Kërko

Papa: dinjiteti njeriut nuk ka pasaportë dhe nuk humbet vlerën kur kalon një kufi

Në Las Palmas de Gran Canaria, ndalesa e parafundit e udhëtimit të tij në Spanjë, Papa takoi emigrantët në portin e Arguineguín-it, vend simbol i zbarkimeve dramatike dhe i solidaritetit bujar. Leoni dënoi ashpër mafiet dhe trafikantët, duke bërë thirrje për “rrugë ligjore dhe të sigurta, shpëtim, mbrojtje të viktimave dhe procese serioze integrimi”, në emër të “dinjitetit njerëzor” i cili “nuk ka pasaportë”.

R.SH. – Vatikani

Sot në ditën e gjashtë të udhëtimit të tij apostolik në Spanjë, Papa mbërriti në mëngjes në Gran Canaria, ndalesa e tretë e vizitës së tij, e përqendruar në çështjen e migracionit. Papa Leoni XIV është Papa i parë që viziton arkipelagun spanjoll të Ishujve Kanarie, një nga pikat kryesore të mbërritjes së migrantëve që, duke rrezikuar jetën, përpiqen të arrijnë në Evropë.

I shoqëruar nga kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, Ati i Shenjtë u drejtua në portin e Arguineguínit, i njohur si “Porti i Turpit”, simbol i krizës migratore të vitit 2020. Aty ai u takua me migrantë dhe vullnetarë që angazhohen çdo ditë në pritjen dhe ndihmën e tyre. Më pas, Papa hodhi në det një kurorë me lule në kujtim të të gjithë atyre që kanë humbur jetën përgjatë rrugës atlantike të migracionit, e konsideruar një nga rrugët më të rrezikshme në botë për emigrantët që kërkojnë një jetë më të sigurt dhe më dinjitoze. Në portin e Arguineguín në Gran Canaria, sot më 11 qershor 2026, Papa u takua me organizatat dhe personat që merren me pritjen dhe ndihmën e migrantëve. Në fjalimin e tij, Leoni XIV theksoi se migrantët nuk janë numra apo statistika, por njerëz me dinjitet të patjetërsueshëm, të cilin askush nuk mund t’ua heqë.

Të dashur emigrantët: përpara se t'ju them çdo fjalë tjetër, dua të përkulem përpara dinjitetit tuaj. Ju nuk jeni numra, as dosje! Jeni njerëz me një familje dhe një shtëpi që e keni lënë pas shpine, me ëndrra që askush nuk ka të drejtë t'i përçmojë.”

Në portin e Arguineguín-it, Papa Leoni u ndal mbi të gjitha për të dëgjuar. Dëgjoi histori dhimbjeje, tragjedie, shpëtimesh në det, fillimesh të reja dhe bamirësie. Më pas mori fjalën dhe ngriti drejt qiellit – që shkrin kaltërsinë e tij me ujërat e kristalta të Atlantikut – një dënim të fuqishëm kundër mafieve dhe trafikantëve, duke i quajtur ata “monstra” që trazojnë detet. Papa ngriti zërin edhe kundër vetë shkaqeve që detyrojnë mijëra njerëz, të moshave dhe origjinave të ndryshme, të braktisin gjithçka e të hidhen mbi varka në mes të detit, pa pasur as sigurinë më të vogël nëse do të mbërrijnë të gjallë në anën tjetër.

Nuk mjafton vetëm të menaxhohen mbërritjet, të shpërndahen shifra, të përforcohen kufijtë apo të qajmë të vdekurit pasi tragjedia ka ndodhur. Çdo varkë që mbërrin nuk sjell me vete vetëm emigrantë; ajo sjell një pyetje: Çfarë bote kemi ndërtuar, nëse kaq shumë vëllezër e motra duhet të rrezikojnë vdekjen për të kërkuar jetën?”

Papa kujtoi se shumë njerëz mbërrijnë në Ishujt Kanarie pas udhëtimeve të rrezikshme nëpër shkretëtirë dhe det, duke ikur nga varfëria, lufta, dhuna dhe shfrytëzimi e paralajmëroi kundër rrjeteve kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat përfitojnë nga dëshpërimi i migrantëve, dhe dënoi indiferencën që lejon vuajtjet dhe vdekjet në det.

Duke iu referuar simbolikës biblike të detit si vend rreziku dhe kaosi, Papa theksoi se feja e krishterë nuk dorëzohet përballë së keqes, sepse Zoti është ai që sjell shpresë, liri dhe jetë e shtoi se Kisha nuk mund të heshtë përballë tragjedive që ndodhin në Mesdhe dhe Atlantik.

Papa falënderoi vullnetarët, Caritas-in, famullitë kishtare dhe të gjithë ata që ndihmojnë migrantët me shpëtim, strehim dhe mbështetje e nënvizoi se mëshira fillon me gjeste të vogla konkrete dhe se çdo person i ndihmuar duhet parë si pjesë e familjes sonë njerëzore.

Duke iu drejtuar veçanërisht grave viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit, Leoni XIV theksoi se askush nuk ka të drejtë të trajtojë një qenie njerëzore si mall. Papa u kujtoi atyre se janë bij dhe bija të Zotit, me vlerë të pafundme dhe me një të ardhme që nuk mund të përcaktohet nga vuajtjet e së kaluarës.

Migrantëve Papa u shprehu respekt për dinjitetin e tyre, por njëkohësisht i paralajmëroi të mos bien pre e trafikantëve dhe premtimeve të rreme për një jetë më të mirë. Leoni XIV kërkoi që drama e migracionit të bëhet një thirrje ndërgjegjeje për vendet e origjinës, vendet tranzite, Evropën dhe gjithë bashkësinë ndërkombëtare.

Papa deklaroi se nuk mjafton vetëm menaxhimi i mbërritjeve ose forcimi i kufijve. Sipas tij, nevojiten rrugë të sigurta dhe ligjore migrimi, mbrojtje e viktimave, bashkëpunim kundër trafikantëve dhe politika që u japin njerëzve mundësinë të jetojnë me dinjitet në vendet e tyre.

Në përfundim, Ati i Shenjtë Leoni XIV kujtoi se dinjiteti njerëzor nuk ka pasaportë dhe nuk humbet vlerën kur kalon një kufi. Nga këtu thirrja e Papës që shoqëria të mos mësohet me vdekjet e migrantëve dhe të mos lejojë që indiferenca të zëvendësojë humanizmin dhe mëshirën. Ati i Shenjtë iu lut Zojës së Karmelit të mbrojë migrantët, të ngushëllojë familjet e viktimave dhe të forcojë ata që punojnë për t’i ndihmuar.



11 qershor 2026, 10:42