Kërko

Madrid, “ushtria e heshtur” e vullnetarëve: shërbimi si një dhuratë që pasuron të gjithë

Gjatë takimit të Leonit XIV me 17 mijë vullnetarët që dhuruan kohën e tyre për vizitën në kryeqytetin spanjoll, u dalluan mesazhet plot mirënjohje të Mercedes: „Kisha më ka mbështetur në çastet më të vështira dhe është gëzuar me mua në më të mirat“, si dhe e Nuños: „Pjesa më e mirë e vetvetes, kur dhurohet, nuk shteron por rritet“. Ndërkaq, kryeipeshkvi Cobo Cano u shpreh se përmes „dashurisë së fshehur“ të atyre që shërbejnë, Ungjilli prek drejtpërdrejt zemrën e qyteteve tona.

R.SH. – Vatikan

Në takimin e tij të fundit gjatë vizitës në Madrid, Papa Leoni XIV u takua me rreth 17 mijë vullnetarë që, me përkushtim dhe bujari, kontribuuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për Kishën në Spanjë. Të mbledhur në pavijonin e tretë të qendrës së panaireve dhe kongreseve Ifema, në Madrid, vullnetarët krijuan një atmosferë gëzimi dhe mirënjohjeje, duke dëshmuar se pas çdo ngjarjeje të madhe qëndrojnë mijëra njerëz që punojnë në heshtje, larg vëmendjes dhe pa kërkuar asnjë shpërblim.

Në fjalën e tij drejtuar Papës dhe të pranishmëve, kryeipeshkvi i Madridit, kardinali José Cobo Cano, theksoi se Kisha është vërtet e gjallë kur vihet në shërbim të të tjerëve dhe kur di të dhurojë vetveten. Ai vlerësoi punën e vullnetarëve, të cilët, ashtu si Zoja Mari në Nazaret, kanë vepruar me përvujtëri dhe në heshtje, duke bërë të mundur mrekullinë e takimit, të mikpritjes dhe të bashkimit mes njerëzve.

“Ju përfaqësoni të gjithë ata që kanë punuar pa u vënë në qendër të vëmendjes, pa kërkuar mirënjohje apo duartrokitje, por duke vendosur në qendër personat konkretë, veçanërisht më të brishtët dhe më të harruarit”, tha kardinali Cobo Cano. Sipas tij, kjo “dashuri e fshehur dhe e heshtur”, që shprehet në shërbimin e përditshëm dhe në gatishmërinë për të ndihmuar, është fytyra më e bukur e Kishës. Në një botë të lodhur nga ndarjet, konfliktet dhe zhurma e vazhdueshme, shtoi kryeipeshkvi i Madridit, është ngushëlluese të shihet se Ungjilli vazhdon të prekë zemrat e njerëzve dhe të ndërtojë ura vëllazërie.

Pas shfaqjes së një videoje me titull “Ushtria e heshtur”, kushtuar punës së vullnetarëve, dy prej tyre ndanë dëshmitë e tyre personale, të mbushura me emocion dhe mirënjohje.

Mercedes Rodríguez Loeb tregoi se muajt e kaluar në përgatitjen e vizitës së Papës i kishte përjetuar si një dhuratë të çmuar. Për të, nuk bëhej fjalë thjesht për kryerjen e një detyre apo organizimin e një aktiviteti, por për një mënyrë konkrete për t’i shërbyer Kishës, të cilën e përshkroi si nënë që e kishte mbështetur në momentet më të vështira të jetës dhe kishte ndarë me të edhe çastet më të bukura. Ajo tha se gjatë gjithë kësaj kohe është ndier e shoqëruar nga Zoti, si nëpërmjet lutjes, ashtu edhe përmes njerëzve që Ai kishte vendosur në rrugën e saj.

Po aq prekëse ishte edhe dëshmia e Nuño Adam Castrillos, babai i tetë fëmijëve, i cili kishte përgjegjësinë për zhvillimin e platformës së regjistrimit të vullnetarëve me rastin e vizitës së Papës në Madrid. Ai shpjegoi se e kishte përjetuar këtë detyrë jo thjesht si një projekt teknik, por si një mision të vërtetë të krishterë. Fillimisht organizatorët kishin parashikuar pjesëmarrjen e rreth 10 mijë vullnetarëve, por entuziazmi i njerëzve bëri që të regjistroheshin më shumë se 17 mijë.

Sipas tij, edhe vetë fakti që dikush thotë me krenari “jam vullnetar”, në një kohë kur shpesh mbizotëron individualizmi dhe kërkimi i interesit personal, është tashmë një formë dëshmie e Ungjillit. Ai kujtoi se secili prej të pranishmëve kishte ofruar kohën më të mirë, energjitë dhe talentet e veta në shërbim të të tjerëve. “Kur njeriu dhuron më të mirën nga vetja, ajo nuk shteron dhe nuk humbet, por rritet”, tha Castrillos.

Takimi me vullnetarët përmbylli ditët që Papa Leoni XIV kaloi në Madrid dhe la pas një mesazh të fortë për rëndësinë e shërbimit falas, të përkushtimit të heshtur dhe të solidaritetit. Përmes shembullit të mijëra vullnetarëve, u dëshmua se dashuria e jetuar në veprime konkrete mbetet një nga forcat më të fuqishme për ta bërë shoqërinë më njerëzore, më vëllazërore dhe më të hapur ndaj shpresës.

09 qershor 2026, 11:53