Papa fluturon drejt Romës nga Tenerife me avionin e mbretit Felipe të Spanjës
Vatican News
Pas defektit në motorin e avionit Iberia Airbus A320, i cili duhej ta kthente në Romë nga Tenerife, Papa Leoni XIV po kthehet në Romë me avionin ushtarak Falcon të mbretit të Spanjës, i ofruar nga Madhëria e Tij. Avioni u nis në orën 18:08 (ora lokale, 19:08 në Romë) dhe pritet të mbërrijë në Vatikan rreth orës 23:00, sipas njoftimit të Zyrës së Shtypit të Vatikanit.
Personeli i Selisë së Shenjtë dhe gazetarët e fluturimit papnor do të kthehen në orët e ardhshme me një tjetër avion të siguruar nga Iberia.
Zbritja e Papës nga avioni i parë
Kështu përfundon në një mënyrë të pazakontë, pas shtatë ditësh, udhëtimi i katërt apostolik ndërkombëtar i Leonit XIV, në aeroportin Tenerife Norte – Los Rodeos. Ky udhëtim e çoi Papën në Spanjë nga 6 deri më 12 qershor.
Nisja e Papës drejt Romës u shty për një kohë të gjatë për shkak të një problemi teknik në motorin e avionit Iberia Airbus A320. Procedura e ngritjes kishte nisur rreth orës 16:15 sipas orës lokale (17:15 në Romë), me më shumë se një orë vonesë, por pak më vonë u rikthye shkallarja e avionit dhe Papa u shoqërua përsëri në sallën VIP të aeroportit nga mbreti Felipe VI, i cili pak më parë e kishte përshëndetur.
Pak më vonë zbritën gjithashtu edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, si dhe kardinalët dhe ipeshkvijtë e tjerë që shoqëronin Papën.
Ceremonia e lamtumirës
I mbërritur në aeroportin Tenerife Norte – Los Rodeos rreth orës 15:45 sipas orës lokale, Leoni XIV u prit nga mbreti Felipe VI i Spanjës, nga disa autoritete vendore dhe nga delegacioni lokal i Kishës.
Pas ekzekutimit të himneve kombëtare dhe nderimeve ndaj flamujve, Papa dhe mbreti kaluan para Gardës së Nderit dhe më pas përshëndetën delegacionet përkatëse.
Ndër autoritetet spanjolle të pranishme në pistën e aeroportit ishin zëdhënësja e qeverisë dhe ministrja e Përfshirjes, Sigurimeve Shoqërore dhe Migracionit, Elma Saiz, si dhe presidenti i Qeverisë së Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo. Te këmbët e shkallëve të avionit u zhvillua ajo që duhej të ishte përshëndetja përfundimtare me sovranin spanjoll, përpara se nisja të shtyhej për shkak të problemit teknik.
Telegrami i Papës mbretit Felipe: mirënjohje për pritjen dhe mikpritjen
Duke u larguar nga Spanja, Papa Leoni XIV i dërgoi një telegram mbretit Felipe VI, në të cilin shprehu mirënjohjen e tij për pritjen dhe përzemërsinë e treguar. Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
“Duke u kthyer në Romë në përfundim të udhëtimit tim apostolik, dëshiroj të shpreh edhe një herë mirënjohjen time ndaj Madhërisë Suaj, autoriteteve dhe popullit të Spanjës për pritjen e ngrohtë dhe mikpritjen bujare që më janë rezervuar gjatë kësaj vizite.
Duke ju siguruar Juve dhe të gjithë spanjollëve për lutjet e mia të vazhdueshme për paqen dhe unitetin e kombit, kërkoj me përzemërsi mbi secilin prej jush begati të shumta të bekimeve hyjnore”, thuhet në telegram.
