Papa, rrjetit amerikan të bamirësisë: “nuk jemi vetëm në veprën e dashurisë”
R.SH. – Vatikan
Sot paradite, në Sallën e Koncistorit, Papa Leoni XIV u takua me një delegacion prej pesëdhjetë anëtarësh të Rrjetit amerikan të Bamirësisë Katolike, anëtar i Karitasit Ndërkombëtar. Papa u kujtoi se kur u shërbejnë të varfërve, nuk janë vetëm. Me ta është Krishti. U theksoi edhe se bamirësia, nëse është vërtet e krishterë, nuk ka të bëjë kurrë vetëm me zgjidhjen e problemeve, por me praninë e Zotit, që na zbulohet ndër më nevojtarët e shoqërisë.
Kur vështirësitë bëhen vend takimi
Kushdo që ka punuar me të varfrit e di se bujaria, e vetme, nuk është e mjaftueshme. Ka caqe, pamundësi, pengesa e çaste kur realiteti i reziston çdo përpjekjeje. Papa Leoni XIV nuk harroi t’i rreshtonte këto vështirësi një për një, sikur të donte të përligjte lodhjen e atyre, që veprojnë në fushën e bamirësisë, lodhje, që shpesh mbetet e pathënë.
"Kumtimi i Ungjillit përmes kujdesit për të varfrit dhe më nevojtarët paraqet gjithmonë disa vështirësi si në nivelin personal, ashtu edhe në atë institucional... pavarësisht se pa i lënë vend shkurajimit, sidomos kur takojmë ata, që nuk mund t'i ndihmojmë ashtu siç do të donim... Megjithatë, pikërisht kur përballemi me pengesa të tilla, duhet të mësohemi ta dëgjojmë zërin e Jezusit, që, edhe një herë, na thotë: 'Unë jam me ju gjithmonë!'"
E kjo është thellësisht konkrete, vijoi Ati i Shenjtë. Feja nuk është mbështetje abstrakte, por zë, që bëhet më i fortë pikërisht kur gjërat nuk funksionojnë. E vetëm kështu, bamirësia e krishterë merr kuptim të ri: nuk ka të bëjë me suksesin në ndihmën për nevojtarët, por me qëndrimin pranë tyre.
Bamirësia është më shumë se ndihmë
Në një botë, që shpesh e mat ndihmën me shifra, rendiment dhe rezultate, Papa e ndryshon perspektivën. Ndihma materiale është e nevojshme - por jo e mjaftueshme. Pa diçka më të thellë, ajo ka rrezik të kthehet në një tjetër shërbim e aq.
"Në të gjitha këto rrethana, duhet të jetë dashuria e Krishtit ajo, që ju udhëheq në punën e përditshme... dëshira për t'u sjellë të tjerëve ndihmë materiale me dashurinë e zemrës së Jezusit, sepse në atë dashuri, ata do të gjejnë prehje të vërtetë dhe dinjiteti i tyre do të respektohet".
Kjo "dashuri e zemrës së Jezusit" nuk është thjesht shprehje poetike. Është kriter. U bën veprimtarëve të Karitasit një pyetje të vështirë: çfarë japim vërtet kur ndihmojmë? Sepse njerëzit nuk kanë nevojë vetëm për zgjidhje; ata duhet të shihen, të njihen, të takohen. Përndryshe, edhe ndihma mbetet diçka e largët, që ngre barriera.
Takim i ndërsjellë, jo shërbim njëkahësh
Në reflektimin e tij, Papa paraqiti thelbin e ndihmës katolike. Ata që u shërbejnë të varfërve jo vetëm japin, por edhe marrin. Bamirësia bëhet kështu vendi ku të dyja palët ndryshojnë.
"Puna juaj me më pak fatlumët vazhdon të ofrojë një mundësi të privilegjuar për të ndarë gëzimin e Ringjalljes... ju jep mundësinë ta prekni me dorë korpin e Krishtit, në përpjekjen për ta parë e për t’i shërbyer Atij në vëllezërit dhe motrat tona... veprat tuaja të bamirësisë bëhen një takim i ndërsjellë me Zotin, që është i pranishëm ndër ne".
Kjo nuk është diçka e mirëqënë. Kërkon një ndryshim mendësie për t’i parë nevojtarët jo thjesht si “përfitues të ndihmës”, por si njerëz në të cilët është i pranishëm Krishti. Kështu, të varfrit nuk janë më ata, që kanë nevojë, por ata përmes të cilëve na zbulohet diçka.
E, pikërisht këtu mesazhi i Papës bëhet edhe më i thellë: shpresa nuk është një ide për të ardhmen, por diçka që ndodh në takim - këtu, tani, në realitetin e brishtë dhe të papërsosur të marrëdhënieve njerëzore.
"Unë jam me ju gjithmonë".
Nëse është e vërtetë kjo, nëse çdo katolik beson në këtë, atëherë asnjë akt bamirësie nuk është kurrë i vogël e i papërfillshëm.
