Kërko

Papa në audiencë me anëtarët e Fondacionit Lejeune Papa në audiencë me anëtarët e Fondacionit Lejeune

Papa: mjekësia nuk mund të bëhet kurrë shërbëtore e vdekjes së planifikuar!

Duke pritur anëtarët e Fondacionit Jérôme Lejeune, mjekut që zbuloi trisominë 21, Papa i nxiti të mos e përdorin teknologjinë kundër mjekësisë e të mos lejojnë që të mbizotërojnë "llogaritjet e efikasitetit, rentabilitetit ose ligështisë". "Vlera e një njeriu", shpjegon, "nuk varet nga çka realizon ose prodhon".

Vatican News

Ky është koncepti i fortë që Papa Leoni e përsëriti në audiencën e sotme, 22 qershor, në Sallën e Koncistorit, ku priti anëtarët e Fondacionit Jérôme Lejeune, i cili këtë vit kremton njëqindvjetorin e themelimit. "Mjek për profesion", "pararendës i gjenetikës moderne" sepse zbuloi anomalinë kromozomale përgjegjëse për trisominë 21, "njeri i shkencës dhe i mençurisë": kështu e kujtoi Papa mjekun Lejeune, duke theksuar tiparet e tij të ndjeshme, ndërsa i quante pacientët "më të varfrit e të varfërve", dhe mbronte me zjarr "jetën dhe dinjitetin e më të brishtëve". Doktorit Lejeune, theksoi Papa Leoni XIV, i pëlqente të përsëriste: "Mjekësia është urrejtje për sëmundjen - e dashuri për të sëmurët". Një mendim që përforcon fjalët e Papës, të thëna në frëngjisht:

Vlera e një njeriu nuk varet nga çka ai ose ajo arrin ose prodhon. Kjo është arsyeja pse mjeku nuk duhet ta lejojë kurrë veten të vendosë për jetën e një embrioni ose të një personi të moshuar e të caktuar, bazuar në algoritme laboratorike!

"Racizmi kromozomik"

Duke kujtuar angazhimin e tij ndaj Akademisë Papnore të Shkencave edhe si anëtar i Akademisë Papnore për Jetën, një institucion që Dr. Lejeune e shihte të nevojshëm "përballë shumëfishimit të kërcënimeve të jetës", Papa theksoi gjithashtu se vetë mjeku e dinte "që zbulimi i tij shkencor do të përdorej për të eliminuar njerëzit, të cilët e kishin trisominë 21 para lindjes së tyre".

Nuk ngurroi, atëhere, të bëhej mbrojtës i tyre, duke denoncuar shkeljen e Betimit të Hipokratit dhe eugjenikën e re, që ai e quajti "racizëm kromozomal". Ndërhyrjet e tij profetike e çuan në mbrojtjen e jetës së çdo qenieje njerëzore, në emër të dinjitetit të paprekshëm që me origjinë në aktin krijues të Zotit.

Kontrolli etik

Një betejë e sulmoi me kritika të ashpra në botën shkencore, me që mjeku e dinte se "teknologjia mund të përdoret kundër mjekësisë, e cila është nga natyra në shërbim të jetës".

Siç ndodh kur teknologjia i shpëton çdo kontrolli etik të domosdoshëm dhe kur mbizotërojnë llogaritjet e efikasitetit, rentabilitetit ose dobisë.

"Forma sociale" e dinjitetit

Papa inkurajoi kështu vazhdimin e punës së filluar nga Dr. Lejeune në fushat e kërkimit, kujdesit dhe mbrojtjes së pakushtëzuar të personit njerëzor. E mirëpriti angazhimin global të mjekut për kërkimin mbi aftësitë e kufizuara intelektuale gjenetike dhe, në nivel akademik, angazhimin e tij për mbrojtjen e jetës përmes Katedrës Ndërkombëtare të Bioetikës. Duke përshëndetur të pranishmit, disa nga Spanja, Argjentina, Shtetet e Bashkuara, Bregu i Fildishtë dhe Koreja, vlerësoi punën e besimtarëve laikë që ndjekin gjurmët e Lejeune.

Të jini si ai dëshmitarë të përkushtuar në shoqëri, duke i shërbyer ndjekjes së vazhdueshme të së mirës së përbashkët. Ky është parimi i parë i madh i mësimdhënies shoqërore të Kishës dhe i "formës shoqërore" të dinjitetit të njohur për secilin individ. E mira e përbashkët nuk përjashton asnjë nga ata që u krijuan sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit.

Refuzimi i gënjeshtrës

"Mesazhi dhe veprat e të Nderuarit Jérôme Lejeune", përfundoi Papa, "bazohen në universalitetin e arsyes dhe zemrës së bashkuar".

E frymëzoftë guximin e së vërtetës tek shumë të rinj dhe profesionistë që përpiqen për qëndrueshmëri; i ndihmoftë ata të bashkohen, pa ngurtësi, me arsyen dhe besimin, fjalën dhe veprën, mungesën e gjykimit mbi individët dhe refuzimin e gënjeshtrave.

22 qershor 2026, 12:42