Kërko

Mbreti Felipe VI mban fjalimin e mirëseardhjes të Papa Leonit në Pallatin Mbretëror në Madrid. Mbreti Felipe VI mban fjalimin e mirëseardhjes të Papa Leonit në Pallatin Mbretëror në Madrid.

Mbreti Felipe VI: Bashkimi si mjet për paqen është një normë universale sjelljeje

Në fjalimin e tij të mirëseardhjes drejtuar Leonit XIV në Pallatin Mbretëror në Madrid – ndalesa e parë e udhëtimit të tij apostolik në Spanjë – mbreti Felipe VI i dinastisë burbone të Spanjës përshëndeti Papën në emër të një populli të gjallë, fetar dhe kozmopolit: "Dinjiteti i personit, të drejtat e njeriut, vlerat demokratike dhe ligjshmëria ndërkombëtare mbeten "numrat tanë të parë".

R.SH. / Vatikan

Bashkimi si "mjet dhe instrument për paqen" ishte tema qendrore e fjalimit të mirëseardhjes që mbreti Felipe VI i Spanjës i mbajti Leonit XIV këtë mëngjes, më 6 qershor, në Pallatin Mbretëror në Madrid, ndalesa e parë në shtegtimin e tij apostolik në vend.

Përçues dhe mjet paqeje

Bashkimi si aspiratë "lind nga vetëdija për brishtësinë që kemi si individë, nga varësia jonë nga të tjerët, nga kufizimet tona", tha sovrani, por edhe nga ajo "aftësi e pashtershme për mirësi dhe bukuri që arrin kulmin kur qeniet njerëzore e duan të afërmin e tyre, kur hapen dhe u japin veten të tjerëve". Prej këndej buron edhe paralajmërimi për ta "kujtuar gjithmonë këtë gjë, me fjalë dhe me vepra", dhe veçanërisht "në këto kohë pasigurie". Për këtë arsye mbreti theksoi se bashkimi, si "mjet dhe instrument për paqen, meriton të jetë një normë universale sjelljeje".

"Ndihemi me fat që gjithçka që përfaqëson ibero-amerika ju e keni për zemër", tha monarku në fillim të fjalimit të tij, duke iu referuar faktit se Papa flet spanjisht, gjuhë që e ka përsosur gjatë shumë viteve të tij si misionar në Peru, dhe lidhjes së tij disavjeçare me vendin e Andeve. Pikërisht atje, Papa Leoni ka dhënë kontribut në fushën baritore, akademike dhe humanitare, veçanërisht në Trujillo. Këto fjalë të mbretit pastaj, i referoheshin edhe shërbimit të Leonit XIV si ipeshkëv i Çiklajos.

Papa pritet nga Mbreti Felipe VI
Papa pritet nga Mbreti Felipe VI

Rrënjët "spanjolle" të Papës

Një popull "i gjallë dhe me vullnet të fortë, mbështetës dhe tolerant", "krijues dhe kozmopolit" e mirëpriti Ipeshkvin e Romës në një vend si Spanja, "ku gjenden edhe disa rrënjët e tuaja", vazhdoi Mbreti Felipe VI, duke iu referuar origjinës nga Galicia dhe Kantabria, dy provinca të Spanjës, nga të cilat supozohet se vinin parardhësit e nënës së Papa Leonit. Sipas një hulumtimit të fundit të kryer nga arkivisti i katedrales spanjolle të Tuit mbi pemën gjenealogjike të Papës, paraardhësit e hershëm të Leonit XIV dalin në një famulli në Pontevedra, në Galicia, në veri-perëndim të Spanjës.

Lidhur me programin e udhëtimit, "të mbushur plot me takime, lutje dhe reflektim", mbreti i tha Papës se ai, me sytë e tij, do të shohë në rrugë dhe sheshe, në kisha dhe institucione, "gëzimin e pamasë" për vizitën e tij. Monarku spanjoll shprehu gjithashtu mirënjohjen "për bujarinë dhe ndjeshmërinë" e demonstruar nga kohëzgjatja dhe intensiteti i vizitës së Papës në vend.

Një çast nga përshëndetja e Mbretit Felipe VI drejtuar Leonit XIV
Një çast nga përshëndetja e Mbretit Felipe VI drejtuar Leonit XIV

Një tokë thellësisht katolike

Pastaj, një referencë për besimin katolik, thellësisht të rrënjosur në Spanjë, pa të cilin "historia dhe kultura jonë do të ishin të pakuptueshme": një besim i rrënjosur në tradita dhe kremtime, i thjeshtë por i thellë në ndjenjën e tij të komunitetit dhe të përshpirtërisë popullore, i pasuruar nga dëshmia e shenjtorëve mistikë si Shën Tereza e Avilës dhe Shën Gjoni i Kryqit.

Angazhimi social i Kishës

Mbreti Felipe VI theksoi gjithashtu edhe "punën e jashtëzakonshme shoqërore të Kishës Katolike", fryt i angazhimit të rregulltarëve dhe të rregulltareve, meshtarëve, diakonëve, të rinjve që marrin pjesë në jetën famullitare dhe vullnetarëve që shërbejnë në azile pleqsh, hostele, mensa dhe qendra mikpritjeje. Te këta – të cilëve u drejtoi fjalë mirënjohjeje – Felipe VI përfshiu "me admirim të veçantë" mijëra misionarë në vend që kryejnë punën e tyre sociale, arsimore, të mirëqenies dhe baritore "në shumë vende në nevojë anembanë botës, shumë shpesh të largëta ose ende shumë të izoluara".

Mbreti përmendi gjithashtu edhe dhimbjen e shkaktuar nga disa raste abuzimi, "të cilat nuk janë dhe nuk mund të përfaqësojnë bashkësinë e madhe kishtare: qartësia dhe vendosmëria juaj", pranoi ai, janë "thelbësore" në procesin e shërimit dhe të riparimit të dëmit të shkaktuar, për viktimat, për besimtarët, për Kishën dhe për shoqërinë në tërësi.

Një shkrepje gjatë fjalimit të Mbretit Felipe VI
Një shkrepje gjatë fjalimit të Mbretit Felipe VI

Aritmetika e së mirës

Kreu i Shtetit më pas kujtoi përgatitjen matematikore të Papës, një njeri "i shpirtit dhe i shkencës", i pajisur me "ndërgjegje të madhe shoqërore" dhe "vëmendje të thellë ndaj ndryshimit": një vlerë e veçantë në një kohë "që nuk mund të shpjegohet më me fjalët me të cilët jemi mësuar dhe të cilat vazhdojmë të përpiqemi t'i interpretojmë". Një kohë në të cilën rrezikojmë të "harrojmë atë që ka vërtet rëndësi" dhe të rrëshqasim drejt besimit se "gjithçka është e vlefshme, e pranueshme, e negociueshme dhe e justifikueshme". Megjithatë, "nuk është kështu", shpjegoi Mbreti Felipe, duke siguruar që "dinjiteti i personit, të drejtat e njeriut, vlerat demokratike dhe e drejta ndërkombëtare" mbeten "numrat tanë të parë". Në to dhe në kombinimet e tyre "qëndron aritmetika e lirisë, barazisë dhe e drejtësisë", e cila "shtohet dhe shumëzohet", pa zbritur ose pjesëtuar.

Personi në qendër të çdo bisede

Zëri i Papës, "kaq i ri dhe kaq i lashtë", i ushqyer nga njëzet shekuj histori, "jehon në të gjitha ndërgjegjet", u shpreh më tej Mbreti i Spanjës, i cili kujtoi enciklikën e fundit «Magnifica Humanitas», të frymëzuar jo nga "vizione katastrofike", por nga një vizion "plot shpresë dhe angazhim ndaj njerëzimit". Një tekst "humanist" që na nxit ta shndërrojmë frikën – që në vetvete është shterpë dhe paralizuese – në "një njohje të thelluar dhe të përbashkët me të tjerët të potencialit por edhe të rreziqeve të këtij realiteti të ri".

Lidhur me rrezikun që inteligjenca artificiale mund të mbetet monopol i pak njerëzve, Mbreti theksoi se përfitimi kolektiv "do të jetë i mundur vetëm nëse arrijmë ta mbajmë personin në qendër të çdo bisede; mos ta zëvendësojmë kurrë, mos t’i nënshtrohet apo të kufizohet te ndonjë algoritëm".

Vlera e dëgjimit

Në një botë "të përmbytur nga të dhënat dhe mesazhet", përmblodhi ai, empatia, mirëkuptimi dhe dëgjimi bëhen "thelbësore". Ai theksoi më tej rëndësinë e dëgjimit, një aftësi e cila është e pabesueshme si është lënë pas dore në një epokë ndërlidhjesh të pafundme. Kur vëmendja jonë është e përqendruar tek të tjerët, tek ata me të cilët përballemi, është e mundur të "identifikohemi me dhimbjen, gëzimin, dobësitë dhe pikat e tyre të forta".

Së fundi, mbreti Felipe VI ndau me të pranishmit një kujtim nga fjalimi i parë i Leonit XIV në ditën e zgjedhjes së tij, më 8 majin e vitit të kaluar: "Nga Lozha e Bekimeve, pak minuta pasi dolët nga konklavi që ju emëroi Pasardhës të Pjetrit dhe Ipeshkëv të Romës, ju nisët një mbrojtje të zjarrtë të bashkimit". Vetëm duke mësuar të kuptojmë "arsyet e të tjerëve, ose duke kërkuar terrenin e përbashkët ose të marrëveshjes do të jemi në gjendje të ecim përpara së bashku" – përfundoi Mbreti i Spanjës.

06 qershor 2026, 16:51