Kërko

Të rinjtë përqafojnë Papën Leonin XIV, Barcelonë. Të rinjtë përqafojnë Papën Leonin XIV, Barcelonë.

Papa: bota krijon anestetikë për të mpirë ndërgjegjen, me Zotin jeta rilind gjithmonë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të tre të rinjve, në vigjiljen e lutjes në stadiumin «Lluís Companys» në Barcelonë, sonte, më 9 qershor, Leoni XIV na nxit të kultivojmë dëshirën për t’u zhytur në thellësinë e zemrës. Papa nxit t’i japim përparësi vuajtjes së padukshme të të rinjve, duke na kujtuar se falja duhet të kërkohet vazhdimisht. "Është një udhëtim i gjatë," pranon ai, "dhe ecet me hapa të vegjël". Çështja e vrasjes së grave e vajzave, një "realitet dramatik"që kërkon angazhimin e të gjithëve

R.SH. / Vatikan

Fjalët nganjëherë janë një barrë që duhet hedhur tutje. Dhe ta bësh këtë gjë do të thotë se ke ecur nëpër një shteg të vështirë, sepse edhe t’i quash gjërat me emrin që kanë do të thotë ta kesh parë egërsinë dhe dhimbjen që shkaktojnë. T’i thuash me zë të lartë është një hap më shumë sepse pikërisht atëherë, në atë çast emocional dhe para të gjithëve, ato fillojnë e treten para syve tanë. Në tri historitë që tre të rinj i rrëfyen publikisht Papës gjatë vigjiljes së lutjes në stadiumin olimpik «Lluís Companys» në Barcelonë, vërehet drita që Jezusi hedh mbi terrin. Ishin këto tri histori të dhimbshme që përlotën shumë nga të pranishmit. Jezusi – tha Papa – është "uji", që e shuan plotësisht etjen; është dora që i ndihmon ata që qëndrojnë gjysmë të vdekur në qoshe rrugësh.

Në kontakt me Jezusin, edhe ata që ndihen të humbur rifitojnë besimin te jetë, shërohen nga sëmundjet dhe mund të ringjallen për të jetuar.

Anestetikët

Tema që preku Papa, «uji», u kthye prap te historia e një të riu që ishte pagëzuar natën e Pashkëve. Ai i tregoi Papës se ka jetuar duke u përpjekur të arrijë qëllime të veçanta dhe të kujdeset për pamjen e jashtme në mënyrë që të mos të ndiejë "një boshllëk të madh". Një boshllëk i mbushur në jetën e tij nga takimi me Jezusin. Ai e pyet Ipeshkvin e Romës se si ta mbajë shikimin e tij të ngulur tek ajo gjë që ka vërtet rëndësi kur gjithçka është kundër tij. Si mund ta zbulojë dikush thirrjen e tij të vërtetë?

Papa ndalet në shqetësimin që ndiejmë, atë dëshirë për të vërtetën dhe lumturinë që kërkon një horizont më të gjerë. Është "një dhuratë nga Zoti" që na shtyn të kërkojmë, duke gërmuar thellë. Rekomandimi i Papës është të “kultivohet ky shqetësim i shëndetshëm”.

Në shoqëritë tona, në fakt, idhujtaria e fitimit dhe i daljes fitimtar gjithmonë, si dhe kulti i pamjes së jashtme, nuk janë gjë tjetër veçse anestetikë që na mpijnë ndërgjegjen dhe e përshtatin atë me një ide të caktuar të shoqërisë.

Ferran takohet me Papën
Ferran takohet me Papën

Frika nga Ungjilli

Papa Leoni thekson se kur ndalemi dhe i japim përparësi asaj që është e rëndësishme, Ungjilli e ndryshon këndvështrimin tonë dhe zhvillon "një mendim kritik rreth atij sistemi shoqëror që nuk e vendos personin në qendër", thotë ai, "dhe shkakton situata padrejtësie dhe varfërie ekzistenciale në nivele të ndryshme".

Kjo është arsyeja pse ky shqetësim është i frikshëm, ashtu si zbulimi i brendësisë, përshpirtëria dhe akoma më shumë, zbulimi i Ungjillit.

Të nxitet  shqetësimi

Më tej, Ati i Shenjtë përsërit nevojën për të kultivuar shqetësimin pikërisht aty ku jemi, me njerëzit që ecin përkrah nesh, në realitet dhe në shoqëri; aty ku zbulojmë "vlerën e një jete më njerëzore, më të plotë, të hapur ndaj takimit me Zotin dhe gëzimit të besimit".

Ne duhet ta kultivojmë këtë shqetësim dhe t'i bëjmë vend atij; Siç po thoja, "të kërkojmë brenda vetes", duke u përpjekur të mos na pushtojnë ritmet dhe joshjet e jashtme, duke qëndruar në heshtjeje për disa çaste, ndoshta duke u ndalur për disa minuta në ditë për të lexuar Ungjillin dhe për të folur me Zotin, dhe gjithashtu duke u përpjekur të ecim në këtë udhëtim të brendshëm së bashku me të tjerët, të ecim me Kishën dhe të bisedojmë me meshtarë, rregulltarë dhe njerëz që, ashtu si ne, e kanë ndërmarrë këtë udhëtim.

Sëmundja e heshtur

Në historinë e dytë të një vajze që herë pas here ndalet nga emocionet, ekziston një fjalë e frikshme: depresioni. Një sëmundje shpesh e fshehur nga turpi, e cila sjell me vete "errësirë, izolim dhe dhimbje të madhe". Vajza pranon se ishte përpjekur ta kapërcente sëmundjen, por pa sukses, dhe një mbrëmje ishte përpjekur të vriste veten. "Jam këtu," thotë ajo, "sepse Zoti më dha një mundësi të dytë dhe do t’i jem përjetësisht mirënjohëse." "Si mund t'i besojmë Zotit kur," pyet ajo, "duket sikur asgjë, madje as vetja jonë, nuk vlen?"

Carmina i tregon Papës historinë e saj të depresionit mendor.
Carmina i tregon Papës historinë e saj të depresionit mendor.

Papa Leoni u prek nga historia e kësaj vajze, duke e falënderuar për guximin e saj për të rrëfyer atë që kishte ndodhur dhe duke kujtuar shumë figura të Ungjillit që, me Jezusin, kanë filluar të jetojnë përsëri. Më pas Leoni XIV u përqendrua te "sëmundja e heshtur" e depresionit, duke vënë në dukje se si shëndeti mendor është i rrezikuar në shoqëritë më të përparuara për shkak të idesë së përhapur të garës pakufi "që ia nënshtron njerëzimin presioneve, pritjeve dhe tensioneve që rrezikojnë ekuilibrat themelorë".

Kjo është arsyeja pse nevojitet një sistem kujdesi shëndetësor që përfshin ndër përparësitë e tij këtë sëmundje të padukshme dhe të përhapur, e cila prek edhe të rinjtë.

Me Zotin, jeta rilind gjithmonë.

Shoqëria, theksoi Papa, hesht kur vjen puna tek dhimbja sepse shumë modele kulturore i thurin lavde përsosmërisë dhe në fakt, "për këtë arsye, kufizimet, brishtësia dhe dhimbja duhet të zhduken, të kufizohen tek një heshtje shurdhuese". Kryqi i Jezusit, shton Papa, na tregon se Zoti nuk na braktis, se Ai mbetet i kryqëzuar me ne në kohë dhimbjeje dhe vetmie të skajshme. Më pas Leoni kujton katekizmin e Benediktit XVI mbi orët e fundit të Jezusit, kur vuajtja e tij bëhet lutje dhe britmë. Kështu duhet të veprojmë, të kërkojmë me këmbëngulje, të hapemi ndaj dikujt “që na merr për dore dhe na nxjerr nga ajo britmë”.

Nuk duhet t’ japim shpirt dhimbjes, duke ia mveshur mendjelehtësisht “vullnetit të Zotit” ose ndonjë plani misterioz të Tij, sepse kjo gjë rrezikon ta zvogëlojë atë vuajtje, ta heshtë atë dhe të lëndojë njerëzit. Zoti nuk dëshiron vuajtje; Ai vuan me ne dhe na fton të besojmë tek Ai me këmbëngulje. Le të kujtojmë atë që tha Papa Françesku: me Zotin, jeta rilind gjithmonë.

Përqafimi i Cecilias me Papën
Përqafimi i Cecilias me Papën

Robër të së keqes

Dëshmia e tretë përqendrohet te falja. Një vajzë e vogël përjeton dhimbjen e madhe në familje kur sheh se i ati përpiqet të vrasë nënën e saj dhe në vend të kësaj vret një djalë që ndërhyn për ta mbrojtur. Më pas, kjo nënë nis përdorimin e drogës dhe vajza dhjetëvjeçare detyrohet të jetojë në një strehë për të miturit. Vetëm dashuria e një familjeje që u përkujdes për këtë vajzë e ndihmoi që ajo t’ia hapë zemrën Jezusit. Më tej vajza pyeti si mund të veprojë, tashti që ka dëshirë ta falë të atin.  Nga këto fjalë të sinqerta që mallëngjyen të gjithë të pranishmit buroi edhe fjala ngushëlluese e Leonit XIV:

Duhet ta pyesim veten "ku ishte Zoti?" apo duhet ta pyesim veten për njeriun dhe njerëzimin, për mënyrën se si ndonjëherë jemi të burgosur të së keqes deri në atë pikë sa bëhemi të dhunshëm ndaj të tjerëve, për mënyrën se si nuk arrijmë të rrisim dashurinë dhe të respektojmë të tjerët në dinjitetin dhe në lirinë e tyre?

Vrasja e grave, një realitet tragjik

"Shumë histori krimi, edhe sot, pasqyrojnë një klimë të helmuar në marrëdhëniet familjare", shpjegon Papa, "të karakterizuar nga abuzimi dhe shtypja, dhe në veçanti nga dhuna kundër grave, e cila për fat të keq shpesh përfundon me vrasje të grave". Është e nevojshme, shton Leoni XIV, ta shqyrtojmë "këtë realitet tragjik" personalisht, por edhe si shoqëri. "Nuk mund t'ia mveshim Zotit atë që i është besuar përgjegjësisë sonë".

Nëse ekziston dhuna, nëse egoizmi triumfon, nëse edhe dashuria midis anëtarëve të familjes shndërrohet në urrejtje, duhet t'i bëjmë vetes disa pyetje rreth vetes, rreth dinamikës së shoqërisë sonë, rreth kulturës së individualizmit, rreth tundimit për dhunë, dhe jo rreth Zotit.

Hapa të vegjël

Falja, pohoi Papa Leoni, është një "bar i fuqishëm kundër së keqes që shëron plagët tona të brendshme, si pjesë e një procesi, e një udhëtimi". Duhet t’ia kërkojmë Zotit vazhdimisht, "ndoshta gjatë gjithë jetës sonë", në mënyrë që "ai të zgjerojë brenda nesh hapësirën e dashurisë pikërisht aty ku jemi plagosur, që ai të na ndihmojë të pajtohemi me veten dhe me atë pjesë të historisë sonë të shënuar nga vuajtja, që ai të shndërrojë ngadalë pakënaqësinë në mëshirë dhe dhembshuri".

Është një udhëtim i gjatë, një proces që kërkon shumë durim, është punë që duhet të bëjmë me veten, si personalisht ashtu edhe përmes rrugëve të tjera. Dhe nuk duhet të na lëshojë zemra: te falja ecet me hapa të vegjël.

Ta mbajmë zemrën të gatshme

Në fund të përgjigjes së Papës u ndal te një pikë e rëndësishme: falje nuk do të thotë domosdoshmërisht kthim te gjendja e mëparshme, as "të jetosh një marrëdhënie të plotë me personin që na lëndoi, veçanërisht kur incidenti është karakterizuar edhe nga dhuna". Por diçka mund të bëhet.

Mund të tregohemi dashamirës ndaj atij personi, të largojmë çdo formë urrejtjeje ose hakmarrjeje, të përpiqemi ta ndreqim marrëdhënien sa më shumë të jetë e mundur dhe ndoshta të lutemi për të: kjo na ndihmon të hyjmë gjithnjë e më thellë në dinamikën e faljes dhe të pajtohemi me Zotin dhe me të tjerët.

09 qershor 2026, 22:48