Dhimbje dhe shpresë në Arguineguín: Dëshmi në portin e Gran Canarias
R.SH. Vatikan
"Nuk e lashë vendin tim sepse doja. U largova sepse nuk kishte zgjidhje tjetër. Të gjeje ushqim ishte pothuajse e pamundur. Në moshën 14 vjeçare, isha duke u përballur me jetën e vetme." Kështu fillon historia e Blessing-ut, një grua nigeriane që ishte viktimë e trafikimit. Për arsye sigurie, në vend të saj flet një tjetër grua në Arguineguín në Gran Canaria, ku Leoni XIV mbërriti sot, ndalesa e tretë e shtegtimit të tij apostolik dhe u takua me ata që mirëpresin emigrantët. Për sa ka ndodhur në ishull vitet e fundit, tregon një kapiten i Salvamento Marítimo, i cili i ka kushtuar 18 vjet shpëtimit të jetëve në det, dhe ka qenë dëshmitar i mbytjeve të anijeve; ka përjetuar netë të errëta dhe ka dëgjuar zëra që kërkojnë ndihmë; Pas tij flet një vullnetar i Caritas-it dhe një emigrant latino-amerikan që mbërriti në Las Palmas de Gran Canaria në vitin 1997 me një valixhe plot ëndrra dhe i cili, pas shumë vështirësive, u bë sipërmarrës.
Përshëndetje nga ipeshkvi i Ishujve Kanarie
Dëshmitarët u paraqitën nga ipeshkvi i Ishujve Kanarie, imzot José Mazuelos Pérez, i cili, duke i uruar mirëseardhjen Papës, shprehu shpresën e tij që Porti i Arguineguín të "shndërrohet në një simbol të mirëseardhjes, të drejtësisë dhe të njerëzimit". "Dhe sot, me vizitën e tij, ne po bëjmë një hap drejt këtij shndërrimi", tha prelati, duke kujtuar se "çdo emigrant ka një fytyrë; se nuk është një numër" dhe se "dinjiteti njerëzor vjen para çdo ligji". Kështu, imzot Mazuelos Pérez iu drejtua atyre që ofrojnë ndihmë: Shërbimit të Shpëtimit Detar, Policisë Kombëtare, Gardës Civile, Kryqit të Kuq, Caritas-it, dhe të gjitha organizatave të lidhura me Kishën që janë "në vijën e parë të pritjes dhe të kujdesit për migrantët" si dhe "peshkatarëve të Ishujve Kanarie". "Ju kërkojmë të na ndihmoni të shohim me dhembshuri, të veprojmë me guxim dhe të ndërtojmë një shoqëri ku askush nuk shihet si problem, por si vëlla ose motër", përfundoi ipeshkvi, duke iu drejtuar Papës, përpara se t'u linte vend dëshmive.
Përvoja e një kapiteni të Salvamento Marítimo
Tito Villarmea, kapiten i Salvamento Marítimo-s në anijen «Guardamar Urania», është i pari që jep dëshmi. Për 18 vjet, ai i është përkushtuar shpëtimit të jetëve në det. Ai preket para Papës dhe mendimet e tij shkojnë tek gjyshërit e tij galicianë, të cilët u larguan nga vendi i tyre vetëm një herë, duke udhëtuar rreth 20 orë për të parë Gjon Palin II në Fatima. Tito i thotë Leonit XIV se, gjatë viteve, ai dhe ekipi i tij kanë shpëtuar më shumë se 20,000 njerëz. Ai kujton det të trazuar, errësirë dhe anije të brishta të mbushura me njerëz, dhe një fytyrë që nuk e ka harruar kurrë: atë të një nëne me vajzën e saj, "midis trupave të plagosur dhe të pajetë". "Sa herë që shpëtojmë ndokënd, vërejmë tek ata «njeriun», jeta e të cilit varet nga ne", shpjegon kapiteni i Salvamento Marítimo, paraardhësit e të cilit ishin të gjithë detarë, peshkatarë. Tito dëshironte të ishte detar në një mënyrë tjetër: duke shpëtuar jetë. Dhe sot ai deshi t'u japë zë më shumë se 1,600 profesionistëve që i përkushtohen lundrimit në ujërat e Oqeanit Atlantik, me një dëshirë: "Do të dëshiroja të mos na duhej të shpëtonim kurrë më askënd". – thotë kapiteni.
Puna e një vullnetareje të Caritas-it
Folën më pas María Reyes Alemán Cruz, vullnetare në Caritasin Dioqezan të Ishujve Kanarie dhe përgjegjëse e famullisë së San Juan Apóstol y Evangelista për gjashtëmbëdhjetë vjet. Ajo i tregoi Papës se, ashtu si ajo, shumë njerëz ende ruajnë kujtime të gjalla të përvojave të tyre me emigrantët në portet e Arguineguín dhe në ishuj të tjerë. Fytyrat, emrat dhe historitë e burrave dhe grave që janë ndihmuar përmes organizatave të Caritaseve famullitare janë të gjalla. Shumë rej tyre ndjehen të tronditur nga lodhja dhe pasiguria, ndjehen të pafuqishëm, sepse burimet janë të kufizuara ose për shkak të vështirësisë në komunikim; po ashtu gjërat që shpërndahen janë të pakta: biskota, qumësht dhe pak ndihmë. Por bashkimi përmes vullnetarizmit, në bashkësitë famullitare dhe në shërbesat e përgjithshme të Caritas Dioqezane, i shtyu vullnetarët të udhëtonin së bashku, të bashkërendoheshin, të ndanin atë pak që kishim dhe të "shoqëronin në thjeshtësi dhe brishtësi". "Mësuam se nuk bëhej fjalë për zgjidhjen e të gjitha problemeve por se dikush ishte i pranishëm. Dikush na dëgjonte, na jepte diçka: një pallto, një kafe – ose të ndihmonin për dokumentet e nevojshme", kujton María, duke shtuar se "ndihma që japin individë dhe shoqata të tjera baritore është një lehtësim për emigrantët".
Historia e Blessing, viktimë e trafikimit
Historia e Blessing-ut, një grua nigeriane, zbulohet në një letër që lexohet nga Sora Niesse, vullnetare e Caritas-it senegalez.
Blessing vjen nga një familje e madhe, me tetë vëllezër e motra. Ajo përjetoi vështirësi të mëdha si adoleshente. Kështu që në moshën 22 vjeç, për të siguruar një të ardhme më të mirë për dy vajzat e saj, 4 dhe 2 vjeçe, ajo u largua.
"Mafia më çoi në një vend ku më bënë t’i nënshtrohesha një rituali që quhet «juju». Më thanë se kisha një borxh prej 25,000 eurosh që do të duhej ta paguaja sapo të mbërrija në Evropë", shpjegon ajo. Ajo priti gjashtë muaj para se të largohej, "pothuajse pa ushqim" dhe pa mundur të lahej për javë të tëra. Në det, pa shumë njerëz të vdisnin, por ia doli të shkonte në Spanjë, shtatzënë nga një mafioz. Fëmija që lindi iu mor që Blessing të punonte si prostitutë.
Ajo arriti ta përqafonte përsëri djalin e saj 11 muaj më vonë, kur policia arrestoi ata që e mbajtën peng. Por që atëherë, "me ndihmën e Kishës, nëpërmjet punonjësve socialë", jeta e Blessingut ka ndryshuar, "dhe ka mësuar të besojë përsëri" në vetvete. Dhe sot, ajo është mirënjohëse kundrejt atyre që i kanë dhënë ndihmë.
Një emigrante që u bë sipërmarrëse
María Fernanda López Meza, një sipërmarrëse me origjinë nga Amerika Latine, ka pasur gjithashtu një udhëtim plot vështirësi, por të pasur në mësime. Ajo mbërriti në Las Palmas de Gran Canaria në vitin 1997, duke ëndërruar për realizimin e saj profesional, "por edhe duke mbajtur barrën e braktisjes së "familjes, miqve dhe vendit të saj. Ditët e para ishin shumë të vështira, kujton ajo. Kishte netë kur nuk kishte ku të flinte dhe çaste që e vunë në sprovë të rëndë "qëndresën", "dinjitetin" dhe "shpresën" e saj. Ajo po kërkonte një mundësi dhe filloi punë në një pazar, ku fitoi rrogën e saj të parë. Më pas punoi në një restorant, ku mësoi çfarë është disiplina dhe si të lidhej me njerëzit. "Çdo përvojë më formoi jo vetëm si punëtore, por edhe si njeri", thotë ajo. Pika e kthesës në jetën e saj erdhi me një punë në një ndërmarrje ku mësoi shumë dhe u rrit profesionalisht për njëzet vjet.
Mbasi e ndihmoi partneri i saj, ajo filloi biznesin rreth katër vjet më parë dhe, falë atyre që besuan tek ajo dhe e mbështetën, ajo realizoi ëndrrën e saj. Sot ndërmarrja e saj është konsoliduar dhe ka një skuadër prej 6 punonjësish, gjë që për të do të thotë jo vetëm rritje si sipërmarrëse, por edhe kënaqësi sepse je në gjendje të krijosh vende pune dhe mundësi për njerëz të tjerë", përfundon ajo duke falënderuar Las Pal.
Dëshira e Maria Fernandës tani është t'u "japë shpresë atyre që po kalojnë kohë të vështira, veçanërisht atyre që u është dashur të largohen nga vendi dhe familjet e tyre". Ajo ka bindjen se "mund të ecësh përpara me punë të palodhur, respekt dhe mirënjohje" kundrejt atyre vendeve që të hapin dyert.
