Augustinianët takojnë "vëllain" Leonin: i kënaqur që është në Spanjë
R.SH. / Vatikan
"Mirë, mrekullisht mirë. Ai është i lum. Mendoj se ndihet mirë këtu!". Atë José María Herranz Maté është një nga augustinianët spanjolë të pranishëm, dje pasdite, 7 qershor, në sallën kryesore të Nunciaturës Apostolike të Madridit, ku Papa u takua me vëllezërit e tij rregulltarë për bisedë private. Zakon ky, i nisur nga Papa Françesku, që anëtarët e të njëjtit urdhër rregulltar të takoheshin gjatë shtegtimeve apostolike; Leoni e vijon këtë traditë e, në programin e ditës së dytë të vizitës në Spanjë, u kushtoi mbi një orë Etrëve augustinianë.
Takimi në Nunciaturë
Afërsisht 220 meshtarë augustianë nga bashkësi të ndryshme, ishin të pranishëm, së bashku me anëtarë të ndryshëm të familjes augustiniane të vendit, duke përfshirë edhe murgeshat kundruese. Papa, në fjalimin e lirshëm, pas një përshëndetjeje nga eprori provincial, theksoi vlerën e thirrjes së tyre, “edhe për t’i dhënë kuptim veprimit shoqëror, në një kohë kur heshtja dhe aftësia për të hyrë në zemrën e dikujt po humbasin". Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë e kujtoi këtë nëpërmjet kanalit të saj Telegram, duke njoftuar se Papa u drejtoi të gjithë të pranishmëve "disa fjalë mirënjohjeje për mundësinë e takimit, e duke theksuar se si bashkimi, ashtu edhe uniteti i zemrës ndërmjet augustinianëve mund të jetë mesazh për botën në këtë çast historik". "Mesazh për t'u çuar të rinjve", nënvizoi Salla e Shtypit.
Të rinjtë, "të dehur"
Gjatë këtij takimi "të bukur" dhe "vërtet familjar", komentoi Atë José Maté, Papa u ndal gjatë në temën e kujdesit baritor, veçanërisht të shërbesës rinore. Leoni XIV u prek thellë nga të rinjtë e Spanjës, shpjegoi augustiniani, duke kujtuar 600,000 njerëzit që i takoi mbrëmë në Plaza de Lima, të cilët shkëmbyen pyetjet, dyshimet dhe kërkimet e tyre shpirtërore me Papën. "Ai na tha se të rinjtë janë si drita në agim, janë si yje. Në spanjisht, un brillo. Si thuhet në italisht? - pyeti Herranz, që vijoi: "Ai foli gjithashtu për shërbesën rinore dhe për gjithë punën që augustinianët e bëjnë me të rinjtë. E na falënderoi për atë që bëjmë këtu, në Spanjë, na dha guxim për të ecur përpara dhe për të punuar më shumë për popullin e Zotit".
Mirënjohje dhe inkurajim
Me augustinianët, Papa Leoni XIV shkëmbeu gjithashtu edhe përshtypjet dhe emocionet e këtyre ditëve të para të udhëtimit të tij në Spanjë: "Ai është i lumtur, këte na tha", kujto rregulltar spanjoll Atë Maté, Më pas Papa i ftoi të gjithë për të thënë së bashku lutjen e "Atynës" e në fund dha bekimin apostolik dhe i përshëndeti të pranishmit: “Përshëndeti kaq shumë njerëz. Të gjithë! Ishte një përshëndetje familjare. E ne e falënderuam për praninë e tij në Spanjë dhe për këtë gjest takimi me ne, për gatishmërinë e tij... Edhe pse ishte kaq i zënë, e gjeti mundësinë të kalonte pothuajse një orë me ne”.
Është “falënderim i bijve të tij, sepse ai është Papë, është atë për ne”, përfundoi Atë Herranz Maté . Gjatë ditëve në vijim, do të ndjekë ngjarjet e tjera të udhëtimit papnor në Spanjë: “Do të jemi në staudiumin e Madridit Bernabeu. Ndonjë nga komuniteti ynë do të shkojë edhe në Barcelonë, sepse atje ka takime të tjera, edhe mebashkësinë augustiniane. Papa Leoni është gjithnjë gati për të vizituar fretërit e tij, vëllezërit e tij”.
