Kardinali  Camillo Ruini (1931-2026) Kardinali Camillo Ruini (1931-2026)

Papa: Kard. Ruini, vëlla me fe të thellë, inteligjencë të mprehtë dhe shikim largpamës

Në një telegram drejtuar Vikarit për Dioqezën e Romës, Kardinalit Reina, me rastin e vdekjes dje, në moshën 95 vjeç të Vikarit të Nderit dhe ish-Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI), Papa Leoni XIV e kujton si "vëlla ekspert e të mençur", që i shërbeu "Ungjillit dhe Kishës me përkushtim e vetëmohim". Thekson edhe punën e tij "për dialogun e frytshëm me botën e kulturës". Papa do ta kremtojë funeralin nesër, 18 qershor, në orën 16:30 në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Vatican News

Kardinali Camillo Ruini, i cili ndërroi jetë dje në moshën 95 vjeç, ishte "vëlla ekspert e i mençur, i forcuar në fenë e thellë, inteligjencën e mprehtë dhe largpamësinë! I shërbeu Ungjillit dhe Kishës me kujdes e vetëmohim". Kështu e kujton Papa Leoni XIV ish-presidentin e Konferencës Ipeshkvnore Italiane dhe Vikarin e përgjithshëm të nderit për Dioqezën e Romës, në një telegram dërguar sot paradite, më 17 qershor, Kardinalit Baldassare Reina, vikar i përgjithshëm për Dioqezën e Romës.

Shërbim i filluar në Dioqezën e Reggio Emilia-Guastalla

Lajmi për vdekjen e kardinalit emilian, shkroi Papa, "zgjon në shpirtin tim ndjenja dhembshurie të thellë, së bashku me mirënjohjen ndaj Zotit për dhuratën e këtij njeriu të nderuar të Kishës", i cili e jetoi me bujari shërbesën e tij, fillimisht në Dioqezën e Reggio Emilia-Guastalla, ku shërbeu edhe si ipeshkëv-ndihmës, dhe më pas, "në pjesën tjetër të jetës së tij të gjatë", në dobi të Dioqezës së Romës dhe të Kishës italiane.

Angazhim për një dialog të frytshëm me botën e kulturës

Në mesazhin e tij, Leoni XIV i shpreh Kardinalit Reina afërsinë dhe ngushëllimet e "Këshillit Ipeshkvnor, familjes së tij, presbiteratit romak dhe të gjithë besimtarëve". Kujton edhe "punën e frytshme të Kardinalit Ruini për Konferencën Ipeshkvnore Italiane dhe për dialogun e frytshëm me botën e kulturës". Së fundi, Papa i kërkon Zotit, me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, ta mirëpresë në Jerusalemin qiellor. E u jep me gjithë zemër bekimin e tij apostolik "atyre që vajtojnë ndarjen e tij nga jeta, me një mendim mirënjohës për ata që u kujdesën me kaq dashuri për të".

Funerali i Kardinalit Ruini do të kremtohet nga Papa Leoni të enjten, më 18 qershor, në orën 16:30, në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Shën Pjetrit.

17 qershor 2026, 21:02