Papa ka mbërritur në Madrid, pritet nga sovranët dhe Sanchez

Në ditën e parë, ndalesë e Papës në projektin social Cedia 24 Horas dhe takimi në mbrëmje me të rinjtë. Vizita zhvillohet në një moment të rëndësishëm për vendin dhe për Kishën Katolike, duke vënë në qendër tema si paqja, dialogu, trashëgimia shpirtërore dhe drama e migracionit. Udhëtimi apostolik i Papës në Spanjë (6-12 qershor 2026) ndodh në zemër të sfidave më të mëdha që po kalon sot kontinenti evropian.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV nisi udhëtimin e tij të 4-t Apostolik në Spanjë sot në orën 8:13 me orën e Romës, kur avioni i ITA Airways A320 fluturoi nga aeroporti ndërkombëtar “Leonardo da Vinci” i Romës-Fiumicino, që e solli Atin e Shenjtë dhe shoqëruesit papnorë drejt Spanjës. Pas dy orë e gjysmë fluturimi Papa Leoni XIV ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të Madridit.

Për të pritur Atin e Shenjtë, rrëzë shkallëve të avionit papnor, ishin Mbreti i Spanjës Felipe VI, Mbretëresha Letizia dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez. Pas përfundimit të ceremonisë së mirëseardhjes, Leoni XIV do të shkojë së bashku me Mbretin dhe Mbretëreshën në Sallonin e Nderit, për një takim të shkurtër privat. Sapo të përfundojë takimi, Papa do të niset drejt Pallatit Mbretëror, ku në orën 12:30 do të mbajë fjalimin përpara autoriteteve politike dhe fetare, sipërmarrësve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe kulturës. Pas etapës së tij të parë në Madrid, Papa Leoni XIV do të zhvendoset në Barcelonë dhe, më pas, në Ishujt Kanarie.

Leoni në Madrid, takim me Felipe VI dhe vigjilje me të rinjtë

Programi i ditës së parë të vizitës së Papës në Spanjë, pas pritjes zyrtare nga autoritetet spanjolle në aeroportin ndërkombëtar "Adolfo Suarez Madrid-Barajas", vijon me ceremoninë e mirëseardhjes në Pallatin Mbretëror të Madridit.

Këtu, në orën 11:30, Papa do të hyjë në Plaza de la Armeria të Pallatit Mbretëror, i shoqëruar nga Garda Mbretërore, ku me të mbërritur do të pritet nga sovranët, si dhe nga princesha e Asturias, Leonor, dhe vajza e mbretit Sofia në tribunë. Pas himneve kombëtare të Qytetit të Vatikanit dhe të Spanjës, dhe përshëndetjes tradicionale me 21 të shtëna topi, Leoni XIV dhe Felipe VI do të parakalojnë para gardës së nderit.

Pas audiencës në vizitën e kortezisë me mbretërit e Spanjës, Leoni XIV do të marrë pjesë në një takim me autoritetet e vendit, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe anëtarët e trupit diplomatik.

Më pas, Leoni XIV do të zhvendoset në Nunciaturën Apostolike në Madrid, rezidenca e tij gjatë qëndrimit në kryeqytet deri më 9 qershor. Papa do të kryejë rrugëtimin e parë me papamobil nëpër rrugët e kryeqytetit të Spanjës.

Pasdite, në orën 17:50, Leoni do të shkojë në Qendrën e Informimit dhe Mirëpritjes për të vizituar punonjësit dhe personat që asistohen nga projekti social 'Cedia 24 Horas', një realitet i angazhuar në mbështetjen e njerëzve në kushte vulnerabiliteti (të pambrojtur).

Dita do të përmbyllet në mbrëmje me një vigjilje lutjeje së bashku me të rinjtë në Plaza de Lima, një nga ngjarjet qendrore të vizitës baritore në kryeqytetin spanjoll, "e konceptuar si një festival i fesë me një përmasë të fortë mariane" – bëjnë të ditur organizatorët – me lutjen e Rruzares dhe praninë e Virgjërës së Almudenës, e cila do të kulmojë me fjalën e Papës dhe me një moment adhurimi Eukaristik.

06 qershor 2026, 10:35