Kërko

Papa: Kisha t’u japë zë atyre që nuk dëgjohen dhe të mbrojë dinjitetin e çdo njeriu

Kisha, e ushqyer me Eukaristinë, është e thirrur të bëjë të dukshme një tjetër masë, duke ruajtur lidhjet, duke u rikthyer zërin të padukshmëve dhe duke i orientuar proceset drejt dinjitetit të njerëzve

R.SH. – Vatikan

"Ndërsa rrjetet e reja ekonomike dhe teknologjike mund të gjenerojnë përjashtim, izolim dhe varësi, Kisha, e ushqyer me Eukaristinë, është e thirrur të bëjë të dukshme një tjetër masë, duke ruajtur lidhjet, duke u rikthyer zërin të padukshmëve dhe duke i orientuar proceset drejt dinjitetit të njerëzve". Kështu shkruan Papa Leoni XIV në platformën sociale X, me një postim të publikuar në ditën e solemnitetit të Korpit të Krishtit (Corpus Domini).

Me Jezusin kemi gjithçka që na duhet për t'i dhënë kuptim jetës sonë

"Me Jezusin kemi gjithçka që na duhet për t'i dhënë forcë dhe kuptim jetës sonë." Këtë e theksoi Papa në homelinë e Meshës së kremtuar në Lateran për festën e Korpit të Krishtit (Corpus Domini) më 22 qershor 2025 .

"Natyra jonë e uritur," tha atëherë Papa Leoni, "mbart shenjën e një varfërie që ngopet nga hiri i Eukaristisë. Siç shkruan Shën Augustini, Krishti është vërtet një bukë që ushqen dhe nuk mbaron; një bukë që mund të hahet, por nuk mund të shterojë. Eukaristia, në fakt, është prania e vërtetë, reale dhe thelbësore e Shpëtimtarit Jezu Krisht, i cili e shndërron bukën në veten e Tij, për të na shndërruar ne në Të. I gjallë dhe jetëdhënës, Korpi Krishtit na bën ne, pra vetë Kishën, pjesë të trupit të Zotit".

Krishti, përgjigjja e Zotit - njeriut

Krishti është përgjigjja që i jep Zoti urisë së njeriut, sepse korpi i tij është buka e jetës së amshuar: merreni e hajeni të gjithë! Ftesa e Jezusit rrok përvojën tonë të përditshme: për të jetuar, duhet të ushqehemi me jetë, duke e marrë atë nga bimët dhe kafshët - kujtoi Papa, që vijoi të shpjegonte: “Megjithatë, të hash diçka të vdekur na kujton se edhe ne, pavarësisht sa hamë, do të vdesim”: “Po kur ushqehemi me Jezusin, bukën e gjallë dhe të vërtetë, jetojmë për Të”.

Duke dhuruar gjithë vetveten, Krishti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur na dorëzohet ne, që kështu zbulojmë se jemi krijuar për t'u ushqyer me Zotin. Natyra jonë e uritur ka shenjën e një varfërie që ngopet nga hiri i Eukaristisë. Siç shkruan Shën Augustini, Krishti është vërtet "panis qui reficit, et non deficit; panis qui sumi potest, consumi non potest" (Sermo 130, 2): bukë që ushqen e nuk mbaron; bukë që mund të hahet, por nuk mund të mbarojë.

04 qershor 2026, 16:14