Papa Leoni XIV takon anëtarët e «Qendrës për kërkim dhe trajnim për mbrojtjen e të miturve» Papa Leoni XIV takon anëtarët e «Qendrës për kërkim dhe trajnim për mbrojtjen e të miturve»

Papa Leoni: mbrojtja e të miturve 'është detyrim' për Kishën

“Takimi me Krishtin na shënon për të mirë dhe na çon drejt një jete plot dashuri dhe liri, ndërsa abuzimi bën të kundërtën, duke shkaktuar plagë traumatike që e kushtëzojnë dhe e zvogëlojnë zhvillimin shpirtëror dhe njerëzor të personit.”

Vatican News

Papa Leoni i bëri këto vërejtje para audiencës së tij të përgjithshme të mërkurën për anëtarët e «Qendrës për kërkim dhe trajnim për mbrojtjen e të miturve», një organizatë ndërdisiplinore latino-amerikane që përqendrohet te parandalimi i abuzimit dhe mbështet mbrojtjen e vogëlushëve.

Ati i Shenjtë Prevost tha se ishte i kënaqur që po priste përfaqësues nga vende të ndryshme latino-amerikane me një qëllim shumë të qartë të përbashkët: për punë që bashkësitë kishtare të jenë vende të sigurta për të gjithë, veçanërisht për fëmijët, adoleshentët dhe njerëzit më të cënueshëm. Papa Leoni u theksoi atyre dëshirën e tij që "të gjitha hapësirat në Kishë, qofshin fizike apo virtuale, të jenë vërtet vende për një takim të frytshëm me Jezu Krishtin, ku të mos ketë frikë , dyshime ose mosbesim.”

Nevoja për hapësira të sigurta

“Faleminderit që jeni këtu dhe që kryeni këtë detyrë shumë të rëndësishme.”

Ati i Shenjtë Leoni XIV i ftoi pjesëmarrësit të shqyrtojnë mirë se si dishepujt e parë, që nga çasti kur takuan Jezu Krishtin, u mrekulluan – një takim që shënoi jetën e tyre dhe i bëri të nisnin një rrugë kthimi në fenë e vërtetë, deri sa iu dorëzuan Atij pa rezerva.

Kjo përvojë, vërejti ai, nuk është diçka nga e kaluara, sepse të gjithë njerëzit janë të thirrur të takojnë Zotin e Ringjallur dhe të fitojnë një përvojë të vërtetë dashurie me Zotin. Por për ta arritur këtë, theksoi Papa Leoni, “është e nevojshme që të kemi hapësira të sigurta.” Abuzimi, nënvizoi Papa, shkakton trauma të mëdha dhe e prish zhvillimin shpirtëror dhe njerëzor të individit.

Jezusi bënte thirrje për mbrojtjen e të vegjëlve

Duke iu bindur paralajmërimit të vetë Zotit, tha Papa, qendra themeloi misionin e saj, “duke iu përgjigjur thirrjes së Krishtit kur na kujton nevojën që të mos bëhemi shkandull për të vegjëlit (krh. Mt 18:6).”

Më pas, Papa Leoni kujtoi se gjatë udhëtimit të tij apostolik në Spanjë javën e kaluar, foli me ipeshkvijtë për dhimbjen e atyre që janë plagosur nga ata që duhej të ishin kujdesur për ta, duke i quajtur këto situata, para të cilave, "bashkësia kishtare është e thirrur të përgjigjet duke i dëgjuar mirë, me vërtetësi, me drejtësi, duke i dëmshpërblyer dhe duke marrë angazhim gjithnjë e më të vendosur për parandalimin e tyre dhe nxitjen e kulturës së kujdesit për të miturit".

Një detyrim për të gjithë Kishën

"Kjo detyrë, sadoqë është kryesisht përgjegjësi e atyre prej nesh që janë të thirrur për të qenë barinj", këmbënguli Papa Leoni, "është një detyrim për të gjithë në Kishë, dhe disa, si ju, e kanë marrë përsipër atë edhe në fushën profesionale".

Papa Leoni i falënderoi të pranishmit dhe në të njëjtën kohë u dha zemër "të vazhdojnë përpara me këtë punë të madhe, duke forcuar rrjetet e bashkëpunimit mes Kishave vendase dhe institucioneve civile, duke mbështetur kulturën e parandalimit dhe të kujdesit për më të cënueshmit".

Në mbyllje, Ati i Shenjtë Leoni XIV, pasi ua besoi përpjekjet e tyre Zojës së Bekuar, që ata të vazhdojnë të punojnë për këtë mision dhe në mënyrë që, gjithnjë e më shumë, e gjithë bashkësia kishtare të përfshihet në të, u dha pjesëmarrësve bekimin e tij apostolik.

17 qershor 2026, 17:14