Kërko

Leoni XIV: të moshuarit, mësuesit e një jete që nuk matet me efikasitetin Leoni XIV: të moshuarit, mësuesit e një jete që nuk matet me efikasitetin

Leoni XIV: të moshuarit, mësuesit e një jete që nuk matet me efikasitetin

Në një letër të nënshkruar nga Sekretar i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, dhe drejtuar kardinalit prefekt të Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, Farrell, me rastin e takimit mbi veprimtarinë Baritore të të moshuarve, Papa vë në dukje vlerën e brishtësisë si „pjesë e asaj mrekullie që jemi“ dhe dëshmon se si vlefta autentike e jetës bazohet te „aftësia për të dashuruar e për t'u lënë në dorë të dashurisë“.

Vatican News

Të përqafohet pa druajtje ajo brishtësi që sjell kalimi i moshës, për t'u bërë dritë frymëzimi për brezat e rinj mbi vlerën e një ekzistence që „nuk matet me kutin e efikasitetit apo të vetëmjaftueshmërisë, por me aftësinë për të dashuruar e për t'u dashuruar, për të dhuruar e për të marrë“. Kjo është zemra e letrës së Papa Leonit XIV, e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, drejtuar kardinalit Kevin Joseph Farrell, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, me rastin e takimit mbi veprimtarinë baritore kushtuar të moshuarve. Ky takim mbahet sot, e mërkurë 10 qershor, në Romë, në Sallën „Piu XI“ në Palazzo San Calisto, mbi temën domethënëse: „Një urë drejt qiellit. Mësimi i brishtësisë në kohën e forcës“.

Vlera e dobësisë

„Sot, në shumë anë të botës, njerëzit në moshë të thyer kanë ende mjaft energji për të vënë në shërbim të komunitetit“, shkruhet në letër. Megjithatë, teksti i Papës nxjerr në dritë një përmasë edhe më të thellë të pleqërisë: vlerën e vetë dobësisë. Rritja e jetëgjatësisë në ditët tona sjell me vete edhe një zgjatje të stinës së brishtësisë. Sipas Atit të Shenjtë Leoni XIV, kjo gjë hap hapësira për reflektime të reja mbi kuptimin e kësaj faze të jetës: çfarë vlere duhet t'u veshim viteve të shumta që një njeri mund t'i kalojë në kushtet e një dobësie fizike apo mendore? Me çfarë syri të krishterë duhet ta jetojmë këtë kohë? Si mund ta dëshmojmë se jeta njerëzore ruan gjithmonë, në çdo fill e hap të saj, „dinjitetin e saj të pafundmë“?

Përmbi logjikën e garës dhe të suksesit

Vetë Papa Leoni XIV, duke iu drejtuar të rinjve, pat thurur lavde për „mrekullinë e pleqërisë e brishtësisë“. Edhe këtë herë Ati i Shenjtë u drejtohet brezave të rinj, që të marrin mësime nga „mësuesit e vërtetë të jetës“: të moshuarit. Përmes pranimit plot paqe të kufizimeve që sjell mosha, të moshuarit mund të zbulojnë në këtë fazë një kohë hiri, në një shoqëri që sot dominohet „nga logjika e rendimentit a prodhueshmërisë dhe e konkurrencës“, ku forca shpesh shihet vetëm si shfaqje pushteti dhe rrezikon të kthehet në shtypje. Përballë këtyre qëndrimeve, përfundon letra e Papës, Kisha vazhdon të lartësojë mesazhin e Ungjillit, i cili i shpall të lumtur të butët dhe të përvuajturit me zemër, duke parë te të moshuarit – përmes përvojës dhe urtësisë së tyre – dëshmitarët e parë dhe më autoritarë të këtij vizioni të krishterë për njeriun.

 

10 qershor 2026, 10:37