Leoni XIV të rinjve: tepër zëra mashtrojnë e shesin, kërkoni të vërtetën që mbetet

Mbrëmë, në Plaza de Lima të Madridit me afërsisht 600,000 besimtarë, në fund të ditës së parë të udhëtimit të tij apostolik në Spanjë, Papa iu përgjigj pyetjeve të të rinjve dhe të rejave, duke kujtuar vitet e tij si misionar në Peru dhe dëshminë e një feje "të penguar nga shumë vështirësi, por edhe plot me shpresë": të jini plotësisht "njerëzorë", "fytyra të besueshme" e jo “në dukje" për bashkëmoshatarët tuaj: shijojeni jetën pa pritur pasuri, kënaqësi apo pushtet.

R.SH. / Vatikan

"Nëse të rinjtë do të ndodheshin përballë pyetjes: 'A doni të shkoni të shihni Bad Bunny - apo Papën?' mendoj se shumë do të shkonin të shihnin Bad Bunny-n. Por mendoj se do të ketë edhe për të parë Papën. E kjo gjithashtu thotë shumë". Ka shumë, "një mijë", zëra që janë në garë për të kapur një pjesë gjithnjë në rritje të vëmendjes së brezave të rinj. Dje paradite, më 6 qershor, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë fluturimit nga Roma - në Madrid, Papa pranoi fuqinë e fenomeneve, si ajo e këngëtarit të famshëm portorikan, koncerti i të cilit në kryeqytetin spanjoll përkoi me vigjiljen e lutjes së organizuar mbrëmë në Plaza de Lima në muzg, ditën e parë të udhëtimit të tij apostolik në Spanjë. Këtu zërat janë 600.000, e "zhurmës" bashkëkohore, e cila shumë shpesh mashtron dëshirat, blen "pa ushqyer" dhe bërtet "për fitim", Papa Leoni XIV i ofron heshtjen: heshtje e cila na çliron nga koha që kalon e mbetet. Një ide, që bëhet jetë, një fytyrë konkrete dhe jo në dukje, e aftë të gjejë kuptim në atë që tashmë ekziston, pa pritur zotërime, kënaqësi ose pushtet.

Shenjtorët që e udhëhoqën Leonin

Duket pothuajse paradoksale të kërkohet heshtja, kur britmat e të rinjve entuziastë mbytin një nga rrugët më të ngarkuara të qytetit, vetëm pak hapa larg amplifikatorit të zhurmës, që është stadiumi Santiago Bernabéu, shtëpia e Real Madridit. Megjithatë, sapo mbërritja plot gjallëri në papamobil mbaroi, atmosfera u bë më intime ndërsa Papa u foli të rinjve për modelet e tij. Nëse përgjigjja "Shën Augustini" do të dukej e qartë, Leoni XIV, në vend të saj, përshkroi tri figura të tjera që e shoqëruan në udhëtimin e tij të fesë. Duke nisur nga Shën Gjon Krizostomi, i njohur si "goja e artë" për elokuencën e tij, ishte prift dhe ipeshkëv.

E shfrytëzoj këtë rast për t'ju thënë të gjithëve ju: mos kini kurrë frikë të mendoni për thirrje në jetën meshtarake, jetën fetare ose shërbime të tjera në Kishë!

Shën Gjoni e preku të riun Robert Francis Prevost me "katekizmat" e tij të afta për të kombinuar "dashurinë për të vërtetën dhe drejtësinë e jetës së tij". Pastaj ishte Toma i Villanovës, dishepull i ipeshkvit të shenjtë të Iponës e reformator i Kishës në Spanjë, bamirësia e zjarrtë e të cilit, kujtoi Papa, “më inkurajoi në kohë sprovash". Së fundi, edhe Shën Turibius de Mogrovejo, shembull i "përkushtimit ndaj popullit", ungjillëzues i palodhur dhe zë kundër "abuzimit dhe korrupsionit kolonial" në misionin e tij në Peru.

Vështirësi e shpresa në mision

Referenca ndaj vendit latino-amerikan është e menjëhershme: pikërisht atje Papa, atëherë misionar dhe ipeshkëv, kaloi disa vite të jetës. Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga Maria José Secada, peruane njëzet e një vjeçare, që mbërriti në Spanjë vetëm tre vjeçe, kujtoi në veçanti dëshminë e fesë së një populli "me shumë vështirësi, por edhe plot me shpresë".

Ishte pikërisht ky takim me plagët dhe gëzimet e njerëzve, që më bëri të rritesha në udhëtimin tim të ndjekjes së Jezusit. Ndërsa e shpallja, edhe unë u shndërrova nga Ungjilli, u transformova nga jeta dhe feja e këtyre njerëzve, shpesh shumë të varfër materialisht, por të pasur në fe, e duke e jetuar këtë përvojë, këtë fe në Fjalën e Zotit, pashë se si Fjala e Zotit mund ta shndërrojë konfliktin në paqe, mund të jetë burim pajtimi, paqeje dhe drejtësie.

I lirë nga zhurma

"E duam!" është thirrja spontane e Myriam Más - e famullisë së Santa Teresa de Jesús në Tres Cantos, 23 kilometra nga Madridi - e cila flet për temën e njohjes së zërit të Zotit, ndërmjet shumë të tjerave. Këtu vjen referenca ndaj heshtjes, kur "shpesh ecim me kufje, me muzikë, me gjëra që të shpërqendrojnë" dhe përpiqemi të "dallojmë zërin e Zotit".

Kur kërkojmë heshtjen, vendosim çka të mos dëgjojmë dhe nga cilat zhurma të mos shpërqendrohemi. Duke u çliruar nga zhurma e një mijë zërave, e kuptojmë se disa na mashtrojnë dëshirat, të tjerë na blejnë pa na ushqyer, të tjerë flasin për përfitimin e tyre. Në heshtje, ne kuptojmë se ideologjitë kalojnë, ndërsa e vërteta mbetet.

“Zoti e njeh mirë zërin tonë”

“Kërkoni gjithnjë të vërtetën”, përsërit Leoni, në mes “të kaq shumë gjërave në mediat sociale” që mashtrojnë dhe “tregojnë gënjeshtra”.

Kërkojeni gjithnjë të vërtetën. Zoti është e Vërteta, e nëse diçka ju largon nga Zoti, nuk është e vërtetë. Mos e harroni këtë.

Një siguri e shoqëruar nga ideja se Zoti “e njeh mirë” secilin prej zërave tonë, e dëgjon dhe i përgjigjet në lutje: një zë i çliruar nga nevoja për t’u shfaqur ose për t’u justifikuar para të tjerëve.

Adhurimi Eukaristik, të cilin e ndajmë sonte, është pikërisht vendi i duhur për të heshtur, për të çliruar zemrat tona dhe për të folur para Zotit, duke u angazhuar në dialog me Të, elokuentë në dashurinë e Tij, të bërë ushqim për të gjithë njerëzimin.

Shenjtëri jete, jo ide

Nga njohja e zërave - deri te dëshmia e besimit, Papa u bën thirrje gjithashtu atyre me përgjegjësi edukative: “Askush prej nesh nuk lind mësues; të gjithë jemi dishepuj të Zotit”. Dhënia e dëshmisë vjen para së gjithash nga qëndrueshmëria.

Është e rëndësishme të kuptohet se askush nuk është vetëm, kur beson në Jezusin. Shikoni sa shumë prej jush jeni këtu! E kështu, edhe në komunitete, në grupe rinore, në familje, të gjithë mund të mësojmë të vlerësojmë bukurinë e fesë sonë. Në të vërtetë, duke ndarë udhëtimin tuaj shpirtëror, dëshira për të ndjekur Jezusin do t'ju ripërtërijë vazhdimisht.

Një "zjarr", ky i dashurisë hyjnore, të cilin Papa na nxit të mos ndalojmë kurrë s’e kërkuari, veçanërisht në rënie, në mënyrë që pastaj të jemi të aftë për ta zgjatur dorën.

Është aty që feja në Jezu Krishtin gjallërohet dhe është aty që Jezusi do të na ndihmojë të mbështesim njëri-tjetrin gjatë rrugës.

Të jetosh në shoqëri si të krishterë të rinj

Ndikimet e së tashmes nuk duhen përjashtuar a priori. Fernando, një i ri i fejuar, pyet a jetohet si besimtarë të përkushtuar në shoqërinë bashkëkohore, ashtu si besimtarët gjatë shekujve të historisë së Kishës. Para se të përgjigjet, Papa e përgëzon të riun dhe sqaron një koncept:

Nëse thashë më parë, "Mos kini frikë të mendoni për një thirrje", martesa është gjithashtu një thirrje. Mos kini frikë nga martesa dhe krijimi i një familjeje!

Lidhur me pyetjen e Fernandos, Papa Leoni XIV përgjigjet duke cituar Letrën drejtuar Diognetit për të përshkruar dishepullimin: "Siç është shpirti në trup, ashtu janë të krishterët në botë".

Dishepujt e Jezusit janë gjithmonë bashkëkohorë, por kurrë të burgosur të kohës që kalon. Në Krishtin ne jemi të lirë! Krishti na ka çliruar me dashurinë e tij. Falë kësaj dashurie, mbetemi gjithmonë të lirë nga çdo tendosje dhe mashtrim. Jemi të lirë nga moda, sepse jemi dishepuj të së vërtetës; jemi të hapur ndaj së ardhmes, sepse e dimë se vdekja nuk na pret.

Entuziazëm i motivuar nga feja

Nga kjo perspektivë, Papa Leoni XIV i inkurajon të rinjtë t'i japin një "drejtim të ri" shoqërisë ku jetojnë, duke u bërë protagonistë të ndryshimit të saj, e duke filluar nga jeta e përditshme.

Duke ju parë ju, të dashur të rinj, të mbushur me këtë entuziazëm ngjitës të motivuar nga besimi, e mendoj me shpresë aftësinë tuaj për ta dëshmuar Krishtin në botë, përfshirë botën dixhitale, për të komunikuar vlerat dhe bukurinë e Ungjillit.

Përtej indiferencës dhe çkujdesjes

Transformim i shoqërisë, vazhdon Ipeshkvi i Romës, do të thotë ta banosh atë me mençuri, duke shkëlqyer "si në gëzim e ashtu në sprovë", e duke i dhënë shije realitetit.

Si person që e merr shijen e jetës brenda vetes, pa pritur që t’ia japin pasurinë, kënaqësinë a pushtetin”.

Një liri që rrjedh nga feja. Që kur mungon, e than shijen jetës.

Përballë boshllëkut të indiferencës dhe kotësisë, përballë dhunës së luftës dhe gënjeshtrave, qofshi vetë shkëndija e një njerëzimi të ri.

Misioni i besuar nga Papa

Së fundmi, kur María Azargui 21 e JOC (Punëtorëve të Rinj të Krishterë), i kërkon t'u besojë një mision, Papa i nxit të rinjtë të jenë thjesht, por jo lehtësisht, "njerëzorë". Të ofrojnë "fytyra të besueshme" dhe jo "pamje", të kërkojnë drejtësi ashtu siç kërkojnë bukë kur janë i uritur dhe të dëshirojnë një jetë të ndershme, "duke u bërë me dëshirë të tjerëve - atë që ata do të donin t'ua bënin atyre".Jini njerëz, siç është Krishti, njeriu i përsosur, i Ngjalluri që ndan historinë me ne, në çdo epokë. Duke kultivuar këtë angazhim, 

shikoni Apostujt, të krishterët e parë, banorë të një bote pagane. Duke ndjekur shembullin e tyre, jini misionarë të Ungjillit përballë varfërisë materiale dhe shpirtërore të kohës sonë, duke e ditur plotësisht se besimi ynë është mënyrë jetese, e përmbushur në bamirësi. Ky, të dashur të rinj, është virtyti që, më shumë se çdo tjetër, ndryshon historinë. Ju mund ta ndryshoni historinë! Bëjeni me dashuri.

Përshëndetja e kardinalit, argjipeshvit  Cobo Cano

Fjalës së Papës i parapriu një fjalim mirëseardhjeje nga Kardinali Kryeipeshkëv Metropolitan i Madridit, José Cobo Cano. Kardinali shpjegoi se banorëve të kryeqytetit spanjoll u pëlqen të mburren "ngaqë kanë ngjyra të veçanta të qiellit", veçanërisht në perëndim të diellit. Dhe është lart, siç kujton motoja e udhëtimit apostolik, që Cobo Cano na fton të shikojmë, "në mënyrë që të mos mbetemi të mbyllur në të tashmen ose në dëshpërim" dhe ta dëgjojmë zërin e Zotit, i cili pyet çdo të ri: "Për kë është jeta juaj?".

Një pyetje së cilës shumë të rinj e kanë të vështirë t'i përgjigjen: plot entuziazëm dhe vitalitet, por edhe vuajtje, të prekur nga pasiguria, vetmia, tragjeditë e migrimit të detyruar dhe vetëvrasjes.

"Prandaj kemi nevojë për fjalën e tij", deklaroi Kardinali. Sepse "historia e secilit" mbetet për t'u shkruar, "e Zoti nuk ka pushuar së numëruari askënd. Sot e shkruajmë atë së bashku me Atin e Shenjtë".

07 qershor 2026, 14:08