Kërko

Leoni XIV: të rrëzojmë muret që na ndajnë për të sjellë bashkim e harmoni

Gjatë lutjes para Virgjërës së Almudenës, në Katedralen e Madridit – në ditën e tretë të udhëtimit të tij apostolik në Spanjë – Leoni XIV kujtoi “shembjen si me mrekulli” të guvës ku ishte fshehur dikur shtatorja e Marisë. Rikthimi i saj në dritë për t'u nderuar sërish nga populli shërben si një metaforë ndryshimi. Bota nuk duhet t'i përforcojë apo t'i injorojë barrierat, por duhet të guxojë të hapë hapësira të reja për të rikthyer mundësitë dhe për të parë drejt drejt horizontit.

R.SH – Vatikani

"Buçimë, kaos dhe përmbysje". Një mur që rrëzohet të ngjall frikë dhe të çorienton, të paktën në fillim. Por më pas, pasi ulet pluhuri dhe heshtin zhurmat, nisin të duken rrezet e para të horizontit. Pikërisht atëherë lind dëshira për të rindërtuar dhe për të dhuruar diçka aq delikate sa një trëndafil. Kështu edhe bota, për t'u çliruar nga ato barriera që "nuk mbrojnë, por ndajnë", ftohet të mos mjaftohet me arnime e përforcime të përkohshme, por të hapë hapësira të vërteta bashkimi dhe harmonie.

Në realitetin e sotëm, ku bashkëjetojnë ndarjet e thella dhe etja për bashkim, dy simbole ndërthuren mrekullisht: dhurata tradicionale e Papëve në shenjtëroret mariane – një lule e artë – dhe historia plot trazime e Virgjërës së Almudenës. Përpara saj, sot pasdite, më 8 qershor, Papa Leoni XIV u lut në Katedralen e Madridit, në zemër të ditës së tretë të vizitës së tij apostolike në Spanjë

Në vijim fjala e Papës Leoni XIV në Katedralen e Shën Marisë Mbretëreshë, në Madrid 

Falënderoj Shkëlqesinë e Tij, kryeipeshkvin e Madridit, për fjalët e mira.

Ju përshëndes me dashuri të gjithëve ju, vëllezër dhe motra që, me gëzim dhe zell, bashkoheni me ne sot për t'i paraqitur nderimet tona Zojës sonë të Almudenës, Nënës dhe Pajtores Qiellore së kësaj kryedioqeze.

Gjatë kësaj lutjeje, do të vendos te këmbët e saj trëndafilin e artë, simbol i dashurisë birnore të Papës për Virgjërën Mari.

Shumë breza banorësh të Madridit përgjatë shekujve e kanë nderuar këtë shtatore të Fort së Shenjtës Mari, e cila mban Birin e saj hyjnor në krahë dhe na e ofron atë neve. Tradita thotë se, në kohë të vështira për të krishterët, për të mbrojtur këtë shtatore të Virgjërës Mari, ajo u pat fshehur në një të çarë në muret e kështjellës, ku mbeti e fshehur për një kohë të gjatë, derisa, pas muri u shemb si për mrekulli, u gjet e paprekur.

Ky përkushtim i lashtë marian, që ju të gjithë e ndjeni kaq thellë, është shenjë e rrënjëve të krishtera që ju karakterizojnë dhe ju japin jetë, por edhe e shpresës së madhe që vazhdon t'ju frymëzojë në udhëtimin tuaj. Ishte falë një muri që u rrënua papritmas që ndodhi takimi i ri i Nënës me popullin e saj. Kjo ngjarje është shenjë e Provanisë Hyjnore, sepse tregon rrugën që Jezusi, nëpërmjet Nënës së tij të Shenjtë, na fton të ndjekim. Në fillim, një mur që rrëzohet shkakton zhurmë, kaos dhe çrregullim, por gjithashtu hap hapësira, rikthen mundësi dhe na nxit të kthehemi në fe. Në shoqëritë tona të sotme, ende ekzistojnë shumë mure që nuk mbrojnë, por ndajnë, largojnë dhe i izolojnë njerëzit. Ndonjëherë, duke menduar se shembja e tyre do të thotë të përballemi me atë që nuk na pëlqen, ne parapëlqejmë t’i mbajmë në këmbë me shtanga, dhe më shpesh akoma, na pëlqen t’i anashkalojmë.

Megjithatë, Zoja e Almudenës, me praninë dhe mbrojtjen e saj të sigurt, na tregon diçka tjetër: për të ndërtuar diçka të re, të bukur dhe të qëndrueshme, duhet të jemi të gatshëm të shembim mure, sepse për të filluar udhëtimin nga e para, na duhen hapësira që na lejojnë të shohim horizontin. Meqenëse jemi të bindur se Zoti ecën me Popullin e tij të shenjtë, se e dëgjon frikën e tyre dhe i mirëpret me dashamirësi të gjitha përpjekjet e tyre për të mirën, ju bëj thirrje të mos lëkundeni në dëshminë tuaj të besimit, të kundroni planin e dashurisë të Atit. Ju bëj thirrje të mos ju mungojë dashuria, të bashkoheni si një familje e vetme vëllezërish dhe motrash dhe të mos e humbni shpresën, të mbështesni njëri-tjetrin në punën tuaj.

Lutem që, nëpërmjet shembullit dhe ndërmjetësimit të Zojës së Almudenës, Virgjërës që tha lutjen «Magnificat», e cila vazhdon të shpallë madhështinë e Zotit dhe të gëzohet në Hyjin Shpëtimtarin e tij, Ai Vetë ta ruajë dhe ta forcojë dashurinë tuaj për Jezusin dhe për Kishën, në mënyrë që të jeni ndërtues të lidhjeve që rivendosin gjuhën universale të bashkimit, dashurisë vëllazërore dhe të harmonisë.

Duke i bërë të miat disa fjalë nga himni kushtuar asaj, po ju porosis ndihmës së fuqishme të dashurisë së saj amnore:

O Shenjtja Mari e Almudenës,

Virgjër dhe Nënë e Shëlbuesit,

Mbretëreshë e Qiellit, Nënë e Dashurisë,

nën mantelin tënd, Virgjër e përulur,

fëmijët e tu kërkojnë mbrojtje.

Nënë e dashur, Tempull i Zotit,

na mbro, o Zojë, dhe na ndihmo të jemi

ndërtues të paqes dhe të pajtimit.

Amen.

08 qershor 2026, 15:16