Kërko

Agustinianët në Pavia, Eprori: duam të mbështesim Papën duke dëshmuar unitetin

Në Bazilikën e Shën Pjetrit në Ciel d'Oro, ndër vendet ku Leoni XIV do të vizitojë qytetin Lombard më 20 qershor, do të jenë të pranishëm mbi njëqind fretër të Urdhrit të Shën Agustinit. Për më tepër se një vit, mijëra shtegtarë erdhën për ta vizituar varrin e Ipeshkvit të Iponës dhe komunitetin që mban reliket e synon të ripërtërihet për shtrirje baritore ndërkombëtare. Atë Casagrande: një llambë bronzi me tri degë ulliri do të përkujtojë mesazhin e Papës për paqen.

Vatican News

"Jemi të kënaqur ta mirëpresim Leonin XIV në kuvendin tonë, e më pas, ta njohim me Bazilikën e Shën Pjetrit në Ciel d'Oro, në Pavia, Itali, ku do të mund të nderojë reliket e Shën Augustinit, të ruajtura këtu, në Pavia që nga shekulli i 8-të".

Atë Gianfranco Casagrande, epror i bashkësisë së Etërve Augustinianë, të cilit i është besuar kujdesi baritor i Kishës që ruan mbetjet mortore të shën Augustinit, Ipeshkvit të Iponës në një sarkofag mermeri, nuk mund ta përmbajë gëzimin e tij për mbërritjen e Papës të shtunën pasdite, më 20 qershor. E gjithë kjo hare "sepse po e shikon ëndrrën e dëshiruar që nga zgjedhja e tij", duke i bërë homazh Atit të madh të Kishës, "bir" i të cilit është edhe ai, duke qenë "bir" e meshtar augustinian, siç e zbuloi vetë ditën e zgjedhjes Papë. 

"Ai kthehet këtu, në shtëpinë e Shën Agustinit, ku ka qenë shumë herë, veçanërisht si Epror i Përgjithshëm i Urdhrit Agustinian, dhe mund ta takojë Agustinin në varrin e tij, brenda Arkës. E kjo është shumë domethënëse - shpjegon Atë Gianfranco - sepse mesazhi i tij për të gjithë Kishën është gjithashtu ai i përshpirtërisë agustiniane, një përshpirtëri e themeluar mbi unitetin, bashkësinë, miqësinë dhe, mbi të gjitha, ndarjen vëllazërore për të kapërcyer çdo lloj konflikti - personal, komunitare e shoqëror. Këtu, pra, do të ketë takim të dy zemrave", shton rregulltari, "zemra e Papës dhe zemra e Augustinit".

Leoni XIV dhe familja augustiniane

Bazilika e Shën Pjetrit në Ciel d'Oro, është ndalesa e dytë në vizitën baritore të Leonit XIV, në Pavia. Para kremtimit të Fjalës së Zotit,  Papa do të takohet me vëllezërit e tij në kuvendin e tyre. Ndërmjet të pranishmëve, do të jetë Atë Joseph Farrell, Epror i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit, dhe Atë Gabriele Pedicino, Epror i Provincës Augustiniane të Italisë. Mbi njëqind fretër do ta presin në Bazilikë, së bashku me  përfaqësimin e murgeshave dhe motrave aktive të Familjes Augustiniane, për të qenë, me Papën augustinian, "një zemër e një shpirt, që i drejtohen Zotit", siç kërkon Ipeshkvi i Ipponës, Augustini në Rregullën e tij. Robert Prevost ishte në Pavia për herë të fundit në vitin 2024, si kardinal, për të përfunduar kremtimet për 1300-vjetorin dhe për transferimit të relikeve të Shën Augustinit nga Cagliari, më 28 shkurt - në San Pietro in Ciel d'Oro. Tani ndjehet një klimë e madhe pritjeje, ndërsa rregulltarët e laikët janë të zënë. Presin mbërritjen e Leonit XIV.

Nga Arka e Shën Agustinit, një dhuratë për Papën

"Sot, vëllai ynë Prevost është Bariu universal i Kishës", thotë meshtari i bashkësisë augustinian paveze. "Nga njëra anë, ne e ndiejmë barrën që ai e mban për të gjithë Kishën – nga tjetra, do të donim ta lehtësonim atë, duke e mbajtur vetë, duke u lutur për të, duke e lënë ta ndiejë afërsinë tonë, miqësinë tonë dhe frymën tonë të jetës vëllazërore". Një shenjë konkrete do të jetë dhurata që do të marrë: një kopje e panelit që përshkruan kthesën e Shën Augustinit, të paraqitur në Arkën e Shenjtit e riprodhuar me një printim tredimensional të një fotografie, bërë gjatë pastrimit të Arkës. Sepse edhe Arka është përtërirë për vizitën e Papës.

"Dhurata që po i bëjmë Papës është menduar si mënyrë për t'i kujtuar atij Arkën e Shën Augustinit, varrin e Doktorit tonë të shenjtë dhe komunitetin tonë", vazhdon rregulltari augustinian. "Ne zgjodhëm për të riprodhuar çastin e Tolle lege sepse është episod themelor, që shënon kalimin në shenjtëri në jetën e Aurelius Agustinit". E më pas, si homazh për Leonin XIV, tek skulptori Armando Marrocco u porosit një llambë bronzi, e përbërë nga tri degë të larta ulliri, "simbol i paqes që Papa po ia shpall të gjithë Kishës dhe mbarë botës", shpjegon Atë Gianfranco. Do të ndizet nga vetë Papa dhe do të mbetet pranë relikeve të Shën Augustinit, të cilat do të ekspozohen të shtunën, në presbiterin e poshtme.

Kujtojmë se një nga mendimet më të famshme dhe më të thella të Shën Augustinit, marrë nga Rrëfimet e tij, pasqyron kërkimin intim të qenies njerëzore për kuptimin dhe përshpirtërinë:

"Ti na krijove për veten tënde, o Zot, e zemrat tona janë të shqetësuara derisa të pushojnë në ty".

Shpreh idenë se shpirti gjen paqe dhe përmbushje vetëm në takim me hyjnoren!

19 qershor 2026, 14:04