Efektet e luftës, pas një sulmi në Kramatorsk Efektet e luftës, pas një sulmi në Kramatorsk

Ukrainë, Papa: lufta nuk i zgjidh problemet, por i rëndon ato

Në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, thirrje e re nga Leoni XIV pas “intensifikimit të fortë” të konfliktit ndërmjet Ukrainës me Rusinë. Papa shpreh afërsinë e tij me ata që vuajnë nga sulmet “edhe kundër civilëve” dhe kujton se “atje ku bien raketa dhe dronë, bien edhe shpresat”. Së fundi, Ati i Shenjtë ia beson të gjithë popujt e plagosur nga lufta mbrojtjes së Marisë, Mbretëreshës së Paqes.

R.SH. – Vatikan

E ndjek me shqetësim luftën në Ukrainë, e cila po njeh këto ditë një intensifikim të fortë.

Mendimi dhe zemra e Papa Leonit XIV janë gjithmonë të drejtuara nga vendet e plagosura nga lufta, dhe këtë të mërkurë, veçanërisht në përfundim të audiencës së përgjithshme, përmendi Ukrainën e përgjakur, Libanin dhe mbrojtjen e jetës në Poloni.

"Dëshiroj t'u shpreh afërsinë time të gjithë atyre që vuajnë për shkak të sulmeve të fundit, të kryera edhe kundër civilëve. Lufta nuk i zgjidh problemet, por i rëndon ato. Ajo nuk ndërton siguri, por shumëfishon vuajtjen dhe urrejtjen. Atje ku bien raketa dhe drona, bien edhe shpresat, shkatërrohen shtëpi e vende lutjeje, dhe këputen jetë të pafajshme. Ia besoj të gjithë popujt e plagosur nga lufta mbrojtjes së Virgjërës Mari, Mbretëreshës së Paqes".

Lajmet e fundit dramatike nga Ukraina

Lajmet e fundit njoftojnë për gjashtë të vdekur gjatë natës së 26 majit në rajonin e Donetsk-ut, si pasojë e sulmeve ruse. Në natën mes të shtunës 23 maj dhe të dielës 24 maj, një seri bombardimesh ruse me raketa dhe drona goditi kryeqytetin Kiev dhe zonat përreth, duke vrarë të paktën 4 persona dhe duke plagosur mbi 50 të tjerë, në një nga sulmet më të mëdha mbi kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i luftës.

Sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia përdori 600 drona dhe 90 raketa, nga të cilat u kapën përkatësisht 549 dhe 55. Ditët e kaluara, një sulm me drona ukrainas kundër një konvikti studentësh në Starobilsk, në rajonin e pushtuar të Luhansk-ut në Donbas, shkaktoi 21 të vdekur dhe 44 të plagosur. Sipas ushtrisë ukrainase, ky ishte një objektiv ushtarak.

Papa përshëndet besimtarët libanezë

Në përshëndetjet drejtuar besimtarëve të gjuhës frënge dhe arabe, Papa iu drejtua në mënyrë të veçantë shtegtarëve të ardhur nga Libani, një tjetër vend i goditur nga drama e luftës.

Maria, Nëna Jonë, është gjithmonë e pranishme me ne, lutet për ne dhe kujdeset për ne me dashuri amtare. Zoti ju bekoftë të gjithëve dhe ju mbroftë gjithmonë nga çdo e keqe!

Leoni XIV kërkoi gjithashtu t’i lutemi Shpirti Shenjt "...në mënyrë që një përtëritje liturgjike, besnike ndaj Traditës autentike, të forcojë bashkësinë kishtare dhe pjesëmarrjen e plotë të besimtarëve".

Dita e Nënës në Poloni

Duke iu drejtuar më pas besimtarëve polakë të pranishëm në audiencën e sotme, Papa Leoni XIV kujtoi se dje, më 26 maj, ata festuan Ditën e Nënës, duke falënderuar të gjitha nënat "të cilat me bujari kanë transmetuar dhuratën e jetës dhe kujdesen për fëmijët e tyre, duke u mësuar atyre dashurinë për Zotin dhe për të afërmin".

Papa u lut që Nëna e Shenjtë e Zotit, Zoja Mari "të ndërmjetësojë për to, që të fitojnë hirin e një lidhjeje të qëndrueshme me Jezusin". Me ndihmën e Saj, ai u kërkoi të gjithë polakëve:

"...të mbroni në Atdheun tuaj jetën e çdo personi, që nga ngjizja e deri në vdekjen natyrore".

Përshëndetja për personat e kushtuar

Në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, duke përshëndetur besimtarët italianë, Papa iu drejtua veçanërisht personave të kushtuar që ishin të pranishëm në audiencë: Rregulltareve të Bashkimit të Eprorëve të Mëdhenj të Italisë, Motrave të Shën Palit nga Chartres, Terciareve Kapucine të Familjes së Shenjtë, Ursulineve Misionare të Zemrës së Shenjtë dhe Vëllezërve Maristë.

"Secilit prej jush - nënvizoi Papa - i uroj të ringjallë zellin e kushtimit dhe t'i japë një hov të ri misionit të komuniteteve përkatëse". Leoni përshëndeti me përzemërsi edhe Seminaristët e Seminarit Rajonal të Pulias, pjesëmarrësit e kampionatit marian të festës së popujve të Orte Scalo, si dhe Vëllazërinë e të Lumit Anxhelo nga Furci, duke i inkurajuar të gjithë "të jenë dëshmitarë të një jete autentike të krishterë dhe të një hapjeje solidare ndaj të tjerëve".

27 maj 2026, 13:54