Papa Leoni XIV gjatë audiencës dhënë anëtarëve të Universitetit Hebraik të Jeruzalemit. Papa Leoni XIV gjatë audiencës dhënë anëtarëve të Universitetit Hebraik të Jeruzalemit.

Leoni: në një kohë retorikash të ashpra, universitetet le të jenë vende dialogu

Në përshëndetjen e tij drejtuar Bordit të Administratorëve të Universitetit Hebraik të Jeruzalemit, mbledhur në Vatikan, Papa shqyrtoi lidhjen e ngushtë ndërmjet kërkimit të dijes dhe shkëmbimit të ideve. Arsimi i lartë është i thirrur të jetë "fener shprese dhe njerëzimi", duke sjellë paqe dhe harmoni midis bashkësive me të cilat bashkëveprojnë.

Vatican News

Dialog, shkëmbim idesh dhe mendimesh për të nxitur kërkimin e përbashkët të dijes. Ky është kuptimi më i thellë i çdo institucioni universitar, sot më shumë se kurrë i thirrur për të nxitur dialogun pa "retorikën therëse" që karakterizon epokën e tashme, duke u bërë një "fener" uniteti dhe duke ndihmuar në përhapjen e paqes dhe harmonisë midis kulturave të ndryshme.

Kështu e përshkroi Papa Leoni XIV detyrën e Universitetit Hebraik të Jeruzalemit, gjatë pritjes së anëtarëve të Bordit të Administratorëve të universitetit, sot paradite, më 18 qershor, në Sallën e Koncistorit, në Vatikan.

Mundësi takimesh

Duke kujtuar rolin historik të Qytetit të Vatikanit dhe të Romës si vende takimi midis popujve dhe kulturave, Papa theksoi se universitetet kanë qenë gjithmonë hapësira të privilegjuara për rritje intelektuale të përbashkët nëpërmjet studimit dhe kërkimit. Pikërisht këtu, shpesh lindin miqësi që shkojnë përtej fushës profesionale.

Sadoqë jo gjithmonë është e lehtë, universitetet duhet të punojnë vazhdimisht që mundësitë për takime kuptimplote të vazhdojnë të ekzistojnë. Bëhet fjalë këtu për pjesë thelbësore të jetës së çdo institucioni të arsimit të lartë, pasi marrëdhëniet tona me të tjerët, gjuhët dhe kulturat tona janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ne si qenie njerëzore.

Thyerja e pengesave të keqkuptimit dhe të mosbesimit

Nga takimet akademike lind natyrshëm dialogu sepse kërkimi i dijes, shpjegon Papa, është i lidhur ngushtë me "shkëmbimin e ideve". Kur ky shkëmbim zhvillohet me respekt të ndërsjellë, të gjithë përfitojnë, duke mësuar nga përvojat dhe dëshmitë e të tjerëve, "madje edhe të atyre me të cilët dikush mund të mos pajtohet", duke ndihmuar kështu në thyerjen, hap pas hapi, të keqkuptimeve dhe të mosbesimit.

Në këtë drejtim, në këtë kohë që shpesh karakterizohet nga dhuna dhe retorika e ashpër, anëtarët e komunitetit tuaj të larmishëm universitar mund të vazhdojnë të jenë "artizanë të paqes së vërtetë: një paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse, të përulur dhe këmbëngulës, që punojnë për harmoninë midis popujve".

Paqja fillon nga vetja

Fjala e sotshme e Papës na kujton pastaj edhe psalmet, të cilat flasin për një Zot që i shpall paqen popullit të tij dhe fton çdo njeri të jetë një instrument i saj në botë, duke filluar nga vetja e secilit. Ky koncept është përsëritur edhe nga Shën Augustini, i cili thoshte se "që të ndizen të tjerët", "drita e ndezur" e harmonisë duhet së pari të kallet në zemrat e atyre që e dëshmojnë atë.

18 qershor 2026, 12:00