Kardinali dhe kryeipeshkvi i Madridit, José Cobo Cano, përqafohet me Papa Leonin XIV. Kardinali dhe kryeipeshkvi i Madridit, José Cobo Cano, përqafohet me Papa Leonin XIV.

Kard. Cobo: “Madrid, një vizitë përtej çdo pritshmërie, Papa, autoritet moral për të gjithë”

Në përfundim të etapës së parë të udhëtimit në Spanjë, i cili vijon në Barcelonë, kryepeshkvi bën një bilanc të këtyre tre ditëve me vigjilje, meshë dhe takime me institucione dhe realitete të ndryshme. Ai shprehet i mrekulluar nga „përgjigjja e ngrohtë“ e njerëzve, e të rinjve dhe e politikës: „Pati një zgjim dhe tani duhet të kujdesemi për njerëzit. Papa na ftoi të mos shohim nga e kaluara“. Ndërsa sa i përket abuzimeve, ai shtoi: „Po bëjmë hapa përpara dhe po krijojmë një kulturë ndryshe“

R.SH. / Vatikan

Në përfundim të fazës së parë të udhëtimit apostolik të Papa Leonit XIV në Spanjë, ndërsa Ati i Shenjtë niset drejt Barcelonës, kryeipeshkvi i Madridit, kardinali José Cobo Cano, bëri një bilanc të tre ditëve intensive të vizitës në kryeqytetin spanjoll.

Sipas tij, këto ditë kanë qenë të mbushura me përgatitje të kujdesshme dhe me një përkushtim të madh për ta bërë vizitën papnore jo thjesht një ngjarje, por një proces të vërtetë shpirtëror dhe kishtar. Ai theksoi se përgjigjja e qytetarëve, e Kishës dhe e institucioneve ka qenë shumë më e madhe se pritshmëritë, si në numër ashtu edhe në ngrohtësi dhe pjesëmarrje.

Veçanërisht e fortë dhe e përzemërt, tha kardinali José Cobo Cano, ka qenë pritja në parlamentin spanjoll, ku Papa u duartrokit për rreth dhjetë minuta dhe u brohorit me “Rroftë Papa!”, një shenjë sipas tij se si shoqëria dhe politika kanë nevojë për mesazhe që i ftojnë të ngrihen mbi ndarjet dhe interesat e ngushta. Në këtë kuptim, kardinali Cobo Cano vlerësoi Papa Leonin XIV si një autoritet moral gjithnjë e më të rëndësishëm në skenën evropiane.

Kardinali Cobo Cano theksoi se Papa e ka ftuar Kishën të mos mbetet e mbyllur në të kaluarën, por të shikojë drejt së ardhmes, duke mësuar nga historia pa u kufizuar prej saj. Kjo, sipas tij, kërkon një rinovim të gjuhës, të strukturave dhe të mënyrës së pranisë së Kishës në botën e sotme, në bashkëpunim më të madh me laikët dhe me përgjegjësi të ndara.

Duke folur për të ardhmen e Kishës, kryeipeshkvi i Madridit pranoi se ekziston një “rizgjim” i fesë, veçanërisht tek të rinjtë, por theksoi se ky entuziazëm duhet shoqëruar me kujdes dhe formim, në mënyrë që të udhëheqë drejt një përvoje të thellë të fesë dhe jo vetëm drejt emocioneve të momentit. Ai kujtoi edhe pjesëmarrjet e mëdha në Madrid, si Mesha kremtuar në Cibeles dhe vigjilja e të rinjve, si shenja të një kërkimi të fortë shpirtëror në shoqërinë spanjolle.

Në lidhje me pyetjen mbi shekullarizimin e Spanjës, kardinali José Cobo Cano u shpreh se vendi nuk është thjesht i shekullarizuar, por përkundrazi po përjeton një kërkim të ri të Zotit, që Kisha duhet ta shoqërojë me kujdes dhe përgjegjësi.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës me kryeipeshkvin e Madridit iu kushtua edhe çështjes së abuzimeve brenda Kishës. Kardinali Cobo Cano e përshkroi këtë si një plagë të së kaluarës, ndaj së cilës Kisha po përpiqet të ndërtojë një kulturë të re parandalimi, transparence dhe kujdesi ndaj viktimave. Ai theksoi se çdo viktimë duhet trajtuar në mënyrë individuale dhe me vëmendje të veçantë, duke mos e reduktuar problemin në statistika.

Sipas tij, edhe Papa Leoni XIV ka theksuar rolin e Kishës si “samaritane”, të thirrur për të qenë pranë të dobëtve dhe të lënduarve, duke mos i harruar kurrë ata.

Në përfundim, kardinali Cobo deklaroi se vizita e Papës në Madrid nuk është vetëm një ngjarje e madhe kishtare, por një moment që ka rivitalizuar Kishën spanjolle dhe i ka dhënë asaj udhëzime konkrete për të ardhmen në fusha të ndryshme si kultura, politika, ekonomia dhe jeta kishtare.

09 qershor 2026, 12:27