Kushtrimi i Papës: teknolologjia si armë vdekjeje dhe thirrja për t'i kthyer shpresën rinisë
Vatican News
Bashkësia dhe shpresa. Këto janë dy fjalët që Papa Leoni vuri në dukje gjatë fjalimit të tij (pa tekst të shkruar) para punonjësve të shumtë të PAM-it (Programi Botëror i Ushqimit), të cilët po e prisnin jashtë strukturës, në Romë.
„Ne jetojmë në një botë të copëtuar, të ndarë dhe të përfshirë nga konflikte e lufta, ku shkatërrimi i marrëdhënieve njerëzore vazhdon për arsye të shumta, përfshirë edhe teknologjinë – e cila na ndihmon të ndërtojmë një botë më të mirë për të jetuar, por që ndonjëherë përdoret si një instrument lufte, shkatërrimi dhe vdekjeje”, nënvizoi Papa e vuri në dukje se puna e bërë nga punonjësit e PAM-it është „vërtet një dhuratë e veçantë” dhe përfaqëson një „shpresë për botën”.
„Shumë shpesh lexojmë për të rinj që kanë humbur shpresën. Të rinj që, për shkak të vështirësive të jetës – dhe jo domosdoshmërisht në zonat më të varfra të botës – kanë humbur një vizion, një kuptim për jetën e tyre, kanë humbur aftësinë për të parë nga e ardhmja. Ju”, shtoi Papa sërish jashtë tekstit zyrtar, „ju jepni shpresë, dhe puna që bëni për të mbërritur veçanërisht te nevojtarët është një shenjë shprese e vërtet, një shprehje konkrete e asaj shprese që të gjithë ne kërkojmë”.
Puna dhe shërbimi juaj, vijoi Ati i Shenjtë, janë „vërtet një mënyrë për t'i ndihmuar njerëzit të bëhen bashkë, të jenë të bashkuar dhe të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet, për të luftuar urinë dhe për të kërkuar rrugë për krijimin e një bote më të drejtë”.
„Uroj që të gjithë ju të jeni të fortë e të mbrojtur dhe ta çoni përpara këtë mision, sepse ushqimi për botën është diçka që të gjithë ne dëshirojmë ta ofrojmë. Ushqim për botën në kuptimin e diçkaje për çdo ditë të jetës, por edhe ushqim që jep shpresë për të ndërtuar një botë më të mirë, një botë paqeje, një botë ku të gjithë jemi të bashkuar”, përfundoi Leoni.
