Shugurimi meshtarak i Robert Prevost Shugurimi meshtarak i Robert Prevost

Më 19 qershor 1982, Robert Prevost u shugurua meshtar

Pikërisht 44 vjet më parë, Leoni XIV i ardhshëm shugurohej meshtar në Kapelën e Shën Monikës, në Piazza del Santo Uffizio. Dioqeza e Romës dërgoi urimet më të mira: "Ne mbetemi të mahnitur nga shembulli i tij i mirë, i përditshëm në kërkimin e paqes”.

Vatican News

Pak hapa larg Vatikanit, në Kapelën e Shën Monikës, 44 vjet më parë, Robert Prevost, njëzet e shtatë vjeç, u shugurua meshtar. Pesë vjet më parë hyri në Urdhrin e Shën Augustinit e, në vitin 1981, bëri kushtet  solemne. Në shtator të atij viti mbërriti në Romë, në Kolegjin Ndërkombëtar të Shën Monikës, për të studiuar të drejtën kanonike në Universitetin Papnor të Shën Tomës së Akuinit (Angelicum).

Disa muaj më vonë, u shugurua në një vend që më pas do t'i bëhej shumë i njohur. Prevosti banoi në Pallatin e Sant’Uffizio, në Vatikan, që nga viti 2023 e, po atë vit, në Koncistorin e 30 shtatorit, Papa Françesku e krijoi kardinal, duke i caktuar djakoninë e Shën Monikës.

"Jam shërbëtori juaj"

Fotografia e kujtimeve të asaj dite riprodhonte një ikonë ruse të shekullit të 15-të, kushtuar Darkës së Fundit. Fjalët e zgjedhura të kujtonin Predikimin e 399-të të Shën Augustinit:

"Për mua, t'ju ushqej të gjithëve me bukë të zakonshme, është diçka që nuk mund ta bëj. Por kjo Fjalë është pjesa juaj. Unë ju ushqej nga e njëjta tryezë, që më ushqen edhe mua. Jam shërbëtori juaj".

Urimet më të mira nga dioqeza "e tij"

Në një mesazh me urime nga Dioqeza e Romës, në të cilën ishte Ipeshkëv, thuhet: "Jemi të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e shërbesës së tij, të ndërtuar nga përkushtimi i tij i përditshëm ndaj shpalljes së Mbretërisë e ndjekjes së paqes". "E mbështesim - vijon teksti - me dashurinë e përtërirë dhe lutjet e mbarë popullit Shenjt të Zotit, që lutet për forcën e paarmatosur të përvuajturve.

E Shenjtnueshmja Virgjër Shenjte e Dashurisë Hyjnore e mbroftë dhe e bekoftë shërbesën e tij.

20 qershor 2026, 10:00