Rruzarja e Papës: edhe në kohë konflikti, paqja është e mundur
R.SH. – Vatikani
“Paqja është gjithmonë e mundur sepse është dhuratë e Zotit” që kërkon tek ne “ndërtues paqeje”. Dhe paqja e Tij bëhet e mundur “sa herë që kthehemi te Zoti” dhe veprojmë “si nxënës të vërtetë të dashurisë së Tij”. Ajo bëhet e mundur kur “dëgjohet kushtrimi i atyre që janë të privuar prej saj”, nga fëmijët e pafajshëm, te refugjatët e deri te njerëzit që vuajnë. Dhe paqja është e mundur nëse gjithsecili bën pjesën e vet, edhe “duke u përmbajtur nga çdo dhunë verbale apo fizike, në jetën e përditshme si dhe në rrjetet sociale”. Ky është mesazhi i Papa Leonit XIV në përfundim të Rruzares së thënë këtë mbrëmje, 30 maj, nga ora 19:00, në mbyllje të muajit marian, pranë Shpellës së Zonjës së Lurdit në Kopshtet e Vatikanit. Bashkë me të ishin dy mijë besimtarë të mbledhur rreth Shpellës së Zojës Mari, por edhe shumë të tjerë të lidhur në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv nga 19 Shenjtërore mariane në botë, falë nismës së Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, Seksioni për çështjet themelore të ungjillëzimit në botë.
Nëntëmbëdhjetë shenjtëroret e lidhura në transmetim të drejtpërdrejtë
Në momente të caktuara, lidhja video i bashkoi pjesëmarrësit, falë pamjeve televizive, nga Shpella e Kopshteve të Vatikanit me Shenjtëroren e Nënës së Hyjit në Zarvanytsia të Ukrainës, por edhe me Katedralen e Sayidat al-Najat (Zoja Jonë e Shpëtimit) në Bagdat (Irak); me Shenjtëroren Ndërkombëtare të Zonjës Sonë të Paqes dhe të Udhëtimit të Mirë në Antipolo të Filipineve; e më pas me ato të Virgjërës së Bekuar të Rruzares në Fatima të Portugalisë; të Zojës së Bekuar Mbretëreshë e Paqes në Medjugorje të Bosnjë-Hercegovinës; ma atë të Zojës Sonë të Lurdit në Francë; me atë të Shën Sharbel Annaya në Byblos të Libanit; si dhe me Shenjtëroren Papnore të Shtëpisë së Shenjtë në Loreto të Italisë. Të lidhura ishin edhe Shenjtërorja e Virgjërës së Bekuar të Rruzares në Pompei të Italisë; Nossa Senhora Aparecida në Brazil; Jesus Saviour and Mother Mary në Elele (Nigeri); Jasna Góra në Czestochowa të Polonisë; Our Lady of Knock në Irlandë; Zoja Jonë e Guadalupes në Qytetin e Meksikos; Mater Misericordiae (Zoja Jonë e Portës së Agimit) në Vilnius (Lituani); Gnadenort Altötting në Gjermani; Ngjizja e Zojës së Papërlyer në Uashington (SHBA); "Zoja Jonë e Arabisë" në Ahmadi (Kuvajt) dhe Katedralja e Marisë Mbretëreshë e Arabisë në Awali (Bahrein).
Hyrja e Papës: Zoti t'i dhurojë paqe botës
Papa prezanton thënien e Mistereve të Gëzimit të lutjes së Rruzraes, në riprodhimin e Shpellës së Masabielit në Vatikan, duke kujtuar shtegtarët e shumtë që bashkohen me lutjen nga shenjtëroret mariane të botës “për t'iu lutur Zotit që t'u dhurojë paqe popujve dhe kombeve”. Leoni XIV fton të kërkohet “me këmbëngulje dhurata e paqes”, pa u lodhur “duke iu përgjëruar Zotit që zemrat të hapen ndaj kthimit dhe të gjithë të mund të dëshmojmë një bashkëjetesë mes popujve të përbërë nga respekti i ndërsjellë dhe bashkëndarja vëllazërore”. Urimi është që “lutja e Rruzares së Shenjtë të shndërrohet në një angazhim për secilin prej nesh që të jemi ndërtues paqeje”.
Ndërmjetësimet gjatë Rruzares
Leximi i pjesëve të Ungjillit për çdo Mister të lutjes së Rruzares, që nga Lajmërimi e deri te gjetja e Jezusit në Tempull, i paraprin lutjes drejtuar Zotit për qëllime të ndryshme. Kërkohet ndërmjetësimi i Mbretëreshës së Paqes “për viktimat e luftës, mbi të gjitha për njerëzit më të pambrojtur: fëmijët, të moshuarit, të sëmurët”. Po ashtu edhe për familjet e përçara, “që askush të mos vuajë pa të drejtë”. Më pas, në Misterin e dytë, lutja shkon “për ata që u çojnë një fjalë shprese dhe ngushëllimin e fesë popullsive të prekura nga lufta, që të jenë gjithmonë instrumente të mëshirës Tënde”. Ndërsa më tej lutja “për personelin mjekësor, paramjekësor dhe vullnetarët që çdo ditë u dërgojnë ndihma humanitare njerëzve më në nevojë, që ata të jenë gjithnjë e më të bindur dhe më të shumtë në numër. Për ata që me zemër të hapur kanë mirëpritur refugjatët, që të mos lodhen duke shprehur bujarinë dhe solidaritetin”. Por edhe “për ata që vuajnë dhunën e luftës, për të burgosurit dhe për ata që pësojnë poshtërime që cenojnë dinjitetin e personit, që të mos humbasin shpresën dhe të gjejnë ngushëllimin e atyre që përkushtohen për kapërcimin e dhunës”. Dhe në fund, lutja “që në saje të vdekjes shpëtimtare të Jezu Krishtit, i cili pajtoi botën me Atin, të pushojnë luftërat dhe të mbretërojë një paqe e qëndrueshme mes të gjitha Kombeve”.
Zoti paralajmëron paqen për popullin e Vet, Ai nuk na braktis
Në përfundim, pas këndimit të Salve Regina (Të falemi Mbretëreshë), Papa Leoni XIV merr fjalën dhe citon një varg nga Psalmi 85, kur na thotë se Zoti “paralajmëron paqen për popullin e vet, për besimtarët e vet, për ata që kthehen tek Ai me besim”. Kjo është shpresa “për të cilën kemi nevojë”, komenton Ati i Shenjtë, dhe kujton se përmes dëgjimit të Fjalës së Hyjit në lutje, “mund të kuptojmë domethënien e asaj që ndodh në histori, duke njohur provaninë e Zotit që gjithmonë e udhëheq atë dhe na vjen në ndihmë”.
Kundrimi bashkë me Marinë i mistereve të Rruzares na udhëheq drejt njohjes te Jezu Krishti, të së vetmes Fjalë përfundimtare që Hyji Atë ka shqiptuar, Fjalë paqeje për të gjithë ata që kthehen tek Ai me zemër të penduar. Zoti nuk na braktis kurrë, edhe atëherë kur ne e harrojmë Atë.
Të dëgjohet kushtrimi i atyre që janë privuar nga paqja
Papa citon Izainë profet: “Unë do të vë në buzë: paqe, paqe për atë që është larg dhe për atë që është afër” dhe nënvizon se kush “ka besim te Hyji e kupton këtë shpallje të paqes dhe shndërrohet në artizan të saj, duke e ndërtuar me duart e veta”. Paqja, kujton Leoni XIV, “nuk është një teori që duhet verifikuar në laborator, as një iluzion naiv, as një biznes që duhet menaxhuar për interes”, por përkundrazi “një angazhim i përditshëm i jetës sonë: ajo buron nga drejtësia dhe nga dashuria, si një harmoni që bashkon personat, familjet, komunitetet, popujt”.
“Edhe në këtë kohë tensionesh dhe konfliktesh, paqja bëhet e mundur kur dëgjohet kushtrimi i atyre që janë të privuar prej saj: fëmijët e pafajshëm, nënat dhe etërit e ankthshëm, të burgosurit e keqtrajtuar, refugjatët, njerëzit që vuajnë të çdo moshë. Të gjithë këta kanë në buzë vetëm një fjalë: paqe! Ne e dimë: paqja është gjithmonë e mundur sepse është dhuratë e Hyjit”.
Kurrë më lot të të pafajshmëve në qytetet tona
Një paqe që, nënvizon Papa Leoni XIV, “ka fytyrën e Jezu Krishtit, Birit të Hyjit, i cili në jetën e Tij të dhuruar për ne ka pajtuar qiellin dhe tokën”, dhe që “rrëzon muret e armiqësisë”, “mposht mendjemadhësinë me përulësi dhe shpërblen nga mëkati mbarë krijimin”. Kur Jezusi është me ne “dhe ne veprojmë si nxënës të vërtetë të dashurisë së Tij”, vijon Papa, “atëherë Shpirti Shenjt mund të realizojë atë që njerëzisht duket e pamundur”. Por nëse “largohemi nga Zoti, largohemi edhe nga njeriu”, duke u bërë indiferentë ndaj dhimbjes së tij. Për këtë arsye, “sa herë që kthehemi te Zoti, paqja e Tij shndërrohet në angazhimin tonë” dhe lutja jonë “bëhet kështu mision dhe profeci”:
“Nuk duhet të ketë më lot të të pafajshmëve në qytetet tona; askush nuk duhet të ikë nga shtëpia e vet prej kërcënimit të bombave; etja për pushtet dhe dhuna e fjalëve t'i lë vendin etjes për drejtësi dhe për të vërtetë. E gjithsecili mund dhe duhet të bëjë pjesën e vet, duke filluar nga gjërat e vogla por të rëndësishme, duke u përmbajtur nga çdo dhunë verbale apo fizike, në jetën e përditshme si dhe në rrjetet sociale”.
Hyji kërkon ndërtues paqeje
Leoni XIV përfundon duke nënvizuar se “paqja e vërtetë fillon në një zemër që dashuron; dëshmohet nga buzë që shqiptojnë fjalë pajtimi; pasqyrohet në sy që e vështrojnë botën me butësi dhe urtësi”. Për këtë arsye “Zoti kërkon ndërtues paqeje!” dhe Virgjëra Mari “na ndihmoftë t'i përgjigjemi Atij çdo ditë me 'ja ku jam'-in tonë, jo me fjalë por me vepra”.
