Kërko

Papa Leoni në procesionin e Corpus Christi, 22 qershor 2025, nga Bazilika e Shën Gjonit në Lateran në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, në Romë Papa Leoni në procesionin e Corpus Christi, 22 qershor 2025, nga Bazilika e Shën Gjonit në Lateran në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, në Romë

Corpus Domini, Papa: procesionet, “dëshmi e guximshme e fesë"

Leoni XIV, në përshëndetjet e tij në fund të audiencës së përgjithshme, kujtoi Solemnitetin e Korpit e Gjakut të Krishtit. Na nxiti për ta shikuar zemrën e Jezusit, që ta shndërrojmë edhe zemrën tonë, "duke e bërë më durimtare, më bujare e më të dhembshur".

R.SH. / Vatikan

Të ecësh pas të Shenjtnueshmit Sakrament të Eukaristisë për të kujtuar se Zoti është ndërmjet nesh, e në krahun tonë. Këtë e theksoi Papa Leoni XIV në përshëndetjet në gjuhë të ndryshme gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, duke kujtuar Solemnitetin e Corpus Christi, që bie nesër, më 4 qershor. E duke iu drejtuar shtegtarëve italianë, Leoni XIV foli për kuptimin dhe rëndësinë e procesioneve, që zhvillohen në këtë ditë.

Në Eukaristi kundrojmë Jezusin, bukën e thyer, të dhënë për secilin prej nesh. Procesionet me Sakramentin e Shenjtë të Eukaristisë, që zhvillohen në rrugët e shumë qyteteve, janë shprehje e devotshmërisë popullore eukaristike; në këtë drejtim, ju inkurajoj ta mbani gjallë manifestimin e bukur të dëshmisë publike të fesë.

Zoti me ne

Një mendim i përsëritur edhe në përshëndetjet drejtuar besimtarëve polakë, duke u kujtuar se Jezusi është i gjallë dhe ecën me ne.

Pjesëmarrja në procesionet eukaristike - veçanërisht nga ana e familjeve, fëmijëve dhe të rinjve - të jetë dëshmi e guximshme e fesë dhe t’u kujtojë të gjithëve se Zoti është i pranishëm në mes të popullit të tij dhe e shoqëron në jetën e përditshme.

Dëshmitarë të dashurisë së Tij

Papa Leoni, në përshëndetjen e tij drejtuar shtegtarëve anglishtfolës, u përqendrua më pas në forcën që ofron Eukaristia.

Ndërsa përgatitemi për Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Jezu Krishtit, të forcohemi nga kjo dhuratë hyjnore dhe të bëhemi dëshmitarë të dashurisë së tij për të gjithë ata që e takojnë.

Një zemër durimtare e bujare

Besimtarëve portugalishtes, Papa u kujtoi se qershori është muaji i kushtuar Zemrës së Krishtit. Ftesa e Papës është t'i afrohemi Atij për të ndryshuar zemrat tona.

Të dashur vëllezër e motra, në këtë muaj kushtuar Zemrës së Shenjtë të Jezusit, t’i afrohemi më shumë gurrës së mëshirës dhe butësisë së Zotit, në mënyrë që i Ngjalluri t’i shndërrojë zemrat tona, t’i bëjë më të durueshme, më bujare, më të dhembshura.

Në përshëndetjet, mendimi i Papës shkoi te meshtarët dhe rregulltarët e Lindjes së Mesme, të cilëve u siguroi lutjet dhe bekimin e tij për shërbesën e tyre dhe “pritjet e vendeve të tyre përkatëse”.

03 qershor 2026, 13:00