Papa: të ndihmohet populli i Gazës që vuan dhe të respektohen të drejtat e njeriut

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, dje në mbrëmje nga Castel Gandolfo, Papa u kërkon autoriteteve që të ndihmojnë dhe të shoqërojnë në rindërtim njerëzit e Rripit që "po vuajnë". Lufta sot bëhet me Inteligjencën Artificiale (IA), e cila nuk merr parasysh jetët njerëzore, si "në Liban" dhe në "vende të tjera të botës", thotë ai, prandaj ajo duhet çarmatosur dhe duhet vazhduar dialogu me kompanitë e mëdha, ashtu siç po bën Dikasteri Vatikanit për Shërbimin Njerëzor me Anthropic.

R.SH. / Vatikan 

Të respektohen të drejtat e njeriut të të gjithëve dhe të ndihmohet populli i Gazës. Apeli i Leonit XIV vjen nga Castel Gandolfo. Duke u larguar, dje në mbrëmje nga rezidenca papnore, pasi kaloi atje disa orë pushimi dhe pune, Papa Leoni XIV u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me aktivistët e Global Sumud Flotilla, të ndaluar nga ushtria izraelite ndërsa përpiqeshin të dërgonin ndihma në Gazë, të cilët treguan se ishin rrahur dhe keqtrajtuar, dhe nënvizon se po "shkaktohet gjithnjë e më shumë urrejtje".

"Dhuna nuk ndihmon", shton ai. Është e nevojshme "të kthehemi në negociata", "të përpiqemi që përmes dialogut të zgjidhim problemet, duke respektuar gjithmonë të drejtat e njeriut të të gjithëve".

"Fatkeqësisht, populli i Gazës ende nuk i merr ndihmat humanitare. Kjo po shkakton protesta, vështirësi, madje edhe veprimin e atyre që morën pjesë në Flotilje", vëren Papa, i cili u drejtohet "të gjitha autoriteteve" që të ndihmojnë dhe të shoqërojnë "popullin e Gazës" që "po vuan", dhe gjithashtu edhe të ndihmojnë "që tani për të filluar rindërtimin".

Inteligjenca Artificiale dhe lufta e sotme

I pyetur gjithashtu edhe për Inteligjencën Artificiale, të nesërmen e botimit të Letrës së tij enciklike Magnifica humanitas, Leoni nxit për të vazhduar dialogun me kompanitë e mëdha të IA-së dhe përmend punën që Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor po çon përpara me Anthropic.

Lidhur me dialogu me teknologjinë Papa tha: "Mendoj se është shumë e rëndësishme të vazhdojmë dialogun dhe të kërkojmë vërtet një inteligjencë artificiale të çarmatosur".

Duke përmendur pastaj viktimat e teknologjisë, Leoni XIV vë në dukje se "lufta sot bëhet me IA", si "në Liban" dhe në "vende të tjera të botës", "pa menduar për jetët njerëzore që janë vërtet viktimat e gjithë kësaj". Nga këtu buron edhe apeli i ri i Papës për paqe.

27 maj 2026, 09:20