Kërko

Leoni XIV: të kapur pas Kryqit për të lundruar në detin e trazuar të këtij shekulli

Në Katedralen e Shën Anës, në Las Palmas, Papa takon ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët e rregulltaret, seminaristët dhe punonjësit baritorë të Kishës katolike të Ishujve Kanarie. Nga Papa vjen inkurajimi për të ndihmuar “vëllezërit dhe motrat e kryqëzuar nga dramat e jetës”. Angazhimi i ipeshkvit Mazuelos: “jemi Kishë e kufirit, e hapur, mikpritëse dhe e mësuar me takimin mes kulturave”.

R.SH. – Vatikan

Nga një ishull i vetmuar në oqeanin Atlantik, në Las Palmas de Gran Canaria, Leoni XIV flet për mënyrën se si ndërtohet një Kishë solide, e aftë për të përshkuar “detin e këtij shekulli”. Papa, në ditën e tij të parafundit të udhëtimit apostolik në Spanjë, u takua në katedralen e Shën Anës, në fillim të pasdites së sotme, 11 qershor, me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët dhe rregulltaret, seminaristët dhe punonjësit baritorë të Kishës katolike të Ishujve Kanarie. Për të ndërtuar, shpjegoi Papa në fjalimin e tij në gjuhën spanjolle, nevojitet fillimisht një gur themeli: Krishti. Mbi Të duhet të mbështeten dy qëndrime shpirtërore thelbësore për Kishën e kohës sonë, "për të qenë 'arkitektë të urtë' në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë".

Të përqafojmë Kryqin për të përshkuar historinë

“Kanarianët vendas ose ata të adoptuar”, tha Ati i Shenjtë Leoni XIV, janë të mësuar të jenë të rrethuar nga “prania madhështore e detit”, gjë që shtyp tek ata “një nostalgji të vërtet për pafundësinë”. Por gjithashtu edhe “një zemër të ndjeshme, të gatshme për të përcjellë me një lot atë që ikën dhe për të pritur me krahë hapur atë që mbërrin”. Krishti, siç pohon Shën Augustini në Komentin e tij për Ungjillin sipas Gjonit, i cituar nga Leoni XIV, “na ka siguruar drurin me të cilin do të përshkojmë detin”.

Ky është qëndrimi i parë që na udhëheq për të lundruar në ujërat e jetës dhe për të mbërritur në destinacion, në atdheun qiellor: të përqafojmë kryqin e Krishtit. [...] Shenjtorët provuan nostalgjinë e Zotit dhe, duke u përballur me stuhitë e jetës, ditën ta merrnin Jezusin në varkat e tyre, patën besim tek Ai, përqafuan kryqin dhe kështu fashitën dallgët e pasigurisë dhe të frikës.”

Papa citoi shembullin e të Nderuarit Antonio Vicente González, një meshtar dioqezan që jetoi në gjysmën e parë të shekullit XIX: një model bamirësie dhe përkushtimi ndaj të afërmit, deri në flijimin e jetës, si Krishti. Gjatë një epidemie kolere që shpërtheu në vitin 1851, ndërsa shumë njerëz braktisnin qytetin, “bariu i mirë kanarian”, siç e quajnë, mbeti pranë të sëmurëve. Ai organizoi vepra ndihme, shndërroi strukturat famullisë kishtare në vende kurimi dhe u kujdes personalisht për të lënguarit, derisa u prek edhe ai vetë nga sëmundja dhe vdiq shumë i ri, në moshën 34-vjeçare, duke asistuar të infektuarit. Një dëshmitar autentik i Ungjillit “në këtë kohë të re të historisë, jo pa turbullira dhe kontradikta”, nga i cili Kisha lokale frymëzohet ende sot.

Udhërrëfyesi i parë, pra, është të përqafoni kryqin e Krishtit; dhe ju, për shembull, e bëni këtë çdo ditë si kirenianë, duke shoqëruar aq shumë vëllezër e motra të kryqëzuar nga dramat e jetës dhe duke i ndihmuar të mbajnë peshat e jetës së tyre. Ju falënderoj për këtë punë bujare dashurie dhe mëshire.”

Mikpritje dhe solidaritet për të qenë eukaristia

Pastaj, është e nevojshme “të kultivohet një spiritualitet Eukaristik”, i cili, siç nënvizon enciklika e Papa Leonit XIV, Magnifica humanitas, do të thotë para së gjithash të thellohet “një spiritualitet i unitetit kishtar në dashuri”. Një Kishë e bashkuar ishte pikërisht dëshira e Jezusit, nënvizoi Papa në fjalën e tij drejtuar klerit: një shenjë për t'u komunikuar, “që bota të besojë”.

Një mënyrë konkrete për të dëshmuar këtë spiritualitet bashkësie është solidariteti i krishterë (...). Prandaj ju inkurajoj të vazhdoni t’u ofroni të gjithëve dashurinë që ju vetë, nga ana juaj, keni marrë nga Zoti, një dashuri që kthehet në ushqim përmes mikpritjes, dëgjimit, afërsisë dhe kujdesit ndaj më të brishtëve.”

Në mbyllje të fjalës së tij, përpara se t'ia besonte Kishën lokale së Lumes Mari Virgjër, Stella maris (Ylli i detit), Papa inkurajoi dioqezën e Ishujve Kanarie “të ecë përpara e rrënjosur fort” në Krishtin, “për të vazhduar lundrimin me guxim në këtë kohë të re të historisë”.

Një Kishë e kufirit që mirëpret më të brishtët

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar Papës, ipeshkvi i Ishujve Kanarie, imzot José Mazuelos, konfirmoi se pozita gjeografike e Kishës lokale, në kufijtë e Evropës, ndikon thellësisht në llojin e punës baritore që nevojitet: “Dioqeza jonë zotëron një identitet të shënjuar thellësisht nga kushti i saj ishullor dhe kufitar. Ne jemi një Kishë e vendosur në mes të Atlantikut, një udhëkryq rrugësh mes Evropës, Afrikës dhe Amerikës. Kjo rrethanë ka brumosur historikisht shpirtin e popullit tonë: të hapur, mikpritës dhe të mësuar me takimin mes kulturave”.

Më tej, ipeshkvi i Ishujve Kanarie dëshmoi angazhimin e dioqezës së tij për t'i dhënë jetë praktike “solidaritetit të krishterë” dhe unitetit, duke e shndërruar brishtësinë e njerëzve në mision kishtar: “Pasiguria në punë e shumë familjeve, vështirësitë në sigurimin e strehimit, vetmia e të moshuarve, plagët emocionale të shumë familjeve dhe drama e migracionit që prek në mënyrë të veçantë brigjet tona. Përballë të gjithë kësaj – përfundoi ipeshkvi Mazuelos – Kisha përpiqet të qëndrojë pranë, duke ofruar dëgjim, shoqërim dhe ndihmë konkrete për ata që vuajnë më shumë”.

 

11 qershor 2026, 13:28