Papa tek këmbët e Virgjërës së Montserratit: urrejtja t'ia lërë vendin shpresës dhe paqes!
R.SH. / Vatikan
"Jam i lum që mund të vij tek këmbët e Morenetës, për t'ia dorëzuar, plot besim në ndërmjetësimin e saj amtar, shërbesën time Petrine dhe misionin e Kishës në botën, që ngre zërin për drejtësi dhe paqe".
Në ditën e dytë të etapës katalane të udhëtimit të tij apostolik, Papa Leoni XIV arriti në një nga vendet më ikonike shpirtërore në Spanjë. Malet, mbi të cilat është vendosur Abacia e Zojës së Montserratit, 700 metra mbi nivelin e detit, ruajnë devocionin e lashtë, historitë e flijimit, të shpresës dhe të martirizimit. Zërat qiellorë të këngëve të fëmijëve të Escolanías më të vjetër të Evropës, rreth një mijë të pranishëm sot, e mirëpritën Pasardhësin e Pjetrit, duke e lartuar lutjen me solemnitet dhe ëmbëlsi unike. Edhe Shën Injaci i Loyolës, themelues i Shoqërisë së Jezusit, i gjeti këtu kushtet për ta hedhur armaturën e tij kalorësiake dhe për të filluar misionin në shërbim të Zotit. Leoni e kujton këtë, duke theksuar se si Jezusi na tregon rrugën e mëshirës, të pajtimit, të së vërtetës dhe të butësisë.
"Të ngjeshim vetëm armaturën e Zotit"
Në të njëjtën kohë, Ati i Shenjtë Prevost demaskon dhunën që mund të fshihet në fjalët dhe qëndrimet tona: kritikën që poshtëron, dënimin që shkatërron, agresionin që përçan. Kjo dhunë e fshehur shpesh mund të vishet me armaturën e dukshme, me të cilën kërkojmë të mbrojmë plagët tona, frikën tonë ose vuajtjet e shkaktuara nga padrejtësia. T’i lartojmë sytë drejt Marisë dhe t'i lutemi asaj të na ndihmojë ta ngjeshim veten vetëm me armët e Zotit.
Ta ulim armaturën, që na ngurrosë zemrat
Ashtu siç bëri mbrëmë në vigjiljen me të rinjtë në stadiumin e Barcelonës, sot Leoni XIV ripohoi, me fjalët pas lutjes së Rruzares, duke na nxitur t’i flakim tutje maskat që i mbajmë çdo ditë. Mesazhi i Papës kërkon që secili prej nesh të jetë pa filtra apo superstruktura, ashtu siç është, bazë mbi të cilin mund të ndërtojmë marrëdhënie besimi të ndërsjellë dhe të mirës së përbashkët.
T’i vendosim sot, tek këmbët e Saj, armët që gradualisht na i bënë zemrat gur!
"Bashkimi qoftë më i fortë se çdo ndarje".
Pamja e Virgjërës së Montserratit na kujton Zojën Mari të ulur në fron me Krishtin Fëmijë në prehër, ndërsa në dorën e djathtë mban sferën e botës. Është një shenjë, kjo, e "forcës së paarmatosur dhe çarmatosëse të dashurisë", dhe e kujdesit që ajo i kushton njerëzimit. Papa na fton të shikojmë këtë thelb dashurie, duke ushqyer dëshirën për të derdhur të njëjtën dashuri mbi një krijim të plagosur, të zhgënjyer, të pikëlluar...
Ajo na fton të njohim njëri-tjetrin si vëllezër e motra, në mënyrë që askush të mos përjashtohet dhe bashkimi të jetë më i fortë se çdo ndarje.
Urrejtja t’ia lëshojë vendin shpresës dhe paqes
Lutja e fundit e Ipeshkvit të Romës na mëson si ta jetojmë jetën e përditshme duke mishëruar besimin në Krishtin në mjedise dhe karizma të ndryshme.
T’i lutemi Marisë, Mbretëreshës së Paqes, të na mësojë të heqim dorë nga fjalët fyese, gjykimet e nxituara, shprehjet e padëshiruara dhe shpifjet. E të mësojmë ta ruajmë dhe ta kultivojmë dashurinë në familjet tona, ndërmjet miqve, në vendin e punës, në rrjetet sociale, në diskutimet politike dhe në bashkësitë e krishtera, në mënyrë që urrejtja t’ia lëshojë sakaq vendin shpresës dhe paqes.
