Kërko

Papa: dukuria e migrimit është e ndërlikuar. Kisha të jetë e hapur ndaj sfidave

Duke nderuar reliken e Shën Francesca Xavier Cabrini-t në Bazilikën kushtuar kësaj në Sant'Angelo Lodigiano, Leoni XIV thekson aktualitetin e mesazhit të shenjtores, pajtore e migrantëve, e cila shkoi gjithkund, nga lagjet e varfra deri te burgjet. Papa i nxit të rinjtë të mësojnë rreth idealeve të shenjtes së parë të Shteteve të Bashkuara, duke cituar fjalët e saj: "Asnjë tokë nuk është larg, askush nuk është aq shumë i plagosur sa të mos shërohet nga dashuria e Zemrës së Jezusit"

Vatican News

"Jo në Lindje, por në Perëndim". Braktisja e një ëndrre për të ndjekur një tjetër, sepse "asnjë tokë nuk është shumë larg" dhe "askush nuk është aq shumë i plagosur" sa të mos preket nga dashuria e Zemrës së Jezusit. Hallet që shëroi Shën Francesca Xavier Cabrini ishin ato të shumë migrantëve që kërkonin fatin e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atë "Perëndim" që Papa Leoni XIII i kishte thënë kësaj murgeshe italiane ta shëronte. Ishte ky një angazhim që ajo e çoi përpara duke ndërthurur lutjen dhe veprimin, deri kur kaloi në amëshim në Çikago, qytetin ku ka lindur Leoni XIV.

Kur mësova se Sant'Angelo Lodigiano është vetëm pak kilometra larg Pavias, mendova ta shfrytëzoja rastin... Dhe ja ku jam.

Kështu u mbyll ky shtegtim i Papës, i cili sot, më 20 qershor, u ul në adhurim të Shenjtnueshmit Sakrament dhe relikes së zemrës së Shën Cabrini-t në Bazilikën kushtuar kësaj dhe Shën Andout abat, në Sant'Angelo Lodigiano. Pikërisht këtu, përfundoi vizita baritore e Leonit XIV i cili më parë u ndal edhe në Pavia.

Thirrje për t’u shërbyer emigrantëve

Papa bën një krahasim ndërmjet dashurisë së treguar nga Kisha lokale për ipeshkvin e Romës dhe asaj të bashkëqytetares së saj, Shën Francesca Cabrinit, e cila, kur u vu para zgjedhjes se cilën "rrugë" do të ndiqte për misionin e rregullit të saj – Kongregacionit të Misionarëve të Zemrës së Shenjtë të Jezusit – kërkoi që Papa i atëhershëm, Leoni XIII, ta udhëhiqte. Nga këtu, falë edhe sugjerimit të ipeshkvit të Piacenzës, Shën Gjon Pagëzorit Skalabrini, lindi shërbimi i murgeshës për mijëra emigrantë italianë në Amerikë dhe ajo e la mënjanë ëndrrën e saj për të shkuar në Kinë, sipas shembullit të Shën Françesk Ksavierit.

Por, të dashur motra dhe vëllezër, nëse shikojmë botën e sotme, çfarë mund të themi? Ajo "shenjë", pra dukuria e migrimit, ka hyrë në një fazë të ndryshme, sigurisht më të ndërlikuar, por jo më pak e dobët për të sfiduar Kishën.

Dashuria, forca lëvizëse e jetës

Papa Leoni pyet veten se çfarë do të kishte kërkuar nga shenjtorja Papa Françesku, bir i emigrantëve italianë, i cili e shndërroi shërbimin e tij për emigrantët në një aspekt kyç të papnisë së vet. Në enciklikën e tij të tretë, «Dilexit nos», ai i kushtoi hapësirë ​​të bollshme "dashurisë njerëzore dhe hyjnore të Zemrës së Krishtit", atij "misteri të bamirësisë së pafundme" që ishte "forca lëvizëse" e vërtetë e jetës së Shën Francesca Cabrinit, "të gjithçkaje që ajo arriti dhe të mënyrës se si e arriti atë".

Rëndësia e përkushtimit ndaj Zemrës së Krishtit është veçanërisht e dukshme në veprën ungjillëzuese dhe edukative të kongregacioneve të shumta rregulltare, të cilat karakterizohen nga kjo përvojë shpirtërore kristologjike që nga zanafilla e tyre.

"Asnjë tokë nuk do të jetë shumë larg".

Vetë Leoni XIV, duke trashëguar dhe duke çuar përpara mësimin e Papa Françeskut me këshillën apostolike «Dilexi te» mbi dashurinë për të varfrit, përmend, përkrah Shën Giovanni Battista Skalabrinit, edhe Shën Francesca Cabrinin, kur flet për bamirësinë si "shoqëruese të emigrantëve".

Zemra e saj amnore, që nuk gjente paqe i ngushëllonte emigrantët kudo: në lagjet e varfra, në burgje, në miniera. Ajo vetë shkruante: "Asnjë detyrë nuk do të jetë shumë e vështirë, asnjë tokë shumë e largët, askush nuk është aq i plagosur sa mos të shërohet nga dashuria e Zemrës së Jezusit dhe nga të gjithë ata që janë ftuar të jenë bartës të dashurisë së Krishtit në botë".

Dhe pikërisht para relikes së sjellë, posaçërisht për këtë rast, nga Shtëpia e Nënës së Kongregatës, në Codogno, duke përshëndetur me dashuri bijat e tij shpirtërore të pranishme, Papa pohoi rishtas rëndësinë e "karizmës misionare" të vënë në shërbim të emigrantëve.

Një thirrje për të rinjtë

Duke filluar nga rregulltaret e deri tek të rinjtë, Papa i nxit të gjithë të njihen me Shën Francesca Cabrinit, të mrekullohen nga shkrimet dhe historia e jetës së saj, që përmblidhen te motoja e Shën Palit të cilën ka zgjedhur rregulli i themeluar prej saj: "Unë mund të bëj gjithçka në Atë që më forcon".

Me shembullin dhe ndërmjetësimin e saj, Shën Cabrini ju ndihmoftë të jeni të dashuruar me Krishtin, dëshmitarë të Ungjillit të tij me një shpirt të zellshëm dhe bujar, në shërbim të më të varfërve. Ju ndihmoftë të përjetoni sinodalitetin, duke ecur bashkë dhe duke u përpjekur për shenjtëri, sipas larmisë së dhuntive dhe shërbimeve tuaja.

20 qershor 2026, 17:13