2023.09.21 Padre Osório Citora Afonso, Vescovo Ausiliare di Maputo (Mozambico) Programma Portoghese

Në Mozambik, funerali i ipeshkvit të Quelimane. Papa: bari bujar

Në një mesazh të lexuar sot në Katedralen e Quelimane gjatë funeralit të Ipeshkvit Osório Citora Afonso, vrarë më 6 qershor, Leoni XIV shprehu zhgënjimin e tij për atë që ndodhi, por edhe shpresën se rrethanat e këtij krimi do të sqarohen. Gjatë predikimit të rastit nunci i Mozambikut, Muñoz Cárdaba, pohoi se kush e vrau, vrau njeriun e paqes, misionarin që besonte në mirësinë e njerëzve. Edhe Presidenti i Mozambikut ishte i pranishëm në ceremoninë mortore.

R.SH. / Vatikan

"Pasi mora me hidhërim të thellë lajmin për vdekjen e dhunshme të Dom Osório Citora Afonso, I.M.C., dëshiroj që, në këtë orë pikëllimi, të bashkohem me të gjithë ipeshkvijtë, me nënën dhe familjen e tij, misionarët e Zojës Ngushëlluese, klerin dhe besimtarët e tjerë të Kishave të veçanta të Quelimane dhe Beira, duke i siguruar se janë në mendimet dhe lutjet e mia".

Në ditën e funeralit të Ipeshkvit të Quelimane dhe Administrator Apostolik i Kryedioqezës së Beirës, ​​në Mozambik, vrarë brutalisht në vendin e rezidencën episkopale, më 6 qershor, Papa Leoni XIV shprehu dhimbjen e tij të thellë dhe afërsinë e mbarë Kishës Katolike, në një mesazh drejtuar Imzot Inácio Saúre të Nampula-s dhe Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Mozambikut, ku Kryeipeshkvi Osório Citora Afonso kryente detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.

"Ndërsa pres - shkroi Papa - që rrethanat e këtij krimi të sqarohen plotësisht, kërkoj ngushëllimin e shpresës dhe lutem që Zoti ta mirëpresë këtë bari bujar e që ky çast dhimbjeje të jetohet me besim, në dritën e Krishtit të ringjallur, për të mirën e Kishës së dashur Mozambikane, së cilës i jap Bekimin Apostolik, në mënyrë që të vazhdojë e palëkundur në  kumtimin e faljes dhe harmonisë".

Emocion i madh në ritin e varrimit

Mesha e varrimit, kryesuar nga Imzot Luís Miguel Muñoz Cárdaba, Nunc Apostolik në vendin afrikan, shoqëruar nga Kryepeshkvi i Nampulas, u kremtua paradite, në Katedralen e Zojës së Çlirimit, në Quelimane. Ishte një atmosferë pjesëmarrjeje dhe emocionesh të mëdha. Përveç shumë meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve që dëshironin t'i jepnin lamtumirën një njeriu të vlerësuar nga të gjithë e një bariu të vëmendshëm ndaj nevojave shpirtërore dhe materiale të njerëzve që i qenë besuar, i pranishëm ishte edhe Presidenti i Republikës së Mozambikut, Daniel Francisco Chapo, së bashku me disa ministra dhe autoritete të tjera kombëtare.

Njohja e së vërtetës

"Nuk duhet të ishim këtu sot, nuk duhet ta kremtonim këtë varrim. Ajo që ndodhi, nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Asnjëherë më parë në historinë e Mozambikut nuk është vrarë një ipeshkëv", tha Imzot Muñoz Cárdaba në predikimin e tij, duke shprehur besimin se "të gjitha arsyet pas kësaj vdekjeje të dhunshme do të zbulohen me siguri. Sado të dhimbshme të jenë, nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta. Liria na bën të lirë!”.

Njeriu i paqes

Duke u ndalur te figura e Imzot Citora Afonso, Nunci Apostolik kujtoi: "Vranë një njeri paqeje,  vranë një njeri pajtimi, një misionar që besonte në mirësinë e njerëzve, një bari të përkushtuar, që iu kushtua plotësisht shërbimit, deri në fund të fundit".

E imzot Cárdaba vazhdoi më pas: "Nuk mund ta lejojmë që ky gjak i pafajshëm të na zhytë në pesimizëm dhe zhgënjim. Jo, kjo është koha për kthesë të thellë, për pendesë pastruese, për ripërtëritje të brendshme. Gjaku i Ipeshkvit Osório na largoftë nga mëkati dhe e keqja - në të mirën, nga errësira - në dritë. Atëherë vdekja e tij do të jetë e frytshme, do ta pastrojë këtë dioqezë dhe Kishën e do të na bëjë të gjithëve më të mirë. Jam i sigurt se kjo vdekje mizore nuk do të jetë e kotë. Besoj se Zoti, në Provaninë e tij të shenjtë e misterioze, do t’ia dalë mbanesh ta shndërrojë gjithë këtë të keqe në të mirë!”.

Funerali privat, në Nampula

Trupi i imzot Osório Citora Afonso do të mbërrijë me avion në Nampula, mbi 500 kilometra larg nga Quelimane, ku nesër do të kremtohet një Meshë private mortore. Do të kremtohet nga Kryeipeshkvi i qytetit, Imzot Inácio Saúre, në Katedralen e Zojës së Fatimës, ku Imzot Osório Citora Afonso u pagëzua, u krezmua dhe u shugurua meshtar. Riti i varrimit do të zhvillohet në varrezat lokale të klerit.

Në kujtim të Kardinajve Tagle dhe Rugambwa

Ipeshkvi i Quelimane, misionar i Consolatë-s, ishte 54 vjeç. Ndërmjet viteve 2017 dhe 2023 kishte shërbyer si zyrtar i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzim, Seksioni për ungjillëzimin e parë dhe kishat e reja të veçanta. Dje, në predikimin e mbajtur gjatë Meshës të përshpirtjes, kremtuar në Kapelën e Tre Mbretërve, në Pallatin Propaganda Fide në Romë, Kardinali Luis Antonio Tagle, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzim, kujtoi angazhimin e tij të palodhur, plot dashuri:

"Ne ishim dëshmitarë të entuziazmit dhe të gëzimit që Osório ndjente sa herë predikonte Fjalën e Zotit. Nuk lodhej kurrë së ofruari takime studimi biblik dhe tërheqje shpirtërore. Dhuratën që e kishte marrë falas, e jepte falas".

Kardinali Protase Rugambwa, Kryeipeshkëv i Taborës, Tanzani, i cili e kishte njohur shumë mirë, foli gjithashtu për një prift të dashuruar me Zotin dhe vëllezërit e tij. "Ishte i butë, i përulur, i kulturuar dhe i rafinuar. Punëtor i palodhur, gjithmonë i gatshëm", pohoi. E pastaj shtoi se “ishte bërë mik i vërtetë, i pajisur me kaq shumë cilësi të bukura".

12 qershor 2026, 15:57