Nga institucionet te periferitë dhe vendet e spiritualitetit, Papa Leoni shtegtar në Spanjë
R.SH. - Vatikan
Drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, theksoi se Spanja, me traditën e saj të lashtë të krishterë dhe historinë e dialogut mes kulturave, përbën një terren të rëndësishëm për reflektim mbi rolin e Kishës në Evropën e sotme.
Gjatë qëndrimit të tij në Spanjë, Papa Leoni XIV do të takohet me përfaqësues të institucioneve, të Kishës, të rinj, familje dhe personalitete të kulturës e sportit. Në qendër të mesazheve të tij do të jenë promovimi i paqes në një kohë konfliktesh, mbrojtja e jetës dhe dinjitetit njerëzor, si dhe nxitja e dialogut për të kapërcyer polarizimet shoqërore.
Një moment i veçantë i vizitës do të jetë ndalesa në Ishujt Kanarie, ku Papa do të takojë migrantë dhe do të njohë nga afër realitetin e emigracionit në një nga pikat kryesore të hyrjes në Evropë për mijëra persona që mbërrijnë nga Afrika.
Në Barcelonë, Ati i Shenjtë Prevost do të vizitojë Bazilikën e famshme Sagrada Familia dhe do të marrë pjesë në inaugurimin e Kullës së Jezusit, në kuadër të 100-vjetorit të vdekjes së arkitektit Antoni Gaudí.
Përveç takimeve me autoritetet shtetërore, Papa do të vizitojë edhe qendra sociale dhe struktura që ndihmojnë njerëzit e pastrehë dhe grupet më të cenueshme të shoqërisë, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe kujdesit ndaj periferive njerëzore. Sipas Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Papa Leoni XIV do t’i mbajë fjalimet kryesisht në gjuhën spanjolle, ndërsa në disa raste mund të përdorë edhe gjuhën katalane.
