Leoni XIV të rinjve: lumturia nuk vjen nga mediat sociale, por nga takimi me Zotin

Në videomesazhin e tij për 50-vjetorin e Konferencave Verore Rinore të Steubenville, Papa na fton të rizbulojmë trashëgiminë e Shën Françeskut të Asizit. Paqja e vërtetë është një dhuratë nga Zoti për t'ia sjellë botës, ndërsa gëzimi i përsosur nuk gjendet në të mirat materiale ose në përdorimin e telefonave tanë, por te marrëdhënia e gjallë me Krishtin. Papa bëri thirrje ta ndjekim thirrjen tonë në jetë me besim.

Vatican News

Bëhuni mjete të paqes, "duke e sjellë atë në familjet tona, bashkësitë tona, vendet tona dhe në të gjithë botën". Kjo është detyra që Leoni XIV ua beson të rinjve të mbledhur, në vise të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, me rastin e «Konferencave Verore Rinore Steubenville». Në pesëdhjetëvjetorin e këtij takimi, mbështetur nga Universiteti Françeskan i Steubenville, Ohio, dhe në tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut, Papa zgjodhi ta hapte videomesazhin, të transmetuar anglisht këtë mbrëmje, më 19 qershor, me një reflektim mbi Varfanjakun e Asizit.

"Do të ishte me vend të reflektonim mbi mesazhin që Shën Françesku do t'u jepte të rinjve sot", tha Papa, duke imagjinuar se "ai mund të na fliste për shumë gjëra, por veçanërisht për paqen e vërtetë dhe harenë e përsosur", tema që ishin "pjesë e rëndësishme" e jetës së tij.

Paqe e vërtetë

Kushdo që e kishte takuar Shën Françeskun në rrugët e Asizit në shekullin XIII do të kishte parë një burrë me një buzëqeshje "të këndëshme dhe të dashur", duke shqiptuar përshëndetjen "Paqe dhe mirësi!", që shpreh "një nga dëshirat që kishte në zemër".

Edhe ne mund të pyesim veten: A dëshiroj paqe të vërtetë për ata që hyjnë në kontakt me mua? A i trajtoj të tjerët në një mënyrë që u sjell atyre paqe?

«Nuk është gjithmonë e lehtë», pranon Papa, dhe nganjëherë sjellja jonë shkakton, edhe tek ata që i duam, «zhgënjim dhe konflikt në vend të paqes». Megjithatë, duhet të kujtojmë se Shën Françesku ia doli ta «mbjellte» paqen «jo nëpërmjet përpjekjeve të veta, por sepse zotëronte brenda vetes burimin e paqes së vërtetë». Paqja, përsërit ai, është «një dhuratë nga Zoti», të cilën mund ta përdorim si instrumente në çdo fushë të jetës. Papa i fton të rinjtë «të përfitojnë nga momentet e heshtjes gjatë kësaj konference për të zbuluar paqen e Krishtit».

Një gëzim i çuditshëm

Pastaj Ipeshkvi i Romës thellohet në një cilësi tjetër të Shën Françeskut, që shkon bashkë me paqen e vërtetë: gëzimin e përsosur.

Shën Françesku njihej gjithashtu si një person veçanërisht i gëzueshëm. Ai gëzohej për bukurinë e krijimit, për mirësinë dhe mëshirën e pafundme të Zotit dhe për kthimin në fe të mëkatnorëve.

Megjithatë, "gëzimi i përsosur", siç e kuptonte Varfanjaku i Asizit, "mund të na çudisë", vazhdon Papa, duke treguar se një mbrëmje dimri, duke u kthyer në Asizi, shenjti i renditi  fra Leonit, një nga anëtarët e parë të Urdhrit Françeskan, një varg gjërash " 'të mira', por që nuk çojnë në gëzim të përsosur". Kur frati e pyeti "ku mund të gjendet gëzimi i përsosur", Françesku "përshkroi një situatë tragjike plot vuajtje nga të ftohtit, me uri dhe refuzim – e kundërta e asaj që do të priste dikush – duke shtuar më pas se kur këto vështirësi pranohen me durim, pa ankesa dhe me dashuri për Zotin" ky është gëzimi i vërtetë.

A është vërtet e mundur të përjetojmë gëzim në rrethana kaq të vështira? Është e mundur vetëm nëse jeta jonë është e bazuar në marrëdhënien tonë me Zotin si një atë i dashur.

Larg mediave sociale dhe sipërfaqësisë

Në fakt, sqaron Papa, gëzimi për të cilin foli Shën Françesku "nuk mund të gjendet te pajisjet elektronike, duke kaluar orë të tëra para një ekrani ose duke përdorur pafundësisht mediat sociale çdo ditë". Në të vërtetë, këto janë veprimtari që "humbin kohë të çmuar" që përndryshe do të përdorej "për momente lutjeje në heshtje, duke kultivuar miqësi të vërtetë, duke kaluar kohë cilësore me familjen, duke mësuar më shumë rreth besimit, duke studiuar ose duke bërë sport".

Në të njëjtën kohë, gëzimi "nuk duhet të kërkohet kurrë përmes përdorimit të drogës, abuzimit me alkoolin, shthurjes seksuale, marrëdhënieve sipërfaqësore, obsesionit me imazhin tonë ose përmes çdo lloj sjelljeje tjetër të dëmshme". Dhe çuditërisht, shton Papa, "ai nuk mund të gjendet as në gjëra të tilla si pasuria, bukuria, fama apo edhe shëndeti, sepse një ditë do t'i lëmë pas të gjitha këto ".

Vetëm dashuria e Zotit mund të na japë gëzim të vërtetë dhe të përsosur. Nëse jemi thellësisht të bindur se Zoti kujdeset për ne si për fëmijët e tij të dashur, nuk do të çoroditemi e as nuk do të na lëshojë zemra, madje as në situata të vështira.

Sekreti i lumturisë

Pra, Leoni XIV këmbëngul te vetëdija për dashurinë e Zotit dhe u zbulon të rinjve "sekretin" për t'u përballur me rrethana sfiduese "me një buzëqeshje": "Nëse kultivoni një marrëdhënie besimi me të, përmes lutjes së rregullt, përmes marrjes së sakramenteve, nëse e lëshoni veten në duart e Tij, atëherë ankthi, trishtimi dhe vetmia do të zhduken ndërsa hiri i tij ju mbush dhe dashuria e tij ju kall zemrën."

Mesazhi i Shën Françeskut – dhe i imi – është i thjeshtë: paqja e vërtetë dhe gëzimi i përsosur janë dhurata nga Zoti, që vijnë kur i hapemi atij dhe i besojmë fuqisë së tij për të na ndryshuar.

Mos kini frikë nga thirrja juaj.

Në këmbim të një dashurie kaq të madhe, është e mundur të dhuroni veten, sepse ka nevojë për misionarë që ua sjellin Fjalën atyre që nuk e njohin, për "burra dhe gra të shenjta që u japin jetë familjeve katolike", për "meshtarë që janë etër shpirtërorë dhe ministra të sakramenteve", si dhe për rregulltarë e rregulltare që janë dëshmitarë të "gëzimit të vërtetë".

Papa na inkurajoi më pas secilin prej nesh të ndjekim thirrjen tonë, pa u trembur dhe duke folur për të me dikë të cilit i besojmë.

Në fund, Papa ia besoi të rinjtë Zojës Sonë, dha bekimin e tij dhe uroi që të rinjtë e mbledhur të kalojnë ditë "të mbushura me dashurinë e Krishtit" bashkë me të rinj të tjerë "që dëshirojnë t'ia japin jetën e tyre plotësisht Atij dhe, duke vepruar kështu, të gjejnë lumturinë e vërtetë".

19 qershor 2026, 14:23