Ëndrra e Olgës, e re me aftësi të kufizuara: "Të përqafojë Papën". E në Madrid e realizoi dëshirën!
R.SH. / Vatikan
Olga Elvira e bëri atë që deshi! U zgjua nga ëndrra, që e shikonte prej vitesh: "Të përqafojë Papën". Së bashku me këtë, shprehu edhe një dëshirë tjetër: "Çka dëshiron të bëhesh kur të rritesh?". "Shenjte". Do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas, por ndërkohë, pasditen e 6 qershorit, në fund të vizitës së Leonit XIV në Qendrën Cedia 24 Horas, qendër bamirësie dhe pritjeje në Madrid, gruaja 23-vjeçare me aftësi të kufizuara intelektuale, me trup të hollë e sy blu si oqeani, i dha Papës një letër gjatë përshëndetjes së saj dhe menjëherë e përqafoi, duke marrë një përgjigje të ngrohtë.
Së bashku me Motër Elisette, murgeshën guanelliane që drejton Casa Santa Teresa, ajo më pas u hodh dhe brohoriti si fëmijë. Kjo është, pjesërisht, gjendja në të cilën e detyron sëmundja e saj, fëmijëri e përjetshme, por është edhe pastërtia dhe naiviteti i saj. që e bëjnë të tillë. E gjithashtu edhe besimi i saj, besimi që Olga e jetoi disi nga një familje ruse jobesimtare, nëna e së cilës, viktimë e alkoolizmit, e braktisi në një jetimore kur ishte shumë e vogël, rreth 16 muajshe, pikërisht për shkak të aftësisë së saj të kufizuar. Një çift nga Madridi, Gema dhe Julián, e adoptuan. Ata udhëtuan për në Rusi për ta takuar atë, pasi vajza e vogël ishte refuzuar tashmë nga tri familje.
Familja që e mori në shtëpi
Rasti i Olgës nuk ishte i lehtë. Edhe Gema e kuptoi kur e mbajti për herë të parë dhe e pa se mezi e ngrente kokën lart. Askush nuk besonte se ajo do të ishte ndonjëherë në gjendje të fliste, ose të ecte, as drejtori i jetimores nuk e kishte treguar të gjithë të vërtetën rreth diagnozës së saj. Gema dhe Julián, në fund të fundit, ishin shpresa e mbrame për këtë vajzë të vogël që u rrit me kufizime fizike po aq të pafundme, sa thellësia e zemrës së saj.
Ai takim i humbur me Françeskun
E shndritshme dhe e guximshme, e gatshme për t'u përballur me botën: kështu u rrit nga prindërit e saj, të cilët për vite me radhë patën mbështetjen e murgeshave Guanelliane në qendrën në Plaza Castilla (pranë stadiumit Bernabeu), që, përveç Olgës, strehon edhe 35 vetë të tjerë me aftësi të kufizuara intelektuale.
E Olga ua përsëriti dëshirën për vite me radhë murgeshave, si dhe nënës e babait të saj: "Dua ta përqafoj Papën". Një gazetare, Eva Fernández, korrespondente për Radio Cope shumë e dashur nga Papa Françesku, ia pranoi dëshirën. I shkroi Jorge Mario Bergoglio-s, duke i treguar atij historinë e kësaj vajze të re dhe duke e pyetur se si ishte e mundur të organizohej një puthje dore në audiencën e përgjithshme. Françesku i telefonoi Evës - ajo vetë i tha mediave të Vatikanit - po atë ditë: "Dua të shoh Olgën dhe prindërit e saj. Kur është e mundur?".
Takimi ishte planifikuar për shkurt 2025, pikërisht gjatë ditëve kur Jorge Mario Bergoglio u shtrua në Spitalin Gemelli. Për të ishte qëndrimi i fundit në spital para vdekjes. Në maj u zgjodh Papa Leoni XIV, por Olga nuk e braktisi dëshirën e saj: "Dua ta takoj Papën". Po, pra! Dua të jem shenjtore... të jem një shenjtore".
Vizita e Leonit
Mundësia u krijua me njoftimin e udhëtimit të Papës në Spanjë. Gruaja e re, së bashku me Motër Elisette, u ftua në Qendrën Cedia, në platenë e oborrit, së bashku me të sëmurë të tjerë, të moshuar, kujdestarë, nevojtarë... Ndërsa priste Papën, kur udhëheqësit i kërkuan disa prej të pranishmëve të shkruanin një mendim në një kartolinë në formë luleje ose ta thoshin në mikrofon, Olga u ngrit dhe përsëriti: "Dua ta përqafoj Papën".
Ia doli mbanësh në fund të ngjarjes, kur Papa Leoni, duke zbritur nga skena dhe duke ecur në korridorin qendror ndërmjet dy krahëve të turmës, tërhoqi vëmendjen e kësaj vajze të ligshtë, me bluzë rozë, që i tundte krahët me një gjest, si të donte t’i thoshte "Eja këtu!Eja...". Papa iu afrua, ajo i dha një zarf të bardhë dhe, ndërsa ai i shtrëngonte dorën, ajo e përqafoi fort, fort! Një nga skenat më prekëse të këtyre çasteve të para të udhëtimit të katërt apostolik të Leonit XIV.
