Papa: shkenca e feja mbrojnë planetin e njerëzit nga shfrytëzimi i pamatur
R.SH. - Vatikan
Në një botë ku planeti dhe më të ligshtit "rrezikohen nga shfrytëzimi i pamatur", si i njerëzve, ashtu edhe i burimeve, shkenca dhe besimi janë të thirrur në një përgjegjësi të përbashkët: të mbrojnë Krijimin, e ata që banojnë në të. Në të njëjtën kohë, të dyja duhet të përballen me "kërcënimin" tinëzar të mohimit të "vetë ekzistencës të së vërtetës objektive". Pikërisht për këtë arsye, "përkrahja e Kishës ndaj shkencës rigoroze dhe të ndershme nuk është vetëm e çmuar, por sidomos, themelore". Këtë theksoi Papa Leoni XIV sot, 11 maj, duke iu drejtuar anëtarëve të Fondacionit të Observatorit të Vatikanit, organizatë jofitimprurëse me seli në Tucson, Arizona (SHBA), e cila mbështet financiarisht dhe nxit veprimtaritë shkencore dhe arsimore të Observatorit të Vatikanit, "institucion i çmuar i Shtetit të Qytetit të Vatikanit, në shërbim të Selisë së Shenjtë dhe Kishës universale".
Kërcënime të reja
Në fjalimin e tij në anglisht, Papa Leoni pohoi se ishte "thellësisht mirënjohës" për "mbështetjen besnike e bujare" dhuruar nga Fondacioni i Observatorit të Vatikanit, për Observatorin e Vatikanit, që - kujtoi - Leoni XIII e rithemeloi 135 vjet më parë në mënyrë që "të gjithë të mund të shihnin qartë se Kisha dhe barinjtë e saj nuk janë kundër shkencës së vërtetë a të fortë, njerëzore a hyjnore, por që e mirëpresin, e inkurajojnë dhe e nxisin me përkushtimin më të madh". Ishte një epokë në të cilën "shkenca paraqitej gjithnjë e më shumë si burim i së vërtetës, që rivalizonte fenë"; prandaj, "Kisha ndjeu nevojën urgjente për të kundërshtuar perceptimin në rritje, sipas të cilit feja dhe shkenca ishin armike". Ndërsa edhe sot shkenca e feja ballafaqohen me "një kërcënim të ndryshëm, e ndoshta edhe më të fshehtë: e mohojnë vetë ekzistencën e së vërtetës objektive".
Shumë njerëz në botën tonë refuzojnë të njohin atë që mësojnë qartë si shkenca ashtu edhe Kisha: se kemi një përgjegjësi solemne për t'u kujdesur për planetin tonë dhe mirëqenien e atyre që banojnë në të, veçanërisht më të prekshmit, jeta e të cilëve rrezikohet nga shfrytëzimi i pamatur si i njerëzve ashtu edhe i botës natyrore.
Një shkencë e saktë dhe e ndershme
Prandaj, angazhimi i Kishës për një "shkencë të saktë dhe të ndershme" nuk është vetëm "i çmuar", por "themelor". E astronomia zë "një vend të veçantë" në këtë mision, pohoi Papa. Sepse "aftësia për të soditur me habi diellin, hënën dhe yjet është dhuratë e çdo qenieje njerëzore, pavarësisht nga statusi ose rrethanat shoqërore. Ζgjon tek ne njëfarë ndjenje habie, ashtu edhe një ndjenjë shpëtimtare proporcioni". "Soditja e qiejve na fton të shohim frikën dhe mangësitë tona në dritën e pafundësisë së Zotit", theksoi Papa.
Qielli i natës është thesar bukurie, që i përket të gjithëve - të pasur e të varfër - e në një botë kaq të ndarë në mënyrë të dhimbshme, mbetet një nga burimet e fundit vërtet universale të gëzimit.
Të ndahet bashkërisht mrekullia e astronomisë
Por "tragjikisht, tani edhe kjo dhuratë kërcënohet", vërejti Papa Leoni, duke kujtuar Papën Benedikti kur deklaroi: "E mbushëm qiellin tonë me dritë artificiale, e cila na verbon përballë dritës, që Zoti e ka vendosur atje. Imazh i përshtatshëm, sugjeroi, i vetë mëkatit". Në këtë kontekst, Papa shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për punën e Fondacionit, angazhimi i të cilit "u lejon shkencëtarëve të Vatikanit të bashkëveprojnë në mënyrë kuptimplote me publikun e gjerë dhe me bashkësinë shkencore globale".
Bujaria juaj e ndihmon Observatorin e Vatikanit ta ndajë mrekullinë e astronomisë me studentë nga mbarë bota dhe të ofrojë laboratore e kurse verore për ata që punojnë në shkolla dhe në famulli katolike. E, në fund të fundit, është përkushtimi juaj i cili lejon që teleskopët dhe laboratorët e Observatorit të mbeten ato që gjithmonë ishin menduar të ishin: vende ku lavdia e krijimit të Zotit mirëpritet me nderim, thellësi e gëzim.
Të tërhequr nga Universi
"Nuk duhet ta humbasim kurrë nga sytë vizionin teologjik, që i frymëzon të gjitha këto - theksoi Papa - E jona është fe e Mishërimit. Shkrimet e Shenjta na mësojnë se që nga fillimi, Ζoti u zbulua përmes sendeve që krijoi dhe se e deshi aq shumë këtë krijim, saqë dërgoi të Birin për të hyrë dhe për ta shpenguar".
Nuk është për t'u habitur, prandaj, që njerëzit me fe të thellë ndjehen të tërhequr nga dëshira për ta zbuluar zanafillën!
