëzore duhet të njihet dhe të mbrohet që kur zë fill e deri në fundin e saj të natyrshëm, në çdo rrethanë të ekzistencës së saj", pohon Papa. "Kur kjo siguri zbehet, më të ligështit janë viktimat e para dhe ligji e bjerr kuptimin e tij më të thellë që është ai i shërbimit dhe i mbrojtjes së çdo personi".

Madhështia morale e një populli duket, mbi të gjitha, në aftësinë e tij për të mbështetur, për të mbrojtur dhe për të dashur ato jetë të prekura nga hallet e jetës.

Vlera e familjes

Në këtë kontekst të veçantë merrë rëndësi të posaçme familja, "themeli i natyrshëm i komunitetit" dhe "shkolla e njerëzimit" në të cilën mësohet "gramatika elementare e bashkëjetesës". Kur familja mbështetet "forcohet edhe qëndresa shpirtërore dhe shoqërore e kombeve", nënvizoi Papa Leoni XIV, duke bërë thirrje për bashkëpunim me institucionet arsimore, që kanë si detyrë të "respektojnë të drejtën e patjetërsueshme të prindërve për të zgjedhur llojin e mësimdhënies dhe formimit që do t'u japin fëmijëve të tyre, në përputhje me bindjet e tyre morale, kulturore dhe fetare".

Përgjigje e drejtpërdrejtë dramës së emigrimit

Nga perspektiva e dinjitetit njerëzor, Papa Leoni trajton çështjen e emigracionit, një tragjedi që "sot sfidon ndërgjegjen e kombeve dhe themelin etik të rendit ndërkombëtar". "Shumë burra, gra dhe fëmijë janë të detyruar, shpesh për shkak të rrethanave dramatike, të largohen nga komunitetet e tyre dhe të lënë pas njerëzit e dashur, historitë dhe lidhjet që kanë", vëren Papa. "Ky realitet shkon përtej çdo interpretimi thjesht demografik ose ekonomik: ai përbën një çështje jashtëzakonisht morale dhe juridike".

Mbrojtje, mikpritje dhe integrim

Gjendja e migrantëve dhe e refugjatëve, pra, kërkon një përgjigje që shqyrton problemet që i detyrojnë ata të largohen.

Leoni XIV nuk harron të tregojë me gisht "rrugët gjithnjë e më të rrezikshme" të njerëzve "viktima të trafikantëve dhe të kontrabandistëve që shfrytëzojnë dëshpërimin e tyre". "Është e nevojshme të forcohet parandalimi, shpëtimi dhe ndihma për viktimat, veçanërisht në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe shumëpalësh", këmbënguli ai. Por "asnjë komb nuk mund të përballet me një sfidë të këtyre përmasave i vetëm"; ajo çka nevojitet është "një përgjigje e bashkërenduar dhe e efektshme, në gjendje garantojë mbrojtje, mirëseardhje dhe mundësi për integrim atyre që emigrojnë".

"Çarmatosja e gjuhës"

"Pajtimi" është drejtimi tjetër që Papa i Romës u tregoi parlamentarëve spanjollë. Pajtimi kundërshton "mërinë", "shpërfilljen" dhe "urrejtjen". Ai arrihet gjithashtu përmes gjuhës që flasim:

"Fjalët mund të hapin shtigje ose t'i mbyllin ato; ato mund ta ndriçojnë realitetin ose ta shtrembërojnë atë deri në atë pikë sa ta bëjnë takimin të pamundur", nënvizoi Leoni XIV, duke kujtuar detyrimin e veçantë për të "çarmatosur gjuhën".

Kujdesi për të Varfrit

Në mbyllje të fjalimit të tij, Papa duke ngritur shikimin drejt pikturave që zbukurojnë Sallën e Sesioneve, disa prej të cilave evokojnë Ungjillin përsëriti se "të varfrit i përkasin plotësisht bashkësisë", "i huaji duhet të mirëpritet sipas dinjitetit të tij" dhe "jeta njerëzore nuk mund të trajtohet kurrë si mall". Një ligj e arrin madhështinë e tij atëherë kur, përveçse i vlefshëm në formë, mund të paraqitet para njeriut dhe ta kalojë këtë sprovë pa u turpëruar.

Kujtimi i rrënjëve, guximi për të ardhmen

Nga kujtimi i rrënjve buron edhe ftesa për «ta ngritur shikim lart drejt qiellit» që është edhe motoja e udhëtimit apostolik: "Ngrini shikimin tuaj, jo për t'u distancuar nga realiteti, por për të kujtuar se çdo vendim i autoriteteve publike ka të bëjë me njerëz të vërtetë, veçanërisht me ata që nuk kanë zë".

Në mbyllje, Papa Leoni XIV uroi që "ky komb fisnik" të mos e humbasë kurrë "kujtesën" e rrënjëve të tij dhe as "guximin" për të parë drejt së ardhmes.

08 qershor 2026, 13:14