Kërko

Papa Leoni gjatë drekës me të varfërit, nëntor 2025. Papa Leoni gjatë drekës me të varfërit, nëntor 2025.

Dita Botërore e të Varfërve, Papa: të ofrojmë solidaritetin që të fuqishmit e mohojnë

Në mesazhin e tij për Ditën e dhjetë Botërore të të Varfërve, e cila do të kremtohet më 15 nëntor, me temën "Zoti është streha e të varfërve", Leoni XIV denoncon "korrupsionin mbizotërues" që pjell padrejtësi shoqërore dhe i vë njerëzit "njëri mbi tjetrin në emër të sundimit dhe të shtypjes". Papa na nxit të dëgjojmë ata që kanë nevojë, në vend që thjesht të flasim për ta, dhe kujton se britma e tyre shuhet nga teknikat "tinzare", madje edhe në internet.

R.SH. / Vatikan

"Njeriu budalla në zemrën e tij thotë: 'Nuk ka Zot'", – kështu shprehet psalmisti. Këto fjalë sot përkthehen jo aq shumë në një mohim teorik të ekzistencës hyjnore, sa te ndërgjegjësimi për vlerat e mëshirës dhe të mirësisë. Nga kjo mungesë lind "korrupsioni që sundon" i cili i vendos njerëzit "njëri mbi tjetrin në emër të nënshtrimit dhe të shtypjes". Pra, të njohësh Zotin do të thotë të bëhesh "strehë" për të varfrit, zëri i të cilëve "gëlltitet si buka" nga teknologji të shumta, "tinzare", veçanërisht në botën dixhitale, të cilat përforcojnë paragjykimet dhe ngrejnë "perde mospërfilljeje". Mbrojtja e nevojtarëve, për të krishterët, do të thotë t'i dëgjosh ata, dhe jo vetëm të flasësh për ta por edhe të japësh ndihmën "që të fuqishmit nuk mund ta garantojnë dhe që parapëlqejnë ta mohojnë".

Këto janë reflektimet që përbëjnë Mesazhin e Papa Leonit XIV për Ditën e 10-të Botërore të të Varfërve, e cila do të kremtohet më 15 nëntor me temën "Zoti është streha e të varfërve", por që mban datën e 13 qershorit, dita e Shën Andout të Padovës, shenjtit pajtor qiellor të të varfërve.

Humbja e ndjenjës së transhendencës sot

Shprehja e zgjedhur, marrë nga psalmi 14, na kujton nevojën për t'u kthyer te Fjala e Hyjit për të nxjerrë në pah rëndësinë që kanë nevojtarët në jetën e Kishës, shkruan Papa. Shprehja i referohet shkatërrimit historik të Jeruzalemit në kohën e tij, kur populli, pa praninë e Zotit, përjetoi një "zvetnim të paparë, material dhe moral". Edhe pse i referohet një ngjarjeje të kaluar, kjo shprehje i drejtohet çdo brezi, sqaron Ipeshkvi i Romës.

Për fat të keq, ne shohim se sa e përhapur është padrejtësia shoqërore, që rrjedh nga korrupsioni i tepruar. Humbja e ndjenjës së transhendencës në jetën e përditshme nuk është më edhe aq shumë  mohim teorik i ekzistencës së Zotit; përkundrazi, ajo dëshmohet nga mosmarrja parasysh e mirësisë dhe e mëshirës së Tij për ndërtimin e drejtësisë personale dhe shoqërore.

Logjika e sundimit dhe e abuzimit

Të parët që vuajnë pasojat e kësaj zbraztie janë të varfrit, numri i të cilëve, nënvizon Papa Leoni, po rritet vazhdimisht në shumë shoqëri.

Mungesa e Zotit nuk i vë më njerëzit krah për krah, në respekt të ndërsjellë, por mbi njëri-tjetrin, sipas një fryme sundimi dhe shtypjeje. Shfaqet kështu një logjikë përdhosëse sundimi dhe refuzimi e cila mënjanon dhe poshtëron. Jo vetëm individët, por edhe popullata të tëra gjenden në këto kushte. Fjalët e psalmit jehojnë ende kur thonë një të vërtetë: "Ata e kapërdijnë popullin tim si bukën".

Të ofrojmë mbrojtje të vërtetë dhe të sigurtë

Ka shumë teknika tinzare që përdoren për të shtypur thirrjen për drejtësi të atyre që kanë nevojë, duke filluar me ato dixhitale. Në këtë hapsirë "radikalizohen paragjykimet kundër tyre dhe rëndohet perdja e shpërfilljes që rrethon këto çështje". Kërkesa për ndihmë, megjithatë, thekson Papa, nuk do të mbetet pa përgjigje nga Zoti, kur ka "besim të plotë", duke e bërë shpresën realitet.

Të strehohesh te Zoti është njëlloj si të gjesh mbrojtje të vërtetë dhe të sigurt, atë që të fuqishmit nuk mund ta garantojnë dhe duan ta mohojnë.

Strehë për "natën" e braktisjes

Të varfrit e njohin më shumë se të tjerët atë çka është thelbësore, vazhdon Leoni XIV, sepse jetojnë prej saj. Për më tepër, më shumë se kushdo, ata janë të ngjashëm me Jezusin, sepse banojnë "në strehën e Shumë të Lartit" në "natën" e braktisjes dhe të vetmisë, të pikëllimit, të padrejtësisë dhe të fyerjes, në «natën» e vuajtjes, të dhimbjes dhe madje të vetmisë e të mungesës së kuptimit që ka jeta. Vetë Jezusi, pra, është realiteti i gjallë i "strehës që duhet ofruar", pasi Ai zbriti "në pikën më të ulët", aty ku gjenden më të vegjlit, dhe u del para këtyre, siç është shkruar në Ungjill, me fjalët:

«Ejani tek unë, të gjithë ju që mundoheni dhe jeni të rënduar, dhe unë do t'ju jap pushim.»

Të ndajmë çka kemi me të tjerët për të shprehur Mbretërinë e Zotit

Nuk kemi nevojë vetëm për bukë, por edhe për një fjalë, për një fytyrë, thekson Papa. Dhe është përsëri Jezusi që na jep jo vetëm ushqim, por edhe "shqipton emrin e secilit", duke i shndërruar premtimet në realitet.

Për ata që nuk kanë shtëpi, punë, arsim, ushqim apo shëndet, hapet një rrugë e re që është ndarja e gjithçkaje që kemi si shprehje e Mbretërisë së Zotit. Ngulmimi i atyre që grumbullojnë pasuri vetëm për veten e tyre kundërshtohet nga këmbëngulja e Zotit, i cili, nëpërmjet dëshmisë së njerëzve të vërtetë, hap zemrat dhe i mirëpret njerëzit në dashurinë e tij.

Ta vëmë veten në një pozitë të barabartë me nevojtarët

Prandaj, Kisha nuk mund të mbetet e pandjeshme ndaj plagës së varfërisë, duke u vendosur në një pozicion të barabartë me ata që janë në nevojë. Në këtë drejtim, Papa citon komentin e Shën Augustinit mbi shëmbëlltyrën e të pasurit dhe të Lazrit të varfër:

[Zoti] hesht për emrin e të pasurit, por na thotë emrin e të varfërit. Emri i të pasurit kaloi gojë më gojë, por Zoti heshtte për të; emri i të varfërit u anashkalua në heshtje, por Zoti na e zbuloi. […] Çfarë do të zgjidhnit? Të ishit të varfër si Lazri apo të ishit të pasur si tjetri? Mos u mashtroni! Dëgjoni se cili ishte fundi dhe vini re zgjedhjen e keqe.

Të varfrit bëhen strehë për të tjerët

Leoni XIV e ka diskutuar edhe më parë te thirrja e tij apostolike «Dilexi te», "parapëlqimin" që ka Zoti për të varfrit. Dhe në lidhje me bërjen "strehë" për të varfrit, ai na fton ta pyesim veten nëse po bëjmë vërtet gjithçka që është në fuqinë tonë për të arritur "atje ku janë të varfrit, duke e përjetuar mënjanimin e tyre", duke dëgjuar mendimet e tyre, duke i ndarë me ta pritjet e tyre, duke shqiptuar emrat e tyre.

Atëherë do të shohim sesi vetë të varfrit kthehen në strehë për të tjerët.

Ndihma me gëzim

Një shkëmbim mbrojtjeje, pra, që dëshmon për unitetin e Kishës në varfërinë e përbotshme, por edhe për vlerën e madhe që çdo person ka në sytë e Zotit dhe të të tjerëve. Si përfundim, Papa e lidh kremtimin e Ditës Botërore të të Varfërve me tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit, një dëshmi konkrete e dhembshurisë së gëzueshme për të varfrit.

Duam të dëshmojmë se është e mundur, edhe sot, të përjetojmë të njëjtin gëzim, duke e vënë veten në vendin e të varfërve dhe duke i dëgjuar ata, në vend që vetëm të flasim për ta. Kush ka Zotin strehë është i lirë të bëjë zgjedhje profetike, të cilat dëshmojnë se si gjithçka mund të mendohet rishtas, nga poshtë, në përulësinë dhe vëllazërinë që janë të vetmet që mund ta shërojnë një botë të plagosur nga arroganca.

14 qershor 2026, 15:40