Leoni XIV: të mbrohen të dhënat e pacientëve nga "kolonializmi i tekno-shëndetësisë
R.SH. / Vatikan
Mbrojtja e privatësisë dhe e të dhënave shëndetësore nuk është më thjesht një çështje burokratike, por një urgjencë themelore e kohës sonë. Ky është alarmi i ngritur nga Papa Leoni XIV, përmes një mesazhi të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, dhe drejtuar Kryeipeshkvit imzot Renzo Pegoraro, President i Akademisë Papnore për Jetën.
Mesazhi u dërgua me rastin e takimit të tretë ndërkombëtar të mbajtur në Romë, i cili u përmbyll sot, më 2 qershor, kushtuar rishikimit të "Deklaratës së Taipeit" – dokumenti rregullator i Shoqatës Botërore të Mjekësisë (WMA) për mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave shëndetësore dhe mostrave biologjike.
Rreziku i një imperializmi të ri teknologjik
Në tekstin e bërë publik, Ati i Shenjtë Leoni XIV tërheq vëmendjen mbi evolucionin e shpejtë teknologjik dhe bën thirrje për një përditësim të menjëhershëm të politikave të sigurisë mbi biobankat dhe bazat e të dhënave shëndetësore. Duke cituar paragrafin 178 të Enciklikës së tij të fundit, Magnifica humanitas, Papa denoncon shfaqjen e një "forme të re kolonializmi" që synon t’i shndërrojë jetët njerëzore, thjesht, në të dhëna për t'u shfrytëzuar ekonomikisht.
Sipas Selisë së Shenjtë, ky "imperializëm i informacioneve" e zhvesh pacientin nga aspekti tij njerëzor dhe e kthen atë në një mall tregu.
"Çdo person njerëzor është një individ i papërsëritshëm dhe unik me vlerë të paçmueshme, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit", kujton Kardinali Parolin në mesazhin e Papës, duke cituar librin e Zanafillës. "Prandaj, njeriu duhet të mbrohet nga të gjitha format e shfrytëzimit që kërkojnë ta reduktojnë personin në një seri të dhënash".
Bashkëpunimi shkencor për të mirën e përbashkët
Takimi dyditor kushtuar rishikimit të Deklaratës së Taipeit mbi ruajtjen e informacioneve shëndetësore, që filloi dje në sallën "Pio X" në Vatikan, u promovua nga Akademia Papnore për Jetën, Shoqata Botërore e Mjekësisë dhe Shoqata Mjekësore Izraelite.
Në mbyllje të punimeve, Papa Leoni XIV përcolli bekimin e tij apostolik për të gjithë mjekët dhe ekspertët pjesëmarrës, duke shprehur besimin se vendimet e marra në këtë samit do të shërbejnë për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe për të garantuar që njohuria shkencore të mbetet gjithmonë një e mirë e përbashkët.
