Kërko

Papa Leoni XIV gjatë audiencës me Shoqatën e Universiteteve Katolike të SHBA-së. Papa Leoni XIV gjatë audiencës me Shoqatën e Universiteteve Katolike të SHBA-së.

Papa: Inteligjenca artificiale është sfidë për arsimin. Të shmanget "copëzimi" i njohurive

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të Shoqatës së Kolegjeve dhe Universiteteve Katolike, Papa Leoni XIV theksoi se zhvillimi i teknologjive të reja e bën më të vështirë vlerësimin e përgatitjes akademike të studentëve. Mësidhënësit duhet t'i mbështesin studentët duke i përshtatur në mënyrë krijuese metodat e tyre për të siguruar formimin e gjithanshëm individit.

R. SH. / Vatikan

Pasojat e zhvillimit të inteligjencës artificiale tani ndikojnë pothuajse çdo aspekt të jetës njerëzore. Duke iu drejtuar delegacionit nga Shoqata e Kolegjeve dhe e Universiteteve Katolike, Papa Leoni XIV u përqendrua te sektori i arsimit, duke paralajmëruar kundër "copëzimit" gjithnjë në rritje të njohurive: rrezikut të fitimit të aftësive të specializuara në një fushë të caktuar pa qenë në gjendje ta lidhësh atë informacion me njohuri më të thella ose të ruash një qëllim të qartë. Këto janë fjalë nga enciklika e tij e parë, «Magnifica Humanitas», që u përmend gjatë audiencës së dhënë delegacionit të organizatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kishte ardhur në Romë për një seminar, këtë mëngjes, 3 qershor, në Sallën e vogël të Sallës Paul VI në Vatikan. "Drita shkëlqen nga brenda sot!" u shpreh Papa, duke i uruar mirëseardhje të pranishmëve "në këtë mëngjes të errët dhe me shi romak".

Duke pasur parasysh përkushtimin tuaj ndaj detyrës së edukimit, lutem që zemrat tuaja të jenë gjithnjë e më të magjepsura nga bukuria e së vërtetës dhe madhështia e njerëzimit, e krijuar nga Zoti dhe e shëlbuar nga Krishti.

Mungesa e një vizioni të përgjithshëm të realitetit

Duke cituar enciklikën në fjalë, Papa Leoni XIV vëren se, ndonëse nuk ka mungesë njerëzish mjaft kompetentë në fusha specifike, prapseprap shumë prej tyre "luftojnë për t'i dhënë drejtim jetës së tyre" dhe për të ruajtur "horizontin e kuptimit të jetës".

Atyre shpesh u mungon një vizion i përgjithshëm i realitetit, i aftë të bashkojë jo vetëm fushat e ndryshme të dijes, por edhe shumë aspekte të jetës dhe dëshirat më të thella të zemrës njerëzore.

Ngulitja tek studentët e një pasioni për të vërtetën

Në këtë kontekst, edukimi katolik luan një rol thelbësor në formimin e perspektivave të karrierës të të rinjve dhe udhëheq dëshirën e tyre për dije. Qëllimi, shpjegon Papa, është t'i ndihmojë ata "të mësojnë të kërkojnë dhe ta duan të vërtetën, mos të vënë në pikëpyetje kuptimin e jetës dhe dinjitetin e çdo personi". Kjo nuk është një detyrë e thjeshtë, pohoi Leoni XIV, pasi kërkimi i së vërtetës kërkon jo vetëm studim dhe udhëzim, por edhe një angazhim të fortë personal.

Nëse arsimi katolik nuk ngjall tek studentët një pasion të njëmendtë për të vërtetën – dhe jo vetëm për të vërtetën intelektuale, por edhe për të Vërtetën që është vetë Krishti – vështirë se mund të presim që njerëzit të jenë të gatshëm të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të njohur të vërtetën dhe për ta përshtatur jetën e tyre sipas rrethanave.

Të përçohet  "Ungjilli i Gjallë"

Duke cituar gjithashtu Letrën Apostolike "Vizatojmë harta të reja shprese", Papa kujton se institucionet katolike duhet të jenë mjedise në të cilat vizioni i krishterë përshkon çdo disiplinë dhe çdo bashkëveprim. Ky mision ushqehet nga vërtetësia me të cilën përçohet "Ungjilli i Gjallë", duke ofruar nëpërmjet besimit katolik "vizionin bashkues që vetëm e Vërteta mund të ofrojë".

Investimi në edukimin e brezave të rinj

Në nivel praktik dhe pedagogjik, Papa Leoni XIV më pas theksoi vështirësitë në rritje për vlerësimin e punës së studentëve, për shkak të përhapjes së inteligjencës artificiale. Këto fjalë u pritën me të qeshura dashamirëse nga të pranishmit dhe nga Papa, i cili vetë ka përvojë si mësues. Ai i fton edukatorët që t’i përshtatin në mënyrë “krijuese” metodat e tyre të mësimdhënies për të siguruar një formim vërtet të gjithanshëm të personit.

Në këtë kuptim, ne duhet të jemi të gatshëm të investojmë bujarisht në edukimin e brezave të ardhshëm. Është thelbësore që të rinjtë dhe të rejat të mësojnë të lidhen mirë me teknologjitë e reja, ndërkohë që zhvillojnë talentet dhe aftësitë e tyre. Aftësi e dhënë nga Zoti për të arsyetuar, për të menduar në mënyrë kritike dhe për të mbajtur mend njohuritë, duke i përgatitur kështu ata për të formuar me përgjegjësi botën që do të vijë.

“Doktrinë e shëndoshë” për një të ardhme të ndritur

Papa Leoni XIV e përfundoi fjalimin e tij me shpresën se studentët në institucionet që i përkasin Shoqatës së Kolegjeve dhe Universiteteve Katolike mund të gjejnë atë “doktrinë të shëndoshë” të besuar Kishës si themel i vërtetë dhe i qëndrueshëm jo vetëm për jetën e tyre personale, por edhe për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

03 qershor 2026, 11:51