Kërko

Leoni XIV kryeson Meshën mortore për Kardinalin Camillo Ruini, në Altarin e Katedrës në Bazilikën e Shën Pjetrit. Leoni XIV kryeson Meshën mortore për Kardinalin Camillo Ruini, në Altarin e Katedrës në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Papa: Kardinali Ruini, një bari i përulur që shërbeu me përgjegjësi të lartë

Në altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, Leoni XIV udhëhoqi Meshën e dritës (funeralin) për kardinalin Ruini, presidentin e nderit të Konferencës Episkopale Italiane (CEI), i cili ndërroi jetë të martën e kaluar në moshën 95-vjeçare. Gjatë homelisë, Papa kujtoi moton e episkopatit të tij “E vërteta do të na bëjë të lirë”: njeriu është krijuar për të mirën, me gjithë “vizionet tërësisht fluide të realitetit”.

Vatican News

“Si moto të shërbimit të tij ipeshkvnor”, kardinal Camillo Ruini “kishte zgjedhur një frazë të frymëzuar nga Ungjilli i Shën Gjonit: Veritas liberabit nos – E vërteta do t’ju bëjë të lirë”, fjalë që “përmbledhin botëkuptimin e thellë të personit që mëson Kisha” dhe që “kujtojnë qartë një mesazh veçanërisht domethënës për kohën tonë, në të cilën mund të çorientohemi nga prirje relativiste dhe nga vizione krejtësisht të lëngshme të realitetit dhe të njeriut”.

Kështu u shpreh Papa Leoni XIV në homelinë gjatë kremtimit të Meshës së Dritës në funeralin e kardinalit Camillo Ruini, ish-Vikar i dioqezës së Romës dhe ish-president i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI), i cili u nda nga jeta të martën në mbrëmje në moshën 95-vjeçare.

Leoni XIV kujtoi gjithashtu se kard. Ruini la gjurmë të thella në Kishë dhe në shoqërinë italiane me nisma si “Projekti Kulturor”, si edhe theksoi afërsinë dhe besnikërinë e tij ndaj Gjon Palit II. “Si një prani aktive dhe dialoguese edhe me botën laike – kujtoi Papa Prevost – Kisha italiane i detyrohet atij jashtëzakonisht shumë”.

Me Ungjillin e hapur mbi një arkivol të thjeshtë prej druri, me 34 kardinalë bashkëkremtues dhe me praninë e përfaqësuesve të institucioneve të shtetit italian, si Alfredo Mantovano, ministrja Eugenia Roccella, ish-kryeministri Romano Prodi dhe ish-kryetari i Dhomës së Deputetëve Pier Ferdinando Casini, funeralet e Ruinit u zhvilluan me solemnitetin e pritur.

Ndër kardinalët e pranishëm pranë altarit të Katedrës në Bazilikën e Vatikanit ishin kard. Matteo Zuppi, presidenti aktual i CEI-t dhe kryeipeshkvi i Bolonjës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Vikari i Romës kard. Baldo Reina dhe pasardhësi i Ruinit në krye të CEI-t, kardinali Angelo Bagnasco. Një prani e natyrshme, por që shkonte përtej ceremonialit.

“Kardinali Camillo Ruini, bari i urtë dhe i kujdesshëm i grigjës së Krishtit”, “për shumë vite i shërbeu Kishës duke kryer me të njëjtin përkushtim si detyrat më të thjeshta, ashtu edhe ato me përgjegjësi më të mëdha”, kujtoi Papa Prevost, duke theksuar se “Kisha në Itali i detyrohet jashtëzakonisht shumë, pasi kard. Ruini e shërbeu për rreth shtatëmbëdhjetë vjet si president i Konferencës Ipeshkvnore; po ashtu edhe dioqeza e Romës, ku për të njëjtën periudhë ushtroi shërbimin e Vikarit”.

“Ai diti të udhëheqë popullin e Zotit dhe vëllezërit në episkopat – vazhdoi Papa Prevost – në momente të rëndësishme dhe delikate, duke përballuar me entuziazëm, urtësi dalluese dhe guxim sfida të shumta. Atij i detyrohen intuita dhe nisma që kanë lënë një gjurmë të thellë në rrugëtimin e bashkësisë kishtare, por edhe të asaj civile në Itali. Mendojmë për ‘Projektin Kulturor’, për angazhimin e tij në promovimin e kontributit të botës katolike në fusha të ndryshme të jetës fetare, civile dhe politike italiane; për punën e madhe të Sinodit dioqezan dhe zbatimin e tij këtu në Romë; për praninë e tij aktive dhe dialoguese në nivele të ndryshme të jetës së Kishës, si edhe në botën laike dhe në shoqëri”.

Papa Leoni përfundoi liturgjinë e Fjalës duke kujtuar edhe ata që e ndihmuan kardinal Ruinin në momentet e fundit të jetës. Që prej 21 majit, kardinali Ruini ndodhej në gjendje kritike në banesën e tij në Romë dhe ndihmohej edhe me oksigjen, nën kujdesin e motrave rregulltare besnike që nuk e lanë kurrë vetëm gjatë viteve të fundit.

Gjatë Meshës, e animuar nga Schola Cantorum e Shën Pjetrit, në momentin e lutjes së besimtarëve, asambleja u lut për kardinalin Ruini, duke kërkuar që ai të mund të "bashkohet me Atë që e deshi dhe që e ndoqi në shërbimin e tij ndaj Kishës" dhe që dioqeza e Romës, të cilës kardinali i shërbeu për shumë vite, të mund "ta ruajë kujtimin e tij". Papa Leoni XIV kryesoi ritin e bekimit  “Ultima Commendatio” dhe atë të “Valedictio”.

18 qershor 2026, 19:14