Leoni XIV: sporti të jetë shkollë vëllazërie e instrument paqeje
R.SH. / Vatikan
Sporti të jetë shkollë vëllazërie, instrument paqeje dhe hapësirë takimi. Kjo është lutja e Leonit XIV në videon mesazhin me ndjetin e lutjes për muajin qershor të shpërndarë sot, të martën 2 qershor, përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, në bashkëpunim me Dikasterin e Vatikanit për Komunikimin. Përmes fushatës multimediale “Lutu me Papën”, Leoni XIV i drejton përgjërimin e tij “Zotit të jetës”, duke falënderuar për dhuratën e sportit:
O Zot i jetës,
të falënderojmë për dhuratën e sportit,
për ata që përlëvdojnë Hyjin me ushtrimin e trupit,
për miqësitë që lindin në fushë sporti
dhe për gëzimin e të luajturit në skuadër.
Gjuhë universale e unitetit dhe respektit
Papa i kërkon prandaj Zotit që mjedisi dhe praktika sportive të jenë gjithmonë “një shkollë vëllazërie e jo rivaliteti, një hapësirë takimi dhe jo përjashtimi, një rrugë paqeje dhe jo dhune”.
Bëj, o Zot, që kush luan, trajnon apo mbështet
të zbulojë në sport një gjuhë universale
që afron kulturat, bashkon popujt,
dhe mbjell respekt, solidaritet e rritje personale.
Së fundi, në mbyllje të lutjes, Papa i drejtohet Hyjit duke iu përgjëruar që “të mos na mungojë kurrë Shpirti Yt, i cili na bën një skuadër të vetme, të bashkuar me Ty, për të ndërtuar bashkësi dhe vëllazëri në histori”.
Ngjarjet e mëdha sportive të qershorit
Lutja e Papa[s vjen në një muaj, atë të qershorit, të pasur me ngjarje sportive, siç është Grand Slam i tenisit, sport për të cilin vetë Leoni XIV është i apasionuar: të dielën e ardhshme, 7 qershor, do të përfundojë turneu i Parisit Roland Garros, ndërsa nga 29 qershori deri më 12 korrik Londra do të mikpresë garat e Wimbledon-it. Për më tepër, bota e futbollit po bëhet gati të zbresë në fushë për Kupën e Botës FIFA, e cila për më shumë se një muaj — nga 11 qershori deri më 19 korrik — do të luhet në gjashtëmbëdhjetë stadiume të tre vendeve të ndryshme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Askush ne fiton i vetëm
“Sporti është një nga ato hapësira unike ku njerëzimi takohet vërtet — thotë drejtori ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, jezuiti Atë Cristóbal Fones —. Është një urë dialogu që tejkalon kufijtë, gjuhët dhe ideologjitë. Në fushë, në pistë, në pishinë, njerëz të kulturave dhe kombeve të ndryshme ndajnë sforcimin, sakrificën, gëzimin e fitores dhe dhimbjen e humbjes”. Këmbëngulja, disiplina, “vlera e punës së bërë mirë, përulësia përpara limiteve tona”, vijon rregulltari Atë Fones, janë vlera që transmeton sporti, së bashku me diçka që, ndoshta, është ende “më e bukur”: “Na kujton se askush nuk fiton vërtet i vetëm. Kemi nevojë për tjetrin”. Ftesa e Papës për lutje gjatë muajit qershor, prandaj, shpreh shpresën që këto “vlera kaq njerëzore — respekti, solidariteti, rritja personale — të mos mbeten të mbyllura vetëm në fushën e lojës, por të shndërrojnë mënyrën tonë të të jetuarit së bashku në botë”.
Rreziku i diktaturës së performancës
Nuk është hera e parë që Leoni XIV reflekton mbi botën e sportit: mjafton të kujtojmë Letrën Jeta më bollëk, e botuar më 6 shkurtin e kaluar, me rastin e hapjes së Lojërave të XXV Olimpike Dimërore të Milano-Cortina. In atë dokument, Papa tërhoqi vëmendjen kundër diktaturës së performancës që mund të çojë në doping, kundër instrumentalizimit politik të sportit dhe kundër konsiderimit të sportit si një videogame. Duke propozuar vlerën e takimit, të marrëdhënies dhe të mirëpritjes, “shprehje më të thjeshta dhe më të thella të një njerëzimi të pajtuar”, Leoni XIV inkurajonte “fort” të gjitha Kombet që të rizbulonin dhe të respektonin Armëpushimin Olimpik, si instrument shprese, simbol dhe profeci të një bote të pajtuar.
Ushtrim marrëdhënieje
Më vonë, në prillin e kaluar, duke pranuar në audiencë atletët e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të Milano-Cortina, Papa Leoni XIV ripohoi të njëjtin vizion: “Në kohën e sotme, kaq të shënjuar nga polarizimet, rivalitetet dhe konfliktet që shpërthejnë në lufta shkatërruese — pati thënë Ati i Shenjtë —, angazhimi juaj merr një vlerë edhe më të madhe: sporti mund dhe duhet të shndërrohet vërtet në një hapësirë takimi! Jo një shfaqje force, por një ushtrim marrëdhënieje”.
Jubileu i sportistëve
Pastaj nuk mund të lihet pa u përmendur Jubileu i sportistëve, kremtuar në Romë në qershor të vitit 2025, në kuadër të Vitit të Shenjtë të Shpresës. Edhe në atë rast Papa Leoni XIV pati pohuar se “sporti është një rrugë për të ndërtuar paqen, sepse është një shkollë respekti dhe loje të ndershme (fair play), që rrit kulturën e takimit dhe të vëllazërisë”. “Në një shoqëri të shënjuar nga vetmia, ku individualizmi i skajshëm ka zhvendosur qendrën e rëndesisë nga 'ne' tek 'unë', duke përfunduar në injorimin e tjetrit”, pati shtuar Papa, sporti – veçanërisht kur është në skuadër – mëson vlerën e bashkëpunimit, të ecjes së bashku”, duke u bërë kështu një instrument i rëndësishëm i bashkimit dhe i takimit mes popujve.
Rrjeti Botëror i Lutjes
Vepër Papnore e besuar Jezuitëve, Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës është i pranishëm në mbi 90 vende të botës dhe bashkon një komunitet shpirtëror prej më shumë se 22 milionë njerëzish, të angazhuar për të jetuar çdo ditë me gatishmëri bashkëpunimin në misionin e Krishtit.
.
