Papa, Shtëpisë Botuese të Vatikanit: leximi i librave, "ilaç kundër mendjengushtësisë"
R.SH. – Vatikan
Një takim “në familje”, një përvjetor për t’u kremtuar, një moment për të reflektuar mbi vlerën e leximit, një mundësi për të menduar, një mënyrë për t'u lidhur me të tjerët dhe për t'u prekur nga Fjala e Zotit. Papa Leoni XIV e përqendroi në këto pika përshëndetjen e tij për drejtuesit dhe për personelin e Shtëpisë Botuese të Vatikanit, pritur sot paradite, më 7 maj, në Sallën e Koncistorit, në 100-vjetorin e themelimit - një përvjetor, që do të kremtohet edhe përmes disa ngjarjeve ndërkombëtare. Fjalët e Papës tëkujtojnë gjestin e zgjedhjes së një libri, për shkak të temës së tij, të pasionit për stilin e autorit, ose thjesht, për kuriozitet.
“Në epokën dixhitale, libri fizik na kujton rolin e mendimit, të reflektimit dhe të studimit. Leximi ushqen mendjen, ndihmon në zhvillimin e një ndjenje kritike të vetëdijshme dhe të formuar, mbron nga fundamentalizmi dhe nga devijimet ideologjike. Për këtë arsye, i nxis të gjithë të lexojnë libra, si ilaç kundër mendjengushtësisë, që reflektohet në qëndrime të ngurta dhe në pikëpamje reduktuese të realitetit”.
Një urë drejt tjetrit
Papa Leoni XIV kujtoi se në vitin 1926, Shtëpia Botuese e Vatikanit u shkëput nga "Shtypshkronja e Vatikanit, e themeluar që në vitin 1587", e cila u shërbeu nëntë Papëve, "duke përhapur Magjisterin e tyre si kontribut në kumtimin e Ungjillit në të gjithë botën". Prej këtej, reflektimi i Ipeshkvit të Romës kaloi te vlera e librave, "një mundësi për të menduar", por edhe "për t'u takuar", së pari me autorin dhe pastaj, me njerëzit që i lexojnë, i kanë lexuar, ose do t'i lexojnë. Të shpeshta, pohoi Papa, janë edhe momentet kur "shkrimtarët dhe lexuesit mblidhen për të folur dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin". Një mënyrë vërtet e frytshme për të ndërtuar ura.
“Papa Françesku na ka mësuar të praktikojmë kulturën e takimit: librat janë urë drejt të tjerëve, arsye konfrontimi që na pasuron, stimul për t’i zgjeruar horizontet”.
Shkolla e Marisë dhe e shenjtorëve
Duke nënvizuar vlerën e leximit për të krishterët, Papa kujtoi një sërë imazhesh, si Maria që lexon Shkrimet e Shenjta, ose "Shën Antoni i Padovës duke mbajtur Librin e hapur të Ungjijve, mbi të cilin qëndron Jezu Krishti Foshnjë". Vetë Shën Augustini shpesh portretizohet i ulur në tavolinë para një libri të madh dhe, "ndonjëherë, duke mbajtur një zemër në dorë: e vërteta dhe bamirësia".
“Për ne të krishterët, librat janë rast për të shpallur Krishtin... Në shkollën e Marisë dhe të shenjtorëve, të ushqehemi me Fjalën e Zotit, që ajo të na plazmojë mendësinë dhe veprimet”.
Duke i përshëndetur pjesëmarrësit në audiencë, Papa i nxiti të ecin përpara, siç pati bërë edhe Shën Pali VI me rastin e 50-vjetorit të LEV në vitin 1976, "për të zhvilluar ide e plane për të ardhmen". "Ju falënderoj për punën tuaj", përfundoi ai, "të cilën uroj ta kryeni me përkushtim dhe pasion".
