Spanja pret me padurim shtegtimin e Papa Leonit XIV. Spanja pret me padurim shtegtimin e Papa Leonit XIV.

Nga institucionet te periferitë dhe vendet e kultit, shtegtimi i Leonit XIV në Spanjë

Përgjegjësi i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, u përshkroi gazetarëve udhëtimin e katërt ndërkombëtar apostolik të Leonit XIV, gjatë të cilit Papa do të vizitojë Madridin, Barcelonën dhe Ishujt Kanarie. Mezi po pritet ky shtegtim i Atit të Shenjtë. Papa do të trajtojë shumë tema në fjalimet dhe takimet e tij si: paqen, çarmatimin, bashkimin, të rinjtë, kulturën, teknologjitë e reja, migrimin, duke i dhënë zemër Kishës e cila "ka ende diçka për të thënë në shumë drejtime".

R.SH. / Vatikan

Shumë fjalime, shumë takime, shumë vizita nëpër sheshe dhe stadiume, shumë njerëz (rreth gjysmë milioni besimtarë janë regjistruar për ngjarjet e ndryshme). E po ashtu, edhe shumë tema: nga çarmatimi te paqja, nga roli i Kishës te sfidat me të cilat përballet vendi dhe Evropa, nga mbrojtja e jetës te çështja e migracionit. Udhëtimi i Papës në Spanjë, nga 6 deri më 12 qershor, është i rëndësishëm në çdo kuptim, ashtu si edhe pritja për këtë udhëtim të katërt ndërkombëtar, gjatë të cilit Leoni XIV do të udhëtojë 2,500 kilometra, me ndalesa në Madrid, Barcelonë dhe Ishujt Kanarie (Gran Canaria dhe Tenerife).

"Është e qartë se mezi po pritet kjo vizitë", filloi drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, duke u paraqitur gazetarëve të akredituar programin dhe hollësitë e shtegtimit të Papës në "një vend me traditë të lashtë të krishterë".

"Një vend", tha zëdhënësi i Vatikanit, "që ishte laborator për dialogun midis botëve të ndryshme në kulmin e Mesjetës. I mendimtarëve të mëdhenj, i kulturës së krishterë: Shkolla e Salamankës, ku teologjia skolastike dhe e drejta ndërkombëtare u takuan në shekullin XVI, duke shënuar lindjen e reflektimit mbi të drejtat dhe dinjitetin e çdo personi". Një vend gjithashtu i "shenjtorëve të mëdhenj", siç janë Shën Gjoni i Kryqit dhe Tereza e Avilës, mendimi i të cilëve është profetikisht "në harmoni" me kohërat sfiduese të sotme.

Temat e udhëtimit

Në Spanjë, Papa Leoni do të zhytet në këtë trashëgimi historike dhe kulturore dhe do të takohet me përfaqësues të Kishës dhe të institucioneve, si dhe me mijëra të rinj, familje dhe personalitete nga bota e sportit, kulturës dhe e argëtimit, disa prej të cilëve do të interpretojnë gjatë ngjarjeve kulturore.

Tema e dialogut midis Kishës, politikës dhe kulturës si "mjet për të kapërcyer polarizimin" dhe reflektimi mbi progresin teknologjik dhe njerëzor, gjithashtu në dritën e enciklikës «Magnifica Humanitas», do të jetë qendrore në 23 fjalimet e Papës në Spanjë, përfshirë këtu edhe përshëndetjet dhe predikimet. Natyrisht, do të trajtohet edhe tema e "paqes" në një epokë lufte dhe përpjekjesh për të zgjidhur konfliktin dhe çarmatimin, "në një kohë kur përdorimi i armëve justifikohet", theksoi Bruni. "Në këtë kuptim," shtoi ai, "ndoshta mund të flasim edhe për rolin e Kishës në Spanjë dhe, në përgjithësi, të Kishës në Evropë, në dritën e historisë së saj, të gjithë historisë së saj, si një thesar i çmuar, në momente madhështie dhe në kohë krize."

Zëri i Kishës

Papa Leoni do të jetë, pra, shenjë dhe nxitje për një Kishë që "ende ka diçka për të thënë në shumë fusha, në Spanjë dhe në Evropë, ku mund të jetë një pjesëmarrëse e plotë, konstruktive në debatin publik", deklaroi drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, duke iu referuar çështjes së "mbrojtjes së jetës", "të çdo jete, veçanërisht kur është më e cënueshme".

Këtu përfshihet edhe çështja dramatike e migrimit, diskutimi rreth së cilës do të arrijë kulmin gjatë vizitës së Papës në Ishujt Kanarie, skenë e tragjedive njerëzore dhe familjare në vitet e fundit. Bëhet fjalë për famëkeqen "Rrugë të Atlantikut". Në Ishujt Kanarie, Papa do të mësojë historitë e emigrantëve, "përpjekjen për t'i mirëpritur ata", por do të shohë edhe "një vend misionarësh të shenjtë që u nisën prej këndej për t'ia çuar Ungjillin botës".

Takimi me njerëzit dhe besimin e tyre

Megjithatë, së pari do të jenë Madridi dhe Barcelona, ​​të dyja "me një histori mikpritjeje dhe hapjeje ndaj botës", dhe Sagrada Familia, me gjithë simbolikën e saj të besimit, në vitin e njëqindtë të vdekjes së Gaudí-së, që bie më 10 qershor. Papa Leoni XIV, vijoi zëdhënësi Bruni, "do t’i drejtohet një populli me një shekullarizim të fortë, por me një prani të thellë të krishterë, ende të pranishme në tiparet kulturore dhe më gjerë". Prandaj, ky është edhe "një takim me besimin e një populli", ende të lidhur me traditat popullore si procesionet (dhe Papa do të udhëheqë procesionin e Korpit të Krishtit të dielën, më 7 qershor), një popull që nuk mbyllet brenda kishave por ecën rrugëve. Një popull që "nuk ka besim fetar si të ishte një muze" – për të përdorur një shprehje të njohur nga Papa Françesku – por "një besim që jep fryte për të ardhmen". Nga ky këndvështrim, të rinjve, nga Spanja dhe më gjerë, do t'u jepet hapësirë ​​e mjaftueshme: atyre do t’u drejtohet "një fjalë me kuptim të thellë, që parashikon të ardhmen me ta, ashtu si në një kohë burrash të fortë, Kisha përpiqet të çojë peshë njerëz të shenjtë" u shpreh Matteo Bruni.

Nga qendrat institucionale te vendet e solidaritetit dhe të simboleve të kufijve të Atlantikut

Përveç përmbajtjes, udhëtimi drejt vendit iberik do të na përcjellë pamje të çmuara të Papës në Pallatin Mbretëror dhe në Kongresin e Deputetëve, në Movistar Arena dhe në stadiumin Bernabeu në Madrid; në abacinë e Montserratit dhe Sagrada Familia, ku do të përurojë «Kullën e Jezusit», majën e kryeveprës arkitekturore, me një bekim për popullin dhe spektakël dritash dhe fishekzjarresh; dhe në portin e Arguineguín në Gran Canaria, i quajtur për vite me radhë “moloja e turpit” për shkak të pasigurisë dhe të mbipopullimit të mijëra emigrantëve, kryesisht nga Afrika Perëndimore.

Shkurt, ky turne papnor do të jetë i gjatë dhe i larmishëm, duke përfshirë qendra politike dhe institucionale, qendra shpirtërore dhe bamirëse, si dhe vende simbolike përgjatë kufijve të Atlantikut, në një ndërthurje të vazhdueshme të sferave kishtare dhe publike. Vlen të përmendet, në këtë kontekst, se pas fjalimit të tij të parë drejtuar përfaqësuesve të institucioneve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik, Leoni XIV do të vizitojë projektin social "Cedia 24 Horas", një strukturë e posaçme për të mirëpritur dhe për të mbështetur njerëzit e cënueshëm dhe të pastrehë në lagjen Lucero. Siç vërejti kardinali José Cobo Cano, kryeipeshkëv i Madridit, Papa «do të hyjë» në Spanjë duke u përshkuar nëpër botën e më të ligshtëve dhe më të mënjanuarve.

Shpura shoqëruese e Papës

Në shpurën e Papës do të bëjnë pjesë kardinali Ángel Fernández Artime, Pro-Prefekt i Dikasterit për Jetën e Kushtuar; kryeipeshkvijtë Filippo Iannone, prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe Luis Marín de San Martín, lëmoshtari papnor. Papa do t'i mbajë të gjitha fjalimet e tij në spanjisht, me përjashtim të njërit, në frëngjisht, në qendrën e pritjes Las Raises, ku strehohen emigrantë nga Afrika frëngjishtfolëse. Ka të ngjarë që Papa të flasë edhe katalanisht, shpjegoi Matteo Bruni, duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve mbi një temë që ka qenë në qendër të shumë diskutimeve në shtypin spanjoll.

Nga ana tjetër qëndron edhe çështja e abuzimit që e ka shtyrë Kishën të angazhohet në nisma të ndryshme parandaluese dhe dëmshpërblimi. Kështu, marsin e kaluar, u nënshkrua protokolli i përbashkët midis Konferencës Ipeshkvnore, Konferencës së Rregulltarëve, Avokatit të Popullit dhe Ministrisë së Presidencës për t'iu përgjigjur këtij realiteti të dhimbshëm me të vërtetën dhe me drejtësinë.

Tashpërtash, shpjegoi drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë Matteo Bruni, nuk është planifikuar një takim privat ndërmjet Papës dhe viktimave të abuzimeve.

03 qershor 2026, 20:03