Leoni XIV: mos i harroni të moshuarit, çojani atyre dashurinë time
Vatican News
Rifillojeni "zakonin e bukur" të vizitës tek gjyshërit, të moshuarit në familje e madje edhe të atyre "që nuk presin vizitorë: çojani, me këtë mesazh e me praninë tuaj, afërsinë dhe dashurinë e Papës". Ky, mandati i besuar nga Papa Leoni XIV, veçanërisht të rinjve, në mesazhin e nënshkruar dhe të publikuar më, 15 qershor, për Ditën e Gjashtë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, që do të kremtohet të dielën, më 26 korrik, në përkujtimin liturgjik të Shenjtorëve Joakim e Ana, gjyshërve të Jezusit.
Ajo nevojë e patjetërsueshme për afërsi
"Po unë ty kurrë nuk do të të harroj" (Is 49,15) është tema e zgjedhur nga Papa për Ditën e VI Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve 2026, mundësi kjo, për të rizbuluar jo vetëm se Kisha është "nëna e të gjithëve" dhe se ne jemi "bij e bija të Zotit" në çdo moshë, por edhe se fjalët e profetit marrin formën e "një takimi të butë e të dashur" në një epokë të fragmentuar dhe të shumëfishuar nga lidhjet e ofruara nga kultura dixhitale, ndërsa zemra njerëzore ruan "një nevojë të patjetërsueshme për afërsi".
Dashuria e Zotit nuk harron askënd
Këtu jehon zëri i Izaisë profet, gurrë "ngushëllimi e besimi" në përgjigje të hutimit të atyre që e ndiejnë se jeta nuk i intereson askujt e se është e lënë pas dore, ose që përjetojnë "ndjesinë e dhimbshme se janë të harruar", perceptim i zakonshëm ndër shumë njerëz, "shumica, të moshuar".
Dashuria e Zotit, megjithatë, nuk e harron askënd, ofrohet si akt drejtësie dhe si përgjigje ndaj anonimitetit në të cilin jeta njerëzore shumë shpesh përfundon e humbur. Mbi jetën e shumë të moshuarve, në veçanti, duket se vihet një vello, duke ua mjegulluar tiparet dhe duke i mbuluar me harresë. Kjo ndodh kur "mbretëron vetmia" në shtëpi, ose në azile pleqsh, e ku "veçantia e secilit person" ia lë vendin numrit të shtretërve të tyre ose patologjisë së diagnostikuar.
Të moshuarit nuk janë barrë
Kisha, shkruan Papa në mesazhin e tij, i njeh vuajtjet e bijave e bijve të saj të moshuar dhe "e di mirë se ata shpesh janë me shumë paragjykime", e konsiderohen "barrë". Dhe nëse ekonomia përqendrohet vetëm tek fitimi "dobëson lidhjet familjare", shumë të moshuar "braktisen nga fëmijët e tyre, që detyrohen të migrojnë ose, në disa raste, të luftojnë në luftë".
Megjithatë, edhe në pleqëri, ne vijojmë "të jemi bij e bija", e zbulimi i butësisë së Zotit, për shumë njerëz, vijon gjatë gjithë jetës, "ndonjëherë pikërisht në fazën e fundit të jetës", edhe sepse është gjithnjë e më e mundur të plakemi "pa pasë provuar përvojën e vërtetë të fesë". Mosha e shtyrë, në këtë rast, duke u nisur nga pyetjet që bëhen më urgjentisht në këtë fazë të jetës, mund të bëhet koha e duhur për të filluar ose rifilluar jetën shpirtërore.
Pranojeni brishtësinë
Papa i nxit "të mos turpërohen nga brishtësia që nis e duket" dhe të kuptojnë se "të gjithë jemi, gjithmonë, në nevojë për njëri-tjetrin dhe lypës të vëmendjes e të kujdesit". Pastaj, duke iu drejtuar "popullit të ri" për të cilët foli Papa Françesku, duke iu referuar faktit se "numri i të moshuarve nuk ka qenë kurrë kaq i lartë në historinë njerëzore", Ipeshkvi i Romës i nxit të moshuarit të reflektojnë mbi atë që mund të jetë thirrja e tyre "kur brishtësia, shoqëruese e njeriut që nga lindja, duket se merr epërsinë".
Ndjehem i detyruar t'ju them: mos kini frikë nga brishtësia! Pikërisht kjo dobësi fsheh brenda vetes një potencial të ri, që ndriçon edhe fazat e tjera të jetës!
Të thirrur për rilindje
Kështu, shpjegon Ati i Shenjtë Leoni XIV, mund ta jetojmë kohën e pleqërisë si të krishterë: "të brishtë" por në të njëjtën kohë "të thirrur", të forcuar nga mundësia e "rilindjes në pleqëri". Një forcë që mund të bëhet ftesë për të mos u drejtuar në rrugët e arrogancës dhe të pushtetit për të garantuar bashkëjetesën njerëzore, por në rrugët e pajtimit e të paqes së vërtetë.
