Kërko

Mbrëmjen e djeshme në Barcelonë: Papa përuroi Kullën e Jezusit në Sagrada Família

Një shfaqje magjepsëse që mrekulloi 120 mijë njerëz në zemër të Barcelonës. Kryqi në majë të kullës 172.5 metra të lartë Sagrada Familia ndriçon natën, ndërsa një rrymë drite përshkon shpirtin e Bazilikës së Gaudí-t, e cila duket si një dantellë e qëndisur në errësirën e qiellit. Një shpërthim bukurie në kujtim të trashëgimisë njerëzore dhe shpirtërore të mjeshtrit katalanas: “Më parë dashuria, pastaj teknika”.

R.SH. / Vatikan

Mbrëmjen e djeshme, në zemër të Barcelonës, Papa Leoni XIV përuroi Kullën e Jezu Krishtit në Bazilikën e famshme të Gaudí-t, duke e kthyer zyrtarisht atë në Kishën më të lartë në botë, me një lartësi prej 172.5 metrash. Ngjarja madhështore mblodhi rreth 120 mijë njerëz në sheshet përreth dhe 9 mijë të tjerë brenda e jashtë tempullit, të cilët ndoqën kremtimin solemn të udhëhequr nga Papa dhe shfaqjen mbresëlënëse të dritave.

Gjatë Meshës së Shenjtë që i parapriu përurimit, Ati i Shenjtë Leoni XIV përcolli një mesazh të fortë paqeje, duke nënvizuar se: “Nuk mund të besojmë te Jezusi dhe të bëjmë luftë, apo të vrasim të pafajshmit”. Ati i Shenjtë theksoi gjithashtu se lartësia e kësaj Kishe nuk shërben për rekorde botërore, por për të udhëhequr hapat e popullit drejt të Zotit.

Një nga çastet më prekëse të mbrëmjes ishte prezantimi i projektit arkitektonik nga Valentina, një vajzë e vogël e verbër e shoqatës ONCE. Përmes prekjes së një maketi, ajo i shpjegoi Papës gjenialitetin e Gaudí-t dhe kuptimin e kryqit të ri në majë të kullës së Sagrada Familia, i cili simbolizon një "ombrellë mbrojtëse" dhe një përqafim për mbarë qytetin.

Në mbyllje, në prani të Familjes Mbretërore të Spanjës dhe autoriteteve më të larta shtetërore, Papa bekoi kullën ku ndodhet e varur edhe vepra “Agnus Dei”. Në atë moment, kryqi i madh u ndez mbi qiellin e Barcelonës, i shoqëruar nga korët e fëmijëve, një lojë spektakolare fishekzjarrësh dhe drone që vizatuan në errësirë portretin e Antoni Gaudí-t, duke jetësuar moton e tij të famshme: “Më parë dashuria, pastaj teknika”.

11 qershor 2026, 09:25