Papa në Meshën në Gran Kanaria: dëgjoni ‘zemrën e fshehur që rreh nga dashuria’

Papa në homelinë e Meshës kremtuar në Las Palmas de Gran Canaria: dashuria e Krishtit është falas, universale dhe e përvuajtur. Të krishterët janë të thirrur jo vetëm të ndihmojnë ata që vuajnë, por edhe t’u japin mundësinë të rifitojnë dinjitetin, shpresën dhe një vend të denjë në shoqëri.

R.SH. / Vatikan

Gjatë Meshës Solemne të Zemrës së Shenjtë të Jezusit në stadiumin e Gran Canarias, Papa Leoni XIV falënderoi Zotin për veprat e shumta të mirësisë që kryhen çdo ditë në Ishujt Kanarie dhe kërkoi lutje për migrantët që kanë humbur jetën në det.

Papa Prevost theksoi se dashuria e Zotit është falas dhe e pakushtëzuar. Ashtu si Zoti e deshi popullin e Izraelit jo për meritat e tij, por thjesht nga dashuria, edhe të krishterët janë të thirrur të duan pa interes dhe pa llogari. Dashuria e vërtetë, tha Ati i Shenjtë, nuk është vetëm ndjenjë apo bamirësi e thjeshtë, por një forcë që përfshin gjithë qenien njerëzore.

Duke folur për Zemrën e Jezusit, Papa nënvizoi se ajo mbetet besnike dhe e pandryshueshme edhe përballë refuzimit, frikës dhe vuajtjes. Nga ky shembull, besimtarët mësojnë një mënyrë të re jetese, të bazuar në mëshirë, solidaritet dhe vëllazëri.

Leoni XIV kujtoi fjalët e Papa Françesku se përgjigjja më e mirë ndaj dashurisë së Krishtit është dashuria ndaj vëllezërve dhe motrave. Kjo dashuri duhet të shprehet veçanërisht ndaj më të varfërve, më të pambrojturve dhe atyre që nuk mund të kthejnë asgjë në këmbim.

Në vijim të homelisë Papa theksoi gjithashtu se bamirësia nuk duhet të kufizohet vetëm në ndihmë materiale. Ajo duhet t’i ndihmojë njerëzit të rifitojnë besimin, dinjitetin dhe aftësinë për të ndërtuar një jetë të re. Prandaj, integrimi i personave në shoqëri është po aq i rëndësishëm sa ndihma e menjëhershme.

Një temë qendrore e homelisë isë Papës shte përvujtëria. Zemra e Jezusit është e përulur dhe vetëm ata që heqin dorë nga krenaria dhe egoizmi mund të dëgjojnë thirrjen e dashurisë. Papa paralajmëroi se mirëqenia dhe vetëkënaqësia mund ta verbojnë njeriun, duke e bërë të mendojë se nuk ka nevojë për Zotin apo për të tjerët.

Në fund, Papa Leoni XIV i ftoi të gjithë të bëhen dëshmitarë të mëshirës dhe paqes së Krishtit, duke punuar për pajtim, solidaritet dhe dashuri mes njerëzve dhe u lut që luftërat të marrin fund dhe që të lindë një njerëzim i ri, i bashkuar dhe i pajtuar në dashuri.

11 qershor 2026, 16:03