Papa: përballë urrejtjes të përgjigjemi me dashuri

Gjatë katekizmit të lutjes së Engjëllit të Zotit të së dielës, Leoni XIV na inkurajoi ta dëshmojmë Ungjillin "edhe aty ku vlera e tij nuk kuptohet as nuk pranohet". Na nxiti edhe të jemi të butë e këmbëngulës, duke e rrënjosur besimin dhe misionin tonë në marrëdhënie të fortë me Zotin: soditja nuk është përvojë e caktuar për disa eremitë. "Vazhdoni t'ua transmetoni të gjithëve, në çdo rrethanë, mesazhin e Tij të shpresës, të dashurisë dhe të paqes. Bota ka shumë nevojë për të!".

Vatican News

Si t'ua shpallim Lajmin e Mirë dishepujve në mision? Duke komentuar Ungjillin e Mateut, i cili këtë të diele të 12të gjatë vitit kishtar, propozon fragmentin që nxjerr në pah stilin e këshilluar nga Jezusi, i cili nuk mund të ndahet nga "një takimi personal me Të, unik për secilin", Papa Leoni nxit të nxjerrim vazhdimisht nga burimi i vërtetë, që do të duhej të frymëzonte çdo veprim dhe çdo fjalë të një të krishteri. E bën këtë pas vizitës së tij djeshme baritore në Pavia dhe Sant'Angelo Lodigiano.

Nuk mjafton teknika për të shpallur Ungjillin

Papa augustinian, pas enciklikës së tij të fundit “Magnifica humanitas” na kujton se nuk është e mundur të dëshmojmë për atë, që nuk e kemi përjetuar personalisht, por vetëm përmes thashethemeve.

Forca e apostullimit, përtej teknikave dhe mjeteve, bazohet në veprën e Shpirtit Shenjt brenda nesh dhe në vërtetësinë e përgjigjes sonë.

Dëshmoni edhe aty ku nuk kuptohemi as nuk pranohemi

Papa përqendrohet tek integrimi i fesë dhe i jetës. Dëshmia e besimit në Zotin është fryti i pashmangshëm i ushqyerjes së vazhdueshme, bazuar në marrëdhënie tonë me Zotin. "Kjo na bën gjithnjë e më shumë njerëz me fe të fortë dhe të vetëdijshëm" - thekson Leoni XIV - dhe si pasojë, apostuj të besueshëm dhe të lirë, burra e gra të aftë për të reflektuar dritën e Ungjillit në çdo mjedis e situatë të jetës, e për ta dëshmuar edhe aty ku vlera e tij nuk kuptohet a nuk pranohet". E shton:

Nuk duhet të mendojmë se "të kundrosh" është përvojë ekskluzive, e rezervuar për disa shenjtorë ose murgjër dhe eremitë. Ne të gjithë mund ta bëjmë këtë, duke u përpjekur të ruajmë, ndërmjet angazhimeve të ditëve tona, çaste qetësie, në të cilat mund të heshtim para Zotit.

Përgjigjuni me dashuri

Së fundmi, Leoni XIV kujtoi jetën e vështirë të bashkësive të para të krishtera dhe citoi paraardhësin e tij Françeskun, në Evangelii Gaudium. Kështu, na nxiti t'i përgjigjemi urrejtjes me dashuri, arrogancës me butësi, shkurajimit me këmbëngulje, kudo që Ungjilli është më i papërshtatshëm. Armiqësitë dhe persekutimet e lashta - përfundoi Papa Prevost - vijojnë të rishfaqen sot në vende të ndryshme: kur përballemi me tundimin për t'u dëshpëruar dhe për t’iu dorëzuar lodhjes ose frikës, kundërhelmi mbetet i njëjtë.

Është e nevojshme, thekson ai, ta rrënjosim fenë dhe misionin tonë në një marrëdhënie të fortë me Të. Kjo na jep forcën për të mos u dorëzuar dhe për të vazhduar t'u përcjellim të gjithëve, në çdo rrethanë, mesazhin e Tij të shpresës, të dashurisë dhe të paqes. Bota ka shumë nevojë për të!

21 qershor 2026, 14:16

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >