Papa Leoni: 'asnjë situatë nuk mund ta bëjë Zotin ta largojë vështrimin e Tij nga ne'

Gjatë vizitës së tij në qendrën e burgimit «Brians 1», Papa Leoni XIV u kujton të burgosurve se gabimet e jetës nuk përcaktojnë identitetin e individit, duke theksuar se Zoti nuk do të reshtë kurrë së treguari atyre dashurinë e Tij, e cila tejkalon çdo të mirë apo të keqe që kemi bërë.

R.Sh. / Vatikan

"Secilit prej jush i them: Zoti ju do ashtu siç jeni, por Ai ëndërron që ju të jeni edhe më të mirë! Zoti na lejon të gjithëve të fillojmë nga e para, sepse të jesh njeri dhe të jesh i krishterë nuk do të thotë të mos bësh kurrë gabime, por përkundrazi të rritesh në aftësinë për t'u kthyer në fé, për t'u penduar, për të ndrequr gabimet dhe, mbi të gjitha, për t'u pajtuar dhe për të falur."

Papa Leoni XIV i përmendi këto të vërteta të fuqishme të mërkurën në mëngjes në burgun «Brians 1» gjatë Udhëtimit të tij Apostolik në Spanjë, duke thënë se kjo është një e vërtetë ngushëlluese që na shoqëron në çdo kohë.

Për më tepër, Papa theksoi se kjo na kujton se si dashuria e Tij e mëshirshme e tejkalon gjithmonë atë që kemi bërë, të mirë apo të keqe.

"Çdo qenie njerëzore," këmbënguli Ati i Shenjtë, "është 'e denjë' vetëm për faktin se është krijuar dhe dashur nga Zoti që të ekzistojë që në fillim të krijimit. Prandaj, nuk ka asnjë gjendje që e bën Zotin ta largojë vështrimin e Tij nga ne."

Ngrini sytë drejt Atij që ju do gjithmonë

Papa tha se kjo është veçanërisht e vërtetë për ata që gjenden larg të dashurve të vet dhe që vuajnë për shkak të rrethanave të jetës.

"Kur tundoheni të ndiheni të padenjë dhe mendoni se nuk ia vlen të vazhdoni," tha Papa Leoni, "ngrini sytë drejt Atij që, nëpërmjet pranisë së kaq shumë njerëzve, nuk pushon kurrë së treguari dashurinë dhe afërsinë e Tij."

Mos lejoni që ankthi dhe trishtimi t'ju rrëzojnë përtokë

Në vijim Papa pranoi se edhe nëse ankthi dhe trishtimi shënojnë çaste të caktuara të udhëtimit tuaj, mbani mend se gabimet e jetës nuk e përcaktojnë identitetin e një personi.

Ai kujtoi se Shën Augustini, në veprën e tij «Rrëfimet», flet për këtë temë, sesi Zoti udhëton gjatë jetës me ne.

"Nëse i besojmë hirit hyjnor dhe e lëmë veten të udhëhiqemi dhe të shndërrohemi prej tij, zbulojmë se si e kaluara në jetën tonë nuk e dënon të ardhmen, por përkundrazi, siç thoshte ky Shenjt i madh, na jep mundësinë për të ndryshuar vendimet dhe zgjedhjet tona."

Kështu, Papa Leoni i ftoi të burgosurit t’i bënin vend Zotit në zemrat e tyre dhe të kërkonin Fytyrën e Tij.

"Le ta lejojmë dashurinë e Tij të na udhëheqë. Le të kapemi pas Tij, i cili na fton vazhdimisht të shpresojmë", tha ai.

Sepse Ai, siguroi Papa, na tregon një horizont të mrekullueshëm që asnjë pengesë fizike nuk mund të na pengojë ta arrijmë.

Sot, vuri në dukje Ati i Shenjtë, Zoti vazhdon të na flasë në thellësitë e ndërgjegjes sonë, duke na ndihmuar të zbulojmë se Ai banon në mesin tonë.

Ai pret që ne t'i japim një mundësi

Ai pret vetëm që ne t'i japim një mundësi, nënvizoi më tej Papa.

"Ju ftoj të vazhdoni të ëndërroni ëndrrën e Zotit dhe ta lejoni Atë të na krijojë nga e para."

Me këto fjalë ngushëlluese, Papa Leoni përfundoi fjalën e vet duke ia besuar të burgosurit ndërmjetësimit amnor të Zojës sonë të Mëshirës dhe duke dhënë bekimin e tij Apostolik.

10 qershor 2026, 12:55