Papa Leoni gjatë një Meshe të Shenjtë me shugurime meshtarake Papa Leoni gjatë një Meshe të Shenjtë me shugurime meshtarake

Leoni XIV u drejtohet meshtarëve: Jemi të brishtë, por Jezusi dëshiron që ne të jemi shenjtorë të të gjithëve dhe për të gjithë.

Në Solemnitetin e Zemrës së Shenjtë të Jezusit, Papa nënshkruan mesazhin për Ditën e Shenjtërimit të Meshtarëve: nuk është një ideal abstrakt apo një mundësi zgjedhjeje ndër shumë të tjera; ne jemi të thirrur të jemi kundrues, në veprim dhe të mëshirshëm.

R.SH. / Vatikan

Asnjëri prej nesh nuk e arrin shenjtërinë "përmes përpjekjeve të veçuara", të cilat në fund të fundit janë të kota; as përmes "përpjekjes së veçuar të asketizmit dhe të përsosmërisë", e cila është gjithashtu "e nevojshme". Një meshtar e arrin shenjtërinë duke i besuar dhe duke ia besuar veten Krishtit, duke ia dorëzuar veten zemrës së Tij, "'vendi' ku shenjtëria zbulohet si afërsi dhe butësi", dhe nga i cili rrjedh Shpirti që i shndërron "enët prej dheu". Papa Leoni e shqyrton kështu kuptimin dhe kulmin e thirrjes meshtarake në mesazhin e tij për Solemnitetin e Zemrës së Shenjtë të Jezusit, festë në të cilën Kisha tradicionalisht kremton Ditën e Shenjtërisë të Meshtarëve.

Jo për një pakicë të zgjedhur

Shenjtëria, deklaroi Papa Leoni XIV në fillim, "nuk është një mundësi ndër shumë të tjera, as një ideal abstrakt: ajo vë në pikëpyetje vetë identitetin e çdo personi që dëshiron të marrë pjesë në jetën e Krishtit të Ngjallurit". Është "një braktisje besimplotë" ndaj Tij pavarësisht "paradoksit të madh" të një thirrjeje "kaq të lartë", edhe pse ata që e marrin këtë thirrje, pranon Papa, kanë "kufizimet e tyre dhe nuk janë të përsosur, shpesh të shënuar nga dobësia dhe lodhja, ndonjëherë nga plagët". Por nëse zemra njerëzore është "e cënueshme", bashkimi "i zemrës sonë me Zemrën e Krishtit nuk është një përvojë që i rezervohet vetëm një pakice të zgjedhur". Përkundrazi, është "një udhëtim sakramental, eukaristik, që zhvillohet në jetën e përditshme".

Kundrues në veprim

Nëse kërkojmë bashkim me Jezusin, vazhdon Papa Leoni, "shenjtëria, e cila më kot kërkohet me përpjekje të izoluara, do të na shfaqet ashtu si është: i përgjigjet hirit që na paraprin, na mbështet dhe na shndërron". Dhe pastaj gjithçka, na siguron Papa – lutja, shërbesa, marrëdhëniet, lodhja, gëzimet dhe dështimet, madje edhe koha që duket se e kemi humbur ose dashuria që duket e humbur – gjithçka bëhet një vend ku na shfaqet Zoti dhe dashuria e tij e pafundme." Shembulli për të cilin duhet të përpiqemi, nënvizon Papa, është ai i "meshtarit me një zemër të plotë, të thjeshtë dhe të pastër" i cili shndërrohet kësisoj në një: "kundrues në veprim, i mëshirshëm, besnik në sprova, i gëzuar kur dhuron vetveten". Një bari, nënvizon Papa, për të cilin "bota ka shumë nevojë", një që nuk na jep "thjesht fjalë apo programe, por dëshminë e gjallë të një zemre të pajtuar".

"Ta bëjmë zemrën e Krishtit të rrahë brenda nesh"

Leoni XIV përsërit se "përgjigja për thirrjen për të qenë të shenjtë nuk qëndron edhe aq shumë në përpjekjet që të jemi si murgj apo të përsosur, të cilat janë të nevojshme, por në besnikërinë e plotë kundrejt dashurisë së zbuluar në Zemrën e shporuar të Jezusit". Kjo dashuri nuk zbulohet "te largësia e paarritshme e një përsosmërie të veçantë", por "e dorëzon veten deri në atë pikë sa mund të plagoset dhe për këtë arsye mund të bëhet gurrë mëshire dhe jete".

“Ajo Zemër e bekuar”, pohoi Papa, “është ‘vendi’ ku shenjtëria na zbulohet si afërsi dhe butësi”. Me fjalë të tjera, këto janë cilësitë themelore të një meshtari. Për këtë arsye, përfundon Leoni XIV, “na kërkohet të kemi një marrëdhënie me Zotin që nuk na largon nga njerëzit, por na bën të afërt me të gjithë, që formon zemra të durueshme, të buta, në gjendje të shfaqin afërsi dhe dhembshuri”. Zoja jonë, “që ruajti misterin e Birit të saj në zemrën e saj, na mësoftë ta ruajmë dhe ta bëjmë Zemrën e Krishtit të rrahë brenda nesh”.

12 qershor 2026, 13:57